Zv.drejtori i FMN-së: Kosova duhet ta mbajë disiplinën fiskale dhe të trajtojë punësimin

Prishtinë | 14 Shk 2018 | 16:58 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë, është pritur në takim nga ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Në një konferencë të përbashkët për medie, pas takimit, Zhang vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë për adresimin e çështjeve me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit fiskal.

“Kjo është vizita ime e parë në Kosovë dhe po shoh një ekonomi që është duke u zhvilluar. Në takimet tona kemi qenë të inkurajuar me ato që kemi dëgjuar për zhvillimet që janë bërë”.

“Jemi inkurajuar me përkushtimin e kryeministrit për të vazhduar reformat që kanë nisur qe disa vite. Kosova duhet ta mbajë këtë disiplinë fiskale dhe për të arritur pastaj synimet. Kjo është e rëndësishme kur kemi parasysh që Kosova ka popullsi të re. Punësimi është shumë i rëndësishëm dhe duhet të trajtohet”, tha Zhang, raporton Ekonomia Online.

Kjo është vizita tretë e menaxhmetit të FMN-së në Kosovë. “Siç jeni njoftuar, para dy javëve, Bordi Ekzekutiv i FMN-së, kryesuar nga z. Zhang, ka aprovuar rishikimin vjetor të gjendjes ekonomike dhe fiskale në Kosovë (Rishikimi i Artikullit të IV-të). Me këtë rast, Bordi ka diskutuar rreth zhvillimeve ekonomike në Kosovë për vitin 2017 dhe Drejtorët Ekzekutiv janë pajtuar njëzëri se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në forcimin e qëndrueshmërisë fiskale, forcimin e stabilitetit në sektorin financiar, si dhe avancimin e reformave strukturore”, tha ministri Hamza, në konferencën e përbashkët për medie.

Ministri Hamza falënderoi për përkrahjen e FMN për kalimin e Kosovës nga Artikulli XIV në Artikullin e VIII – që vjen pas vlerësimit të FMN-së se “Kosova nuk ka kufizime këmbimore për transaksionet ndërkombëtare”. Kjo, u tha, se e forcon edhe më shumë ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

“Ne kemi një pajtim të plotë me FMN-në rreth objektivave dhe politikave fiskale, financiare, dhe zhvillimore, si në aspektin afat-shkurtër edhe në atë afat-gjatë. FMN-ja ka qenë dhe do të vazhdoj të mbetet partner jetik për Kosovën drejt mbarëvajtjes së stabilitetit makro-financiar”, shtoi Hamza.

U. d. guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, e falënderoi FMN-në për mbështetjen që i jep BQK-së. “Ju siguroj se në çdo aranzhman të mundshëm, ne do të vazhdojmë të jemi partner i besueshëm i FMN-së duke punuar në mënyrë intensive për zbatimin e reformave të mëtejme strukturore dhe duke forcuar edhe më tutje bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet dy institucioneve”.

“Zhvillimet në sektorin bankar janë shumë të favorshme edhe për sa i përket treguesve të shëndetit financiar. Dëshiroj të theksoj rënien e mëtejme të normës së kredive joperformuese, e cila tani ka zbritur në 3.1%”, shtoi Mehmeti.

Të ngjashme