Kushtetuta e Kaçanikut ishte më e avancuar

Prishtinë | 09 Pri 2017 | 11:30 | Nga

Kushtetuta e Kaçanikut, e nxjerr nga delegatët e Kuvendit të Kosovës 27 vjet më parë, po sfidon Kushtetutën e Republikës së Kosovës të vitit 2008. Kushtetuta aktuale, sipas juristëve, ka kufizime dhe mangësi, të cilat nuk i kishte Kushtetuta e Kaçanikut.

Pakoja e Ahtisaarit paraqitet se është përcjellë në Kushtetutën e Kosovës në shumicën e amendamenteve duke krijuar veto për minoritetet, që i atribuohen disa pengesa në ecjen përpara të proceseve në vend.

Ish-kryesuesi i Kuvendit të Kosovës në vitin 1990 Ilaz Ramajli, ka thënë për “Zërin” se Kushtetuta e Republikës se Kosovës e nxjerrë më 7 shtator 1990 dhe amendamentet e saja të nxjerra në vitin 1991 janë nxjerrë në një kontest tjetër kohor në krahasim me Kushtetutën aktuale që e ka Kosova tani. Mirëpo, sipas tij, për kohën kur është nxjerrë ajo Kushtetutë (1990) ka qenë njëra nga kushtetutat më të përparuara në regjion.“Dhe pa dyshim ka shprehur vullnetin e popullit të Kosovës, veçanërisht me amendamentet e vitit 1991 kur definitivisht janë bërë ndryshimet në Kushtetutë, në të cilën është thënë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur”.

Ramajli thotë se Kushtetuta e Kaçanikut ishte vlerësuar dhe nga disa profesorë të Zagrebit, të cilët kishin theksuar se sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve është në përputhje me parimet bazë të Bashkimit Evropian në atë kohë.

“Kushtetuta e sotme është nxjerrë në kushte dhe rrethana historike krejt tjera. Procesit të pavarësisë i ka paraprirë Pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e re e Kosovës të cilën e kemi ka qenë e ndikuar shumë nga ajo Pako, shumë pjesë të së cilës janë transportuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që e kemi tani plotësisht dhe pa asnjë ndryshim”.

Kjo, siç thotë Ramajli, ka qenë kërkesë e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe kusht për njohjen e mëvonshme të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme