Hoyt Yee: Mbështesim çdo qeveri që e ka shumicën parlamentare

Prishtinë | 19 Kor 2017 | 10:25 | Nga

“Ne jemi të gatshëm dhe presim me padurim që të fillojmë të punojmë me qeverinë e re në Kosovë, për të realizuar atë që populli i Kosovës është përpjekur të arrijë për shumë vjet dhe që për fat të keq qeveria e fundit nuk ishte shumë e suksesshme për ta realizuar”, ka thënë zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se pas zgjedhjeve në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara presin nga qeveria e re të vazhdojë punën me reformat. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee bëri thirrje në një intervistë për Zërin e Amerikës, për vazhdimin e bashkëpunimit mes shumicës dhe opozitës, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.

Përsa i takon Kosovës, zoti Yee tha se Uashingtoni do të punojë me cilëndo qeveri që del nga procesi demokratik, por se partitë duhet të respektojnë shtetin ligjor dhe të mbajnë premtimet. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Yee foli edhe për perspektivën euro-atlantike të Ballkanit, rrezikun rus dhe premtoi se angazhimi amerikan në rajon do të vazhdojë.

Zëri i Amerikës: Zoti Yee, ju luajtët një rol kyç për të zhbllokuar situatën politike në Shqipëri. Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet dhe periudhën pas tyre?

Hoyt Yee: Faleminderit për intervistën dhe faleminderit për komplimentin. Më duhet të them që në fillim se në fakt ishin politikanët e Shqipërisë që zhbllokuan situatën politike që mund t’i kishte penguar zgjedhjet dhe përparimin, në rrugën transatlantike të Shqipërisë. Ishin gjithashtu përpjekjet e disa anëtarëve të Parlamentit Evropian, si Knut Fleckenstein dhe Dave McAllister, një numër ambsadash, përfshirë atë amerikane, që ndihmuan palët të arrinin një marrëveshje të kënaqshme që bëri të mundur zhvillimin e zgjedhjeve me pjesëmarrjen e të gjitha partive. Ne jemi shumë të kënaqur që populli shqiptar mori pjesë në zgjedhje që komuniteti ndërkombëtar i konsideroi në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare. Jemi të kënaqur të shohim shqiptarët të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, për të marrë pjesë në një proces demokratik të rëndësishëm. Sigurisht ne tani presim me padurim fazën e ardhshme, një qeveri të re që ne shpresojmë që të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur punën me reformat, veçanërisht reformën në drejtësi që do t’i jape mundësi vendit të shënojë edhe më shumë përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, drejt rritjes së mirëqenies dhe forcimit të ekonomisë dhe marrëdhënie më të forta me partnerët e Shqipërisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Si e shihni bashkëpunimin mes shumicës dhe opozitës tani pas zgjedhjeve, diçka që ishte parashikur në marrëveshjen mes tyre. Çfarë shpresoni të shihni?

Hoyt Yee: Së pari ne shpresojmë që të gjitha palët në Shqipëri të punojnë së bashku, qoftë partia në pushtet, ose opozita, për të mirën e qytetarëve, të bëjnë atë që ne mendojmë se duan qytetarët e Shqipërisë, që është përparimi për një ekonomi më të fortë, një ekonomi që të tërheqë investimet, qoftë nga brenda ashtu edhe nga kompani të huaja, qoftë nga Evropa ose Amerika. Palët duhet të punojnë fort për të krijuar mundësi për të rinjtë, si në arsim, në punësim, që të rinjtë të duan të qëndrojnë në vend, dhe jo të kenë tundimin që të ikin nga Shqipëria. Duam që palët të punojnë më shumë për të luftuar korrupsionin, të çrrënjosin korrupsionin mes zyrtarëve, të luftojnë më fort kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve, të gjitha këto ne mendojmë se janë çështjet më shqetësuese për qytetarët e Shqipërisë. Ne synojmë të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë, me të gjitha palët që duan të punojnë me ne, që të ndihmojmë me disa nga objektivat që sapo përmenda. Ne duam të shohim përparim të mëtejshëm në të gjitha fushat në të cilat ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme, përfshirë reformën në drejtësi, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve.

Zëri i Amerikës: A do të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara me ekspertë në reformën në drejtësi? Çfarë roli do të keni?

Hoyt Yee: Ne kemi synim të vazhdojmë me mbështetjen që kemi dhënë, përmes ambasadës, përmes agjencive të ndryshme përfshirë USAID-in, për të dhënë ekspertizë teknike, për të këshilluar, për forcimin e institucioneve, për të ndihmuar me krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit për shembull, për të ndihmuar me procesin e vetingut që ne shpresojmë të fillojë në vjeshtë. Ne synojmë të luajmë rolin që u kemi premtuar partnerëve tanë në qeveri dhe në partitë politike. Aty ku ata duan që ne t’i ndihmojmë, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë, jo vetëm me fjalë, por me veprime dhe ekspertizën tonë. Ajo që duam ne të shohim prej tyre, është punë intensive, qëllimet e tyre serioze dhe përpjekjet e sinqerta për të bërë detyrën e tyre si udhëheqës politikë, që do t’u tregojnë rrugën qytetarëve, të miratojnë dhe zbatojnë legjislacionin për reforma dhe që të japin prova që njerëzit në Bashkimin Evropian dhe më gjerë ta kuptojnë që Shqipëria është e angazhuar 100 për qind që të integrohet në institucionet euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Ju flisni për vullnetin e politikanëve për të bërë atë që kanë premtuar, si të kyejnë reforma dhe të përmirësojnë klimën politike në vend. Fakti është që Partia Socialiste fitoi mjaft vende në parlament sa të qeverisë vetë. Duke pasur parasysh klimën e ashpër politike që ka mbizotëruar në Shqipëri, a mendoni se përpjekjet më të mëdha për hapje dhe bashkëpunim duhet t’i bërë shumica dhe kryeministri Rama, veçanërisht tani që ai i ka më shumë mundësitë që të bëjë atë që do politikisht?

Hoyt Yee: Nuk ka dyshim që udhëheqësi i shumicës në çdo vend ka përgjegjësi të veçanta, duke pasur mundësinë të miratojë lidhje dhe reforma. Por sigurisht në çdo demokraci, i takon si partisë ose koalicionit në pushtet që së bashku me opozitën të gjejnë zgjidhje, që të jenë të pëlqyera dhe të pranueshme nga shumica e qytetarëve, çka do të thotë se është e rëndësishme për shumicën të punojë me parti të tjera që nuk janë në shumicë ose në koalicionin e shumicës, që të gjejnë zgjidhje që të jenë të pranueshme për të gjithë, ose për një pjesë sa më të madhe të popullsisë që të jetë e mundur. Që mbështetja e publikut të jetë e fortë sa ç’duhet, në mënyrë që reformat jo vetëm të votohen por edhe të zbatohen me mbështetjen e plotë të qytetarëve, është e rëndësishme të opozita të luajë rolin e saj në çdo demokraci, që është të ushtrojë trysni ndaj shumicës për të gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme. Në vendin tim, si edhe në demokracitë evropiane është gjithmonë e rëndësishme që një qeveri e fortë të ketë një opozitë të fortë. Pa një opozitë të fortë, pa konkurrencë, në shumë raste nuk ka nxitje të mjaftueshme për të gjetur përgjigjet më të mira të mundshme. Prandaj edhe opozita ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, nuk mundet thjesht të rrijë e mënjanuar dhe të lërë shumicën të bëjë gjithçka. Shumica duhet të zgjasë dorën dhe ne besojmë se është e rëndësishme që shumica të jetë përfshirëse, të gjejë mënyra për ta përfshirë opozitën të luajë rolin e saj tradicional, por është e rëndësishme gjithashtu që opozita të mos dalë gjithmonë vetëm me ankesa dhe kritika, por të dalë me ide alternative, opsione për ato që propozon pala në pushtet. Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë. Në çdo demokraci është e rëndësishme që partia në pushtet dhe opozita të luajnë rolin e tyre, që është të ndihmojnë vendin të ecë përpara.

Zëri i Amerikës: Në Shtetet e Bashkuara, ka pasur raste kur Presidenti (kreu i qeverisë) për të treguar hapje apo përfshirje, ka zgjedhur anëtarë qeverie nga opozita. A shihni ndonjë mundësi që kjo të ndodhë në Shqipëri dhe a mendoni se një gjë e tillë do të ndihmonte për të krijuar një klimë besimi dhe për të përfshirë opozitën në vendimmarrje?

Hoyt Yee: I takon kryeministrit dhe qeverisë ta marrin vendim se cilët individë do të përfshihen në qeveri, në të gjitha nivelet. Por sigurisht ne shpresojmë që të ketë një qëndrim përfshirës, që qeveria të bëjë përpjekje të punojë me opozitën dhe pale të tjera që nuk janë në partinë ose koalicionin në pushtet, në mënyrë që të gjejë një mënyrë për të arritur konsensus të mjaftueshëm në vendime të rëndësishme. A bëhet kjo me emërime apo përmes dialogut normal politik, me kompromise, me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, ka shumë mënyra për të arritur konsensus. Ajo që është e rëndësishme është që shumica, ashtu edhe opozita ta shikojnë punën që e pret Shqipërinë në frymën e bashkëpunimit, në frymën e vendosjes së interesave të qytetarëve të vendit, mbi interesat politike, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet që do të ndihmojnë vendin, jo vetëm patrtitë politike. Pra ndërsa ne do të jemi të hapur të bashkëpunojmë cilado qoftë përmbajtja e qeverisë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 25 qershorit, ne duam të shohim që partitë politike të punojnë për zgjidhje konstruktive për të çuar përpara reformat. Ne besojmë se qëllimi i çdo lloj kompromisi, duhet të jetë realizimi i reformave, të shënohet përparim drejt synimit për t’u futur në Bashkimin Evropian, për integrimin e mëtejshëm evropian.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka arsye për t’u shqetësuar nga dinamika e marrëdhënieve të tensionuara mes Kryeminstrit dhe Presidentit të zgjedhur Ilir Meta, përsa i takon marrëdhënies së ardhshme institucionale?

Hoyt Yee: Në shumë demokraci është normale të ketë pikëpamje të ndryshme, edhe acarime dhe mosmarrëveshje mes udhëheqësve të partive të ndryshme, edhe nëse janë në të njëjtën qeveri, apo nëse po punojnë së bashku në struktura shtetërore, që u duhet të bashkëpunojnë në nivel institucional. Kjo është natyra e politikës. Ajo që presim ne është që udhëheqësit të bëjnë përpjekjet maksimale që të gjejnë zgjidhje, edhe nëse nisen nga pikëpamje të ndryshme. Mund të kenë qëndrime apo interesa të ndryshme politike, por e mira e Shqipërisë, interesat e popullit nuk duhet të jenë subjekt i debatit politik, apo grindjeve politike mes udhëheqësve apo partive. Ne presim që të ketë diskutime dhe debate të forta mes udhëheqësve të Shqipërisë, por në fund të fundit ajo që inkurajojmë ne, ajo që ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë të bëjnë, është gjetja e zgjidhjeve, përgjigjeve, gjetja e kompromiseve që të ulin korrupsionin dhe të rrisin interesin për Shqipërinë si destinacion për investime, që do të ulnin rrezikun e ekstremizmit dhe të godasin trafikimin e paligjshëm të narkotikëve dhe krimin e organizuar.

Zëri i Amerikës: Kalojmë tek Kosova. Ambasadat e pesë vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të bashkëpunojnë me çdo qeveri të formuar ligjërisht dhe që punon në interesin e vendit dhe çon përpara reformat për integrimin euro-atlantik. Ai ishte kjo deklaratë një sinjal për institucionet dhe parlamentin që të përshpejtojnë hapat në procesin e përcaktimit të qeverisë së ardhshme?

Hoyt Yee: Mendoj se mesazhi i pesëshes, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ishte se ne jemi të gatshëm dhe presim me padurim që të fillojmë të punojmë me qeverinë e re në Kosovë, për të realizuar atë që populli i Kosovës është përpjekur të arrijë për shumë vjet dhe që për fat të keq qeveria e fundit nuk ishte shumë e suksesshme për ta realizuar: bëhet fjalë për përparim të vërtetë, veçanërisht në fushën e ekonomisë, në luftën ndaj korrupsionit dhe në drejtim të krijimit të një ambienti ku bizneset të zhvillohen në Kosovë dhe ku vendi të bëjë përparim drejt integrimit të mëtejshëm me Evropën, si për shembull udhëtimi pa viza. Të gjitha këto ishin të realizueshme gjatë qeverisjes së kaluar dhe për fat të keq nuk u arritën. Prandaj ne duam që t’i përcjellim një sinjal sa më herët, cilësdo qeverie që do të vijë në pushtet që ne Shtetet e Bashkuara, përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo qeveri që është legjitime, që ka të njëjtat vlera dhe objektiva bazë si ne, që janë të njohura, përfshirë integrimin, forcimin e ekonomisë, më shumë vende pune për të rinjtë, pakësimin e korrupsionit. Ne jemi të gatshëm të fillojmë të punojmë për të gjitha këto synime. Sigurisht që ne presim një partneritet të sinqertë mes qeverisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Me kemi detyrimin që të ndihmojmë qeverinë e Kosovës, për të realizuar reformat e nevojshme, ndërsa qeveria e Kosovës ka detyrimin të jetë serioze, dhe disa herë e guximshme, një qeveri e përgjegjshme që është sinqerisht e përkushtuar për të luftuar korrupsionin dhe për të shënuar përparim dhe jo thjesht të shkaktojë vonesa, ngecje dhe të luajë lojra politike, por të jetë serioze për të hedhur disa hapa konkretë drejt objektivave të popullit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Vetëvendosja si parti, ka fituar më shumë vota se çdo parti tjetër. Ju flisni për bashkëpunim me një qeverisje që ndan vlerat tuaja, por Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar ashpër Vetëvendosjen në të kaluarën. A do të pranonit një qeveri me pjesëmarrjen e Vetëvendosjes?

Hoyt Yee: Siç e thashë ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo qeveri të ligjshme, që del nga procesi demokratik në Kosovë, ose në çdo vend tjetër në Evropë. Ne nuk zgjedhim partitë ose udhëheqësit. Kjo i takon popullit që shpreh vullnetin politik përmes zgjedhjeve. Janë Vetëvendosja ose partitë e tjera përgjegjëse për të gjetur konsensusin e nevojshëm që të kenë shumicën e nevojshme në parlament, që të mund të funksionojnë si qeveri. Ajo që ne kërkojmë është që qeveria e re dhe partitë që përbëjnë atë qeveri, si edhe partitë e opozitës të plotësojnë detyrimet e tyre të partneritetit. Pra nëse ne japim ndihmën që kanë kërkuar palët në Kosovë, ne do ta bëjmë pjesën tonë. Por ne presim që edhe palët atje të bëjnë pjesën e tyre, që do të thotë respektimi i shtetit ligjor, çka do të thotë jo gaz lotsjellës, jo dhunë në parlament –diçka e papranueshme nga çdo demokraci në Evropë, do të thotë të mbajnë premtimet. Pra jo të na thonë që do të bëjnë disa reforma dhe pastaj të mos ta plotësojnë atë premtim, do të thotë gjithashtu ta luftojnë pa rezerva korrupsionin, jo të shprehen se janë kundër korrupsionit dhe nga ana tjetër të mbajnë zyrtarë të korruptuar në qeveri. Nëse partitë në koalicionin qeveritar në qeverinë e re, bëjnë pjesën e tyre, plotësojnë pritshmëritë tona që ne i kemi shprehur prej kohësh, ne do të bëjmë pjesën tonë, dhe do ta mbështesim atë qeveri.

Zëri i Amerikës: Sa i shqetësuar jeni ju për përpjekjet e Rusisë për ndikim në Ballkan dhe në një kohë kur buxheti i propozuar nga administrata për Departamentin e Shtetit ka shkurtime të thella, a ka arsye për shqetësim për pakësimin e angazhimit në rajon, në këto kushte?

Hoyt Yee: Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një angazhim të palëkundur në Ballkanin Perëndimor dhe ka pasur disa raste kur kjo është rikonfirmuar që kur administrata e re e Presidentit Trump filloi mandatin, përfshirë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për hyrjen e Malit të Zi në NATO. Takimi muajin e ardhshëm i nënpresidentit Pence me udhëheqës të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë; takimi i sotëm mes nënpresidentit Pence dhe presidentit serb Vuçiç; angazhimi i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara siç e përmendët në fillim në Shqipëri, si edhe në Maqedoni dhe Kosovë, ku ne kemi luajtur një rol aktiv, duke ndihmuar ato vende që t’u afrohen më shumë objektivat e tyre. Sigurisht ne nuk i kemi zgjidhur të gjitha problemet, por në çdo vend ku ka disa sfida dhe besoj se kjo vlen për pjesën më të madhe të Ballkanit, mund të shohësh ambasadat amerikane të luajnë një rol të rëndësishëm, mund të shohësh Departamentin e Shtetit të luajë një rol të rëndësishëm, të jape ndihmë dhe këshilla dhe kjo do të vazhdojë. Në dëshminë e tij, Sekretari Tillerson tha se është shumë i interesuar për Ballkanin dhe se do të bëjë edhe më shumë në Ballkan nëse është e mundur. Administrata aktuale e ka shprehur shpesh përkushtimin ndaj stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies në Ballkan dhe kjo do të vazhdojë. Do të thoja gjithashtu se politika amerikane në Ballkanin Perëndimor mbështetet tek interesat amerikane. Është pa diskutim në interesin e Shteteve të Bashkuara dhe ka qenë kështu të paktën në dy dekadat e fundit, për një Ballkan që ecën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në shumicën e rasteve edhe NATO. Kjo është pa dyshim në interesin amerikan dhe për këtë arsye, politika amerikane ka qenë e qëndrueshme gjatë disa administrative, si demokratike ashtu edhe republikane dhe besoj se do të vazhdojë.

Për sa i takon Rusisë besoj se e keni dëgjuar shumë herë nga udhëheqësit e kësaj administrate se Shtetet e Bashkuara duan të gjejnë fusha interesi të ndërsjelltë për të punuar me Rusinë. Aty ku interesat tona përputhen, ne do të përpiqemi të punojmë së bashku, nga afër me Rusinë, si për shembull në drejtimin e kundërterrorizmit. Por aty ku Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë dakord, aty ku jemi në kampe të ndryshme, Shtetet e Bashkuara, ashtu siç ka thënë Sekretari Tillerson, siç ka thënë nënpresidenti Pence, do të mbrojnë interesat dhe vlerat e veta dhe të aleatëve të tyre me shumë vendosmëri. Dhe ne këtë po bëjmë.

Ne nuk duam të ekzagjerojmë seriozitetin e ndërhyrjes së Rusisë në Ballkanin Perëndimor por në të njëjtën kohë ne mendojmë se është e rëndësishme të jemi vigjilentë. Rasti i Malit të Zi për shembull duhet të shqetësojë çdo demokraci në Evropë. Që nëse Rusia, siç tregojnë të gjitha të dhënat, nuk heziton jo vetëm të ndërhyjë në zgjedhje, por të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të një vendi, një vendi që sapo u bë anëtar i NATO-s, atëherë vendet e tjera të Ballkanit duhet të jenë shumë të kujdesshme, duhet të ndjekin me vëmendje se ç’bën Rusia dhe edhe ne po bëjmë të njëjtën gjë: jemi vigjilentë, po marrim masa aty ku mundemi që të forcojmë vendet e Ballkanit Perëndimor, përballë ndikimeve me synime keqdashëse, qoftë nga Rusia apo faktorë të tjerë, që të sigurohemi që të mos jetë e lehtë për Rusinë apo aktorë të tjerë, që të ushtrojnë ndikim me instrumenta keqdashëse në politikën e jashtme ose të brendshme të vendeve të Ballkanit. Ajo që mendoj se është e rëndësishme dhe e kemi parë këtë të demonstruar në vitet e kaluara, përfshirë në Shqipëri: Vendet që kanë vullnetin të marrin vendime të vështira, të bëjnë sakrifica, reformat, ato vende janë në gjendje të integrohen në Evropë dhe në aleancën e NATO-s. Vendet që kanë kurajon e duhur, që kanë udhëheqjen e duhur, që kanë vullnetit politik që të ndjekin rrugën e duhur, janë të suksesshme dhe ne duam të sigurohemi që ai parim të mos ndryshojë, që vendet në Ballkanin Perënidmor dhe gjithë Evropën, duhet të kenë të drejtën të zgjedhin rrugën e vet përsa i takon sigurisë, duhet të kenë të drejtën të zgjedhin të ardhmen e tyre, pa veton e ndonjë vendi tjetër dhe ky besoj se ka qenë një nga sukseset që NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë qenë në gjendje të arrijnë dhe kjo është që janë në gjendje të zgjedhin rrugën e tyre. Ata kanë nevojë për mbështetjen tonë, ne e kupojmë dhe synojmë që ta japim plotësisht atë mbështetje por nga ana tjetër ne duam të shohim vullnetin politik, rezistencën ndaj korrupsionit, angazhimin për t’u fokusuar tek zgjidhjet dhe jo tek lojrat politike. Nëse kemi këtë partneritet të sinqertë nga të dyja anët, atëherë unë besoj se do të jemi të suksesshëm.

Zëri i Amerikës: Ju keni thënë se vendeve të Ballkanit do t’u duheshin 30 vjet që të jenë gati për të hyrë në Bashkimin Evropian. Çfarë donit të thonit me këtë?

Hoyt Yee: Ajo që thashë saktësisht ishte se ritmi aktual i rritjes ekonomike që është 3-4 për qind në shumicën e rasteve në vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk është i mjaftueshëm për t’i sjellë këto vende në nivelet e mesatares së ekonomisë apo të ardhurave të Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, me ritmin e tanishëm do të duheshin disa dekada që të arrihej i njëjti nivel i vendeve të BE-së. Edhe nëse arrijnë në 6 për qind – dhe kjo nuk bazohet në studime amerikane por tek studimet e BERZH-it dhe Bankës Botërore – do t’u duheshin dekada të arrinin mesataren e BE-së. Kjo nuk do të thotë që nuk do të jenë në gjendje të anëtarësohen para 30 vjetëve me nivelin aktual të rritjes. Është ende e mundur dhe i takon Bashkimit Evropian të vendosë. Por mesazhi im për vendet e Ballkanit Perëndimor është se duhet t’i ndërmarrin këto reforma, qofshin e ekonomike, ose politike me një ndjesi më të madhe urgjence. Ndërsa 3, 4, 5 për qind janë ritme të larta rritjeje krahasuar me demokraci të konsoliduara përfshirë vendin tim, nuk është e mjaftueshme për të arritur synimet që shumë nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, thonë se duan të arrijnë përsa i takon anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prandaj mendoj se së pari dhe mbi të gjitha është përgjegjësia e udhëheqësve, e qeverive të vendeve të Ballkanit që ta kuptojnë se ka një afat gjatë së cilës shpresojmë të ketë një shteg mundësie për t’u futur në Bashkimin Evropian, por çdo vit që kalon kur nuk ka përparim në reformat e nevojshme si politike edhe ekonomike, është një shans i humbur dhe pastaj do të duhet më shumë kohë për të hyrë në Bashkimin Evropian nëse këto reforma nuk bëhen tani. Është gjithashtu përgjegjësia jonë të mbështesim reformat, që të japim ndihmë dhe këshilla. Mendoj gjithashtu se duhet të jemi gjithashtu të drejtpërdrejtë dhe kjo është pjesë e mesazhit tim: që ka shumë punë për të bërë dhe as nuk e fshehim dot, as nuk e bëjmë dot më të lehtë, ka shumë reforma që duhen të realizohen dhe ka që tani një lloj lodhje me reformat në Ballkanin Perëndimor, ne e kuptojmë. Ka vite që këto vende po punojnë me intensitet për t’i arritur këto reforma, por procesi i reformave duhet të vazhdojë: nuk ka hapësirë për vetëkënaqësi, nuk ka vend për të pushuar mbi dafina, për t’u kënaqur me arritjet megjithëse ka pasur hapa të rëndësishëm përpara. Nëse vendet e Bashkimit Evropain duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian në të ardhmen e afërt, mesazhi im nuk është që është e pamundur, apo se do duhen 30 vjet. Mesazhi është se ritmi me të cilin kjo bëhet, procesi i integrimit është në duart e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe sigurisht të Bashkimit Evropian. Por para së gjithash varet nga qeveritë përgjegjëse për realizimin e reformave. E dime që është e vështirë, por ata duhet të vazhdojnë dhe të punojnë më me shpejtësi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme