Inflacioni shënoi rritje prej 2.2 për qind në vitin 2016

Prishtinë | 10 Jan 2017 | 10:09 | Nga

Inflacioni i çmimeve të konsumit në Shqipëri arriti në dhjetor në 2.2 përqind nga 1.9 për qind që ishte në nëntor, bëri të ditur të hënën Instituti Kombëtar i Statistikave.

Në bazë të krahasimit mujor, të dhënat tregojnë se inflacioni në muajin dhjetor ishte 0.9 për qind.

Sipas ekspertëve, rritja e shpejtë e inflacionit gjatë këtij muaji u ndikua nga rritja e konsumit në prag të festave të Vitit të Ri.

Çmimet e ushqimit dhe të pijeve joalkoolike, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe me 36.1 për qind të konsumit, patën një rritje prej 4.6 për qind në dhjetor, pas asaj prej 3.2 për qind në nëntor.

Çmimet e strehimit, ujit, energjisë elektrike dhe karburantit, që zë 20.3 për qind të totalit të konsumit, u rritën me 0.9 për qind, pas rritjes me 1.5 për qind në nëntor.

Gjatë vitit 2016, rritja më e madhe e inflacionit është shënuar në dhjetor me 2.2 për qind, ndërsa niveli më i ulët u shënua në shkurt me 0.2 për qind.

Banka Qendrore e Shqipërisë parashikon që inflacioni të kthehet në objektivin e saj me 3 për qind, deri në fund të vitit 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme