Zeka: Nuk është punuar në promovimin e mundësive për investim në Kosovë

Prishtinë | 27 Maj 2018 | 08:02 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk është punuar sa duhet në promovimin e mundësive për investim në Kosovë.

“Në njërën anë është punuar shumë në krijimin e një legjislacioni modern, i cili është në harmoni edhe me ligjet e Bashkimit Evropian, edhe me ligjet më moderne të cilat aplikohen në shtetet demokratike, mirëpo në anën tjetër nuk është punuar shumë në promovimin e mundësive për investime në vendin tonë”.

Për mungesën e rezultateve në promovimin e  mundësive për investime në Kosovë, Zeka thotë se faj kanë agjensionet përgjegjëse.

“Edhe këtu natyrisht meqenëse edhe paguhen nga paratë e tatimpaguesve tanë faji kryesor u mbetet agjensioneve përkatëse të cilat merren me promovimin e investimeve, në rend të parë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht Agjencionit Kosovar për Ndërmarrje dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve dhe Promovim të Investimeve. Nuk është bërë punë në ndërtimin e një brendi nacional, investitorët potencialë dinë shumë pak për Kosovën”, tha ai.

Arian Zeka deklaroi se sundimi i ligjit mbetet njëri ndër problemet kryesore me të cilin ballafaqohen bizneset.

“Është sundimi i ligjit ai i cili pastaj mundëson që të ketë një perceptim më të lartë për korrupsionin. Sundimi i ligjit po ashtu ndikohet nga joefikasiteti i gjyqësorit dhe institucioneve të drejtësisë, dhe investitorët seriozë, po flas për ata të huajt, nuk do të investojnë në një vend në të cilin sundimi i ligjit është në nivelin i cili është për momentin në Kosovë”.

Përpos problemit me sundimin e ligjit, Zeka konsideron se problem i madh është edhe gjetja e kuadrove të duhura punëtore. Një ndër shkaqet e këtij problemi, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, është pagesa më e lartë në sektorin publik, gjë që i bën të rinjtë të synojnë gjetjen e një vendi pune në këtë sektor.

“Problem tjetër i madh është edhe gjetja e kuadrove të duhura punëtore. Këtu ekzistojnë disa faktorë që ballafaqohemi me këtë hendek të madh të fuqisë punëtore, por më e rëndësishmja është hendeku i shkaktuar, ose boshllëku i shkaktuar, nga ana e qeverisë me vendimet e saj për të ngritur pagat në sektorin publik”.

“Sot nuk është fshehtësi që paga mesatare në sektorin publik është dukshëm më e lartë se paga mesatare në sektorin privat. Kjo e bën sektorin publik më atraktiv për fuqinë punëtore, për të rinjtë e papunë, për të gjithë të sapodiplomuarit të cilët natyrisht nuk kanë asnjë nxitës të vetëm të gjejnë punë në sektorin privat, por i mbajnë sytë nga ndonjë punë e mundshme në sektorin publik”.

Ndërkaq lidhur me krijimin e një zone të lirë ekonomike amerikane, ai tha se qeveria nuk ka dhënë sqarimet e nevojshme.

“Çfarë do t’iu ofrohet brenda zonës së investitorëve amerikanë në këtë rast, besoj që është ende e paqartë, për shkak se qeveria përveç vendimit të themelimit të një grupi i cili do ta analizonte legjislacion dhe do të gjente vendin e përshtatshëm nuk ka sqaruar diçka tjetër. Pikëpyetje mbetet edhe nëse ekziston baza ligjore për të ofruar ndonjë lehtësirë. Ekziston ligji për të ardhurat e korporatave që mundëson pushimet tatimore, por jo diçka që mund t’u ofrohet investitorëve brenda zonave të lira ekonomike”, shtoi ai.

Të ngjashme