Mbahet konferenca e shkencave mjekësore

Prishtinë | 21 Pri 2017 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Ka filluar sot në Tiranë Konferenca Kombëtare e Shkencave Mjekësore, ndërsa në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, studiues, studentë, etj.

Manastirliu në fjalën e saj përshëndetëse, u shpreh se Qeveria e Shqipërisë gjatë mandatit të parë ka nisur reformat në sektorin e shëndetësisë.

“Pjesëmarrja në konferenca të kësaj rëndësie me më shumë se 3000 profesionistë dhe 220 lektorë nga Shqipëria dhe rajoni dhe universitete të njohura evropiane është dëshmi për rëndësinë që kanë organizime të tilla në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore. Eksperiencat e ndryshme bëhen bashkë dhe vihen në funksion të praktikave klinike dhe vetë cilësisë së shërbimit. Qeveria shqiptare gjatë mandatit të parë qeverisës nisi rrugëtimin e vështirë të reformave në sektorin e shëndetësisë, një proces sfidues dhe në të njëjtën kohë shpresëdhënës, po të kemi parasysh ato që kemi arritur të realizojmë gjatë katër viteve”, theksoi Manastirliu.

Ndërsa ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, Nikolla u shpreh se konferenca e sotme tregon edhe një realitet të ri në mjediset universitare, ai i kërkimit shkencor, që sipas saj, është i lidhur me standardet e cilësisë. Nikolla theksoi se “Falë ligji të ri të arsimit të lartë mundësitë për të gjithë institucionet e arsimit të lartë për të qenë konkurrues, por edhe për t’u vlerësuar nga standardet, besoj se do të jetë një arene e re, ku studentët, pedagogët dhe grupet e interesit do të gjejnë tek universitetet një vlerë të shtuar.”

Konferenca që do mbahet në datat 21-23 prill dhe organizohet nga Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë Tiranë, Urdhrin e Farmacistit dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, etj. Konferenca Kombëtare e Shkencave Mjekësore 4 është e organizuar në 4 konferenca paralele, si për mjekësinë, infermierinë, mjekësinë dentare dhe për farmacinë.

Ky aktivitet vjen në edicionin e tij të katërt, ndërsa pjesë e konferencës do të jenë edhe lektorë nga Kosova, Maqedoni, Turqia, Italia dhe Gjermania.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme