Çollaku: Paradoksale, e duam aq shumë liberalizimin, po refuzojmë ta plotësojmë kriterin e fundit

Prishtinë | 20 Dhj 2017 | 16:31 | Nga

Këshilltari kryesor i presidentit Thaçi, Bekim Çollaku thotë se ky vit nuk do të mbahet mend për ndonjë gjë të veçantë përpos zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale.

Çollaku në një intervistë për lajmi.net ka thënë se subjektiviteti ndërkombëtar i Republikës së Kosovës nuk forcohet vetëm nga vizitat jashtë vendit që i bën qoftë Presidenti apo udhëheqësit tjerë institucional.

Sipas tij, zhvillimet e brendshme në vend në aspektin e rritjes ekonomike, rritjes së mirëqenies së qytetarëve, sundimit të rendit dhe ligjit, përmirësimi i kualitetit të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore etj, janë faktorë kyç që ndikojnë në imazhin që mund të reflektoj shteti ynë në arenën ndërkombëtare.

Çollaku po ashtu ka thënë se prioritet i presidencës për vitin 2018 është përmbyllja e procesit të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave, ai thotë: “Izolimi i qytetarëve si pasoj e mungesës së liberalizimit të vizave, konsideroj se është dështimi më i madh dhe më i pajustifikuar i institucioneve të Republikës së Kosovës në dy vitet e fundit”.

INTERVISTA E PLOTË:

Z. Çollaku jemi në fund të vitit a mund te thoni si e vlerësoni këtë vit për Kosovën?

Nuk dua të bëj vlerësime personale për vitin që po përfundon. Mirëpo me vjen mirë që edhe ky vit përfundoj dhe shpresoj se tjetri që vjen do të jetë më i suksesshëm. Vlerësimet për punën e institucioneve duhet ti japin ata të cilëve ne iu shërbejmë, pra qytetarët e vendit. Ndërsa në rast se unë do të mund të hiqja kapelën e një zyrtari shtetëror dhe të mund të bëja vlerësime me kapelën e një qytetari të zakonshëm, sigurisht që do të kisha mendime të përziera. Ky vit nuk do të mbahet mend për ndonjë gjë të veçantë përpos zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale. Procesi zgjedhor ka konsumuar kohen dhe energjitë më të mëdha, duke lenë pak hapësirë për adresimin e prioriteteve tjera shtetërore. Prandaj, si qytetar do ta konsideroja si një vit nga i cili nuk kemi arritur të realizojmë pritjet tona. Pra, një vit pothuajse i humbur.

Cili ka qenë fokusi i Presidencës gjatë këtij viti?

Duke marrë në konsideratë detyrat dhe përgjegjësitë e Presidentit të Republikës, konsideroj se është bërë një punë e kënaqshme në përmbushjen e synimeve që kemi pasur gjatë këtij viti. Duke filluar që nga punët e përditshme e deri tek realizimi i prioriteteve shtetërore, Presidenti ka vazhduar të jetë iniciues dhe zbatues i shume çështjeve të interesit nacional. Kur flas për çështjet e interesit nacional, vlen të theksohet puna për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë, procesi i reformës zgjedhore, themelimi i komisionit për të vërtetën dhe pajtimin, fushata gjithëpërfshirëse për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK-t), udhëheqja me përgjegjësi e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përpjekjet për të themeluar Grupin e Unitetit si mekanizëm koncensual për të ndihmuar në përmbylljen e dialogut ndërmjet dy shteteve, etj.

Presidenti Thaçi gjatë vitit që po lëmë pas ka zhvilluar disa vizita jashtë vendit. Nga këto vizita sipas jush sa është forcuar subjektiviteti i vendit në arenën ndërkombëtare?

Natyrisht, Presidenti ka bërë me dhjetëra vizita bilaterale dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe forume të rëndësishme ndërkombëtare Por, subjektiviteti ndërkombëtar i Republikës së Kosovës nuk forcohet vetëm nga vizitat jashtë vendit që i bën qoftë Presidenti apo udhëheqësit tjerë institucional. Zhvillimet e brendshme në vend në aspektin e rritjes ekonomike, rritjes së mirëqenies së qytetarëve, sundimit të rendit dhe ligjit, përmirësimi i kualitetit të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore etj, janë faktorë kyç që ndikojnë në imazhin që mund të reflektoj shteti ynë në arenën ndërkombëtare. Në këtë aspekt, ka pasur progres i cili nuk duhet të mohohet. Mirëpo, potenciali i ynë, është shumë më i madh se kaq. Dhe unë, shpreh keqardhje pikërisht për mos realizimin e potencialit të shoqërisë dhe shtetit tonë. Pavarësisht kësaj, Kosova si shtet do të vazhdoj të konsolidohet dhe nuk mund të ketë kthim mbrapa. Mirëpo shpejtësia e konsolidimit varet nga përkushtimi i secilit shtetas të Republikës sonë.

Cilat janë prioritetet e Presidencës për vitin 2018?

Sigurisht që agjenda do të jetë e mbushur plotë me detyra të parashikuara dhe sfida të tjera të paparashikueshme. Ne do të vazhdojmë punën me përkushtim për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në përputhje me kushtetutën dhe ligjet tona. Mirëpo në rast se shikojmë aspektet simbolike, mund të veçoj përmbylljen e procesit të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës gjatë vitit 2018. Sigurisht, se prioritet shtetëror tjetër tepër i rëndësishëm të cilin do të vazhdoj të udhëheq me sukses Presidenti, mbetet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në planin e brendshëm ka shumë fusha ku Presidenti përveç që do të luaj rolin e tij kushtetues por ai do të vazhdoj të jetë edhe iniciues i shumë ideve dhe proceseve që synojnë ta bëjnë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar dhe me një imazh shumë më pozitiv në arenën ndërkombëtare.

Në vitin e ardhshëm Kosovën e presin sfida të reja, siç është edhe dialogu me Serbinë, i cili do të nisë në një format të ri. Çfarë pritet nga kjo fazë?

Ne e kemi bërë të qartë se kjo do të jetë faza përfundimtare e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndër-shtetërore, së paku për ne, nënkupton njohjen reciproke e cila pastaj mundëson realizimin e aspiratave për integrime euro-atlantike për të dy shtetet. Ky proces nuk pritet të jetë aspak i lehtë. Prandaj, është jetike që të ketë pjekuri politike tek të gjithë liderët tanë për të dhënë gjithë dijen dhe ndihmën e tyre në shërbim të këtij procesi.

Presidenti Hashim Thaçi ka propozuar që në këtë fazë të dialogut të ketë një përfshirje edhe të partive politike dhe shoqërisë civile. A mund të na thoni se kur do të nisë Presidenti takimet me këto palë që edhe ato të përfshihen në dialog?

Unë e konfirmoj se konsultimet e domosdoshme dhe të nevojshme për përfshirjen e partive politike dhe shoqërisë civile në ketë proces, ka një kohë të gjatë që kanë filluar. Këto konsultime janë duke u bërë aktualisht nëpërmjet kanaleve dhe takimeve kryesisht joformale. Mirëpo duke marrë në konsideratë se nga fillimi i vitit të ardhshëm pritet një dinamike e re në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, unë dua të besoj se brenda një periudhe optimale Presidenti do ta formoj edhe Grupin e Unitetit. Unë nuk e përjashtoj mundësinë, që fazës së re të dialogut, ti paraprij edhe një rezolutë e miratuar nga kuvendi i Kosovës e cila do të sqaronte parimet, pritjet dhe aspektet procedurale të kësaj faze përfundimtare të dialogut.

Pse e shihni të nevojshme që edhe partitë politike por edhe shoqëria civile të jenë pjesë e këtij dialogu?

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje prioritete e rëndësisë shtetërore. Si e tillë, kërkon konsensus sa me të gjerë të spektrit politik dhe shoqëror. Dhe fundja, koha ka dëshmuar se kur jemi të bashkuar jemi më të dijshëm, më të guximshëm dhe me të qartë në realizimin e qëllimeve tona shtetërore.

Z. Çollaku, Kosova ka marrë rekomandimin për heqje të vizave nga Komisioni Evropian në vitin 2015, në të cilën kohë ju keni qenë ministër i Integrimeve. Kjo çështje ende ka mbetur e pazgjidhur për shkak të mos ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Izolimi i qytetarëve si pasojë e mungesës së liberalizimit të vizave, konsideroj se është dështimi më i madh dhe më i pajustifikuar i institucioneve të Republikës së Kosovës në dy vitet e fundit. Kjo situatë është tepër dëshpëruese dhe është dashur të trajtohet me prioritet dhe përgjegjësi të lartë. Kjo nuk ka ndodhur dhe ajo çfarë kemi parë deri më tani nga ana e institucioneve tona shtetërore në rastin më të mirë, mund të konsiderohet si neglizhencë për të përfunduar kriterin e fundit të mbetur. Ne, respektivisht Kosova e ka humbur hapin dhe momentumin në këtë proces që një kohë të gjatë. Tani izolimi fatkeqësisht është kthyer në normalitet të përditshmërisë sonë. Pasojat më të mëdha sigurisht i vuajnë qytetarët e Kosovës duke mbetur të izoluar, por edhe udhëheqësit politikë dhe institucionalë në njërën anë, dhe në anën tjetër edhe BE-ja kanë humbur besimin e qytetarëve të Kosovës për dështimin në këtë proces. Liberalizimi i vizave është shndërruar në një dhuratë të shumëkërkuar nga qytetarët të cilën nuk po arrin ta sjellë dot në Kosovë babadimri. Tingëllon paradoksale, por ne e duam aq shumë liberalizimin e vizave dhe në të njëjtën kohë, po e refuzojmë atë duke mos plotësuar një kriter të fundit.

A po rrezikon Kosova që të humb mbështetjen e BE-së, duke mos ratifikuar demarkacionin?

Kosova është ajo e cila ka kërkuar liberalizimin e vizave nga BE-ja dhe jo anasjelltas. Prandaj brenda BE-së nuk ka presion kohor për këtë çështje dhe as mirëkuptim për të bërë ndonjë kompromisi me kriterin e fundit të mbetur. Për më tepër, edhe përpjekjet tona për të bërë krahasime me shtetet fqinje dhe të tjerat (p.sh Ukraina, Gjeorgjia) të cilave BE-ja iu ka hequr vizat, janë të kota. Prandaj, as që ia vlen të provojmë që ta akuzojmë BE-në për izolimin tonë, për derisa ne nuk e përmbushim këtë kriter të fundit të mbetur. Prandaj, çështja nuk është se a po rrezikojmë të humbim mbështetjen nga ana e BE-së, mirëpo a po rrezikojmë të humbim besimin tek qytetarët tanë? Padyshim se po, rrezikojmë të humbim këtë besim dhe sipas mendimit tim, tani më e kemi humbur.

Një çështje tjetër me prioritet për Kosovën është edhe formimi i Ushtrisë. Presidenti Thaçi është i kyçur drejtpërdrejt në këtë proces. A do ta ketë Kosova ushtrinë e saj brenda vitit 2018?

Nuk e kam as dyshim më të vogël se gjatë vitit 2018 ne do të arrijmë që me sukses të finalizojmë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Tani jemi në fazën krejtësisht përfundimtare të shterjes së përpjekjeve tona institucionale, që të bindim përfaqësuesit e komunitetit serb që të votojnë në favor të ndryshimeve kushtetuese. Kjo përpjekje ka qenë e domosdoshme dhe gjithashtu na ka ndihmuar që ta koordinojmë këtë proces me shtetet anëtare të NATO-s. Kështu që pavarësisht vonesave, objektivi mbetet i qartë dhe i sigurt. Askush nuk mund të përdorë veto apo bllokoj formimin e FAK-t në asnjë formë. Vitin tjetër Kosova do të këtë ushtrinë vet, ashtu si të gjitha shtetet tjera demokratike.

Kur prisni që Kosova të anëtarësohet në NATO?

Në rast se nuk ndodhin zhvillime të natyrës së tillë që mund të shkaktojnë termet në organizata ndërkombëtare siç është NATO apo BE-ja, unë konsideroj se procesi i anëtarësimit të Kosovës në NATO, por edhe në BE, nuk do të duhej të zgjatej më shumë se deri në vitin 2025. Ky nuk është thjesht një propozim hipotetik, mirëpo është i bazuar në skenarët e mundshëm realist dhe nënkupton progresin që shtetet aspirantë mund të arrijnë në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në këto dy organizata. Për me tepër, në rast se sot i kemi anëtare të NATO-s Shqipërinë dhe Malin e Zi, kurse deri në vitin 2023 pritet që Mali i Zi dhe Serbia të anëtarësohen në BE, atëherë nuk ka logjikë që për Kosovën procesi të jetë i pafund. Unë e kuptoj se procesi i anëtarësimit në BE dhe NATO bazohet në progresin që së cili shtet bën veç e veç në përmbushjen e kritereve të përcaktuara. Gjithashtu, jam i vetëdijshëm se disa nga shtetet aspirante për anëtarësim kanë bërë progres më të madh në këtë drejtim. Mirëpo për shumë arsye, unë mendoj se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit perëndimor në BE, duhet të bëhet nëpërmjet një vale të vetme të zgjerimit. Ky duhet të jetë një vendim tepër i rëndësishëm politik dhe strategjik që duhet të marrë BE-ja. Sepse vetëm kështu, do të sigurohet paqja e qëndrueshme në rajonin tonë, do të arrihej pajtimi ndërshtetëror dhe do të hiqeshin dilemat se rajoni ynë do të mund të rikthehet dhunës dhe konflikteve. Prandaj, shpresoj se brenda BE-së dhe tek shtetet anëtare të BE-së të ekzistoj një vullnet i tillë, dhe i njëjti të reflektohen në dokumentin për strategjinë e re për zgjerim, e cila do të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme