Hamza Tusha, atëherë ishte një djalosh i ri që vuante një dënim në kampin e Vloçishtit. Atje kishte marrë vesh rastësisht, se në kampin e tyre po kalonte dënimin edhe një shkrimtar i madh. I kishin thënë se shkrimtari quhej Dhimitër Pasko. Kishte dëgjuar për të shumë rrëfime nën zë nga të tjerët, ndërsa vetë ende nuk kishte arritur ta njihte.

“Ajo ditë e ftohtë prilli, bëri që unë ta njihja nga afër, e në një mënyrë mjaft tragjike… – nis të tregojë burri i thinjur – Ndërsa punonim të gjithë aty në atë kamp, një kapter që quhej Skënder, thërret me të madhe që t’i sillnin atë shkrimtarin. Pastaj urdhëroi dy të tjerë që t’i hapnin një gropë të madhe mbi një metër e gjysmë të thellë”. Të burgosurit kanë parë me sy të habitur gjithë ç’kishte ndodhur në ato pak minuta, gjithë lëvizjet e shpejta të lopatave që nxirrnin dheun rreth gropës që merrte formë nga minuta në minutë. Më tej panë shkrimtarin që tërhiqej me forcë, se si e kanë zhveshur, se si e kanë plandosur më tej në gropën e thellë, ashtu të zhveshur lakuriq.

“Mbaj mend që atëherë ishte shumë ftohtë. Ishte ndoshta fillim prilli dhe koha ende nuk kishte nisur të ngrohej. Si e futën brenda në gropë, e mbuluan me plisat që kishin lënë rreth saj, derisa dheu i arriti deri tek mjekra… – shpjegon me hollësi bashkëvuajtësi i hershëm i shkrimtarit të madh – pastaj, vazhdon më tej ai – e lanë aty, të futur brenda në tokën e ftohtë e të lagësht afër kënetës së Maliqit. Si kaluan disa orë, atij filloi t’i ikë fytyra. Iu shtrembëruan nofullat dhe nuk nxirrte dot asnjë tingull nga goja. Ne të gjithë e shihnim, pa mundur të bënim asgjë. Të ktheje fjalë atëherë, sidomos në situata të tilla, ishte si ta kërkoje vdekjen me zor!!” – thotë Hamzai – “Atë kohë komandant kampi, ishte një i quajtur Tasi Marko. Në momentin që ai kishte ardhur për të thirrur të burgosurit, një shoku im që kisha në krah më thotë: “Sa keq, ky njeri që është groposur këtu është një shkrimtar i madh. Pse nuk i del komandantit përpara t’i tregosh (unë isha komandant i një brigade të vogël të burgosurish që udhëhiqja punën). Megjithëse kisha shumë frikë, e mora guximin dhe i dola përpara komandantit duke i thënë: “Kapter Skënderi ka futur një njeri të gjallë në dhe!”.