Kelmendi: Procesi ndaj Haradinajt është politik

Prishtinë | 12 Shk 2017 | 17:39 | Nga

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Muhamet Kelmendi, e ka kritikuar veprimin e Gjykatës së Apelit në Colmar të Francës, e cila e ka shtyrë vendimin për lirimin e ish- kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një intervistë për Epokën e Re, Kelmendi ka thënë se zvarritja e vendimit për lirimin e liderit të AAK-së është veprim politik dhe i pabazuar juridikisht. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kelmendi ka thënë se shteti i Francës po vepron në bazë të interesave të tjera në këtë proces. “Gjykata e Colmarit në Francë po vepron në bazë të një akuze të Serbisë e cila nuk është shkruar në bazë të rregullave ligjore, qoftë të shtetit të Francës, qoftë të akteve ndërkombëtare, apo Konventës Evropiane mbi Ekstradimin. Pra, kjo gjykatë nuk po vepron në bazë të këtyre rregullave, por në bazë të raporteve të tjera dhe interesave të tjera, të cilat më tepër kalojnë te fusha politike sesa ajo juridike”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka deklaruar se çështjet që i kanë gjykuar gjykatat ndërkombëtare nuk mund të jenë objekt gjykimi nga gjykatat nacionale. “Duke u nisur nga fakti se nuk kemi të bëjmë me çështje juridike, sepse as në aspektin juridik të ligjeve të brendshme të Francës mbi të cilat duhet të veprojë gjykata e Colmarit dhe as me Konventën Evropiane mbi Ekstradimin, ky veprim nuk ka të bëjë me drejtësi. Për këtë rast është dhënë përgjegjësi njëherë nga një gjykatë ndërkombëtare, pjesë e së cilës ka qenë edhe Franca”, është shprehur Kelmendi. Sipas tij, meqenëse rasti ka kaluar kufijtë juridikë, është koha që institucionet e Kosovës të reagojnë në këtë drejtim. “Kur nuk kemi të bëjmë me drejtësi, arsyeja është politike. Prandaj, në këtë rast i takon Qeverisë së Kosovës që në këtë drejtim të interesohet më tepër që të marrë masa më të rrepta kundruall shtetit të Francës, sepse kemi të bëjmë me dy shtete sovrane dhe të pavarura, që e kanë njohur njëra-tjetrën”, ka thënë Kelmendi, duke shtuar se ambasadori francez në Prishtinë duhet të thirret dhe që nëpërmjet tij të kërkohet që shteti i Francës ta respektojë Republikën e Kosovës.

Gjykata e Apelit në Colmar të Francës e ka shtyrë për tri javë vendimin për liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Si profesor i së Drejtës, si do ta vlerësonit këtë veprim të drejtësisë franceze?
Kelmendi: Mendoj se Gjykata e Colmarit në Francë po vepron në bazë të një akuze të Serbisë e cila nuk është shkruar në bazë të rregullave ligjore, qoftë të shtetit të Francës, qoftë të akteve ndërkombëtare apo Konventës Evropiane mbi Ekstradimin. Pra, kjo gjykatë nuk po vepron në bazë të këtyre rregullave, por në bazë të raporteve të tjera dhe interesave të tjera, të cilat më tepër kalojnë te fusha politike sesa ajo juridike. Edhe në aspektin juridik kemi të bëjmë me një akuzë të cilën e ka shqyrtuar Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ndërsa, në anën tjetër, kemi të bëjmë me një ligj të brendshëm në Francë, ku vetë Franca e ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Franca e di se për të ardhur deri këtu janë dashur lufta çlirimtare dhe intervenimi i NATO-s. Pra, edhe sipas ligjit të brendshëm të Francës dhe ligjeve të Kosovës është një vendim që nuk e ka peshën juridike, por atë politike. Për këtë duhen vendime krejtësisht të tjera.

Pse mendoni se Franca po e zvarrit këtë vendim?
Kelmendi: Duke u nisur nga fakti se nuk kemi të bëjmë me çështje juridike, sepse as në aspektin juridik të ligjeve të brendshme të Francës mbi të cilat duhet të veprojë gjykata e Colmarit dhe as me Konventën Evropiane mbi Ekstradimin, ky veprim nuk ka të bëjë me drejtësi. Për këtë rast është dhënë përgjegjësi njëherë nga një gjykatë ndërkombëtare, pjesë e së cilës ka qenë edhe Franca. Kur nuk kemi të bëjmë me drejtësi, arsyeja është politike. Prandaj, në këtë rast i takon Qeverisë së Kosovës që në këtë drejtim të interesohet më tepër që të marrë masa më të rrepta kundruall shtetit të Francës, sepse kemi të bëjmë me dy shtete sovrane dhe të pavarura që e kanë njohur njëra-tjetrën.

Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës në këtë rast?
Kelmendi: Ministrat e jashtëm, ministrat e drejtësisë dhe ata të punëve të brendshme të të dyja vendeve duhet të bien në kontakt me njëri-tjetrin, po ashtu edhe presidenca duhet të bjerë në kontakt dhe të kërkohen veprime konkrete në drejtim të heqjes së veprimeve të tilla, të cilat, për mendimin tim, kanë karakter politik. Në aspektin juridik nuk shoh ndonjë bazë që z. Haradinaj duhej të ndalej qysh në fillim nga autoritetet franceze e lëre më të vazhdohet me këto shtyrje të panevojshme. Pra, kemi të bëjmë me një veprim politik që Parisi më së miri e njeh. Mendoj se situata në përgjithësi në Evropë është në lëvizje pas ardhjes së Trumpit në pushtet. Kemi lëvizje të mëdha në fushën e raporteve ndërshtetërore në kohën kur BE-ja është duke rrëshqitur në drejtim të dëmtimit dhe, ndoshta, në një të ardhme edhe të shuarjes. Po ashtu, NATO-ja është në pikëpyetje. Pra, kemi të bëjmë me një fazë ku po krijohen raportet e reja midis shteteve që, për mendimin tim, janë raporte të reja historike tradicionale që shkojnë në të kaluarën 200-vjeçare. Besoj se në këtë mënyrë duhet kërkuar edhe bazën e veprimit të tillë politik, me të cilin është duke e marrë gjykata e Colmarit kundër Ramush Haradinajt.

Arsyetimi i kësaj gjykate për shtyrjen e vendimit ka qenë se i duhet ende kohë ta shqyrtojë dosjen e sjell nga Serbia. Mendoni se Serbia është duke e mbajtur peng drejtësinë franceze?
Kelmendi: Franca nuk është pengë e Serbisë, por është udhëheqëse e punëve të tilla. Siç potencova më herët, kemi të bëjmë me raporte të vjetra. Gjykata e Colmarit nuk ka nevojë të merret me raste të tilla ngaqë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është marrë 10 vjet me rastin e Ramush Haradinajt, në të cilin proces ka pasur qindra dëshmitarë dhe prova. Juristët më të shquar ndërkombëtarë të emëruar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pjesë e të cilit ka qenë edhe Franca, kanë ardhur në përfundim se Ramush Haradinaj është i pafajshëm për të gjitha ato akuza. Tani po na vjen një gjykatë e Colmarit, një gjykatë provinciale dhe po i duhet tri javë për t’i analizuar ato prova që për dhjetë vjet i ka gjykuar, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Kjo është qesharake, për mendimin tim, në aspektin juridik. Mendoj se këtu nuk është Franca peng e Serbisë, por Franca është udhëheqëse e raporteve, të cilat është duke u përpjekur t’i konsolidojë raportet e vjetra 200-vjeçare. Nga historia i njohim shumë mirë pozicionet e Francës në Kongresin e Berlinit, Konferencën e Londrës, Konferencën e Versajës, gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë bombardimeve të NATO-s e kështu me radhë. Pastaj, i dimë pozicionet e Francës sa i përket veriut të Kosovës. Pra, kemi të bëjmë me një veprim të Parisit, i cili është duke punuar në dy binarë: për ta ruajtur BE-në me Gjermaninë, Italinë, Austrinë dhe vendet e tjera të BE-së dhe në binarin tjetër, të futjes në veprim të raporteve të vjetra, që Franca i ka pasur në të kaluarën me disa shtete Ballkanike dhe Rusinë.

Franca ka qenë aleate e Kosovës, duke qenë ndër vendet e para që e ka njohur shpalljen e pavarësisë. Veprimit e tilla mund t’i dëmtojnë marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve?
Kelmendi: Njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Franca ka qenë një veprim i domosdoshëm. Mendoj se Franca ka qenë e detyruar për një veprim të tillë jo pse e ka dashur aq shumë Kosovën. Këtu po dua të dal jashtë çështjes së Ramushit. Në vitin 1998, para se të vihej deri te bombardimi i NATO-s, kur janë ndarë pesë zonat në kuadër të Kosovës, veriu i Kosovës që tash është problematik, ishte përcaktuar të jetë nën kontrollin e ShBA-së, por për të ardhur deri te kjo, që të bombardohet në emër të NATO-s, ShBA-ja është dashur të heqë dorë nga pozicioni i tillë dhe t’i hapë rrugë Francës që ta kontrollojë këtë pjesë. Në këtë mënyrë, mendoj se Franca asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përcaktimet e saj politike që i ka pasur në të kaluarën dhe raportet e mira që i ka pasur me Beogradin, me Athinën dhe me vendet e tjera. Kështu që, raportet nuk është se kanë qenë shumë të mira në mes të Prishtinës dhe Parisit. Ato kanë qenë raporte normale dhe raporte të respektimit reciprok të njëri-tjetrit. Pra, nuk kemi ndonjë punë të madhe të Parisit në drejtim të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet ta ftojë ambasadorin francez në Prishtinë dhe përmes tij të kërkojë që shteti i Francës të ketë konsiderata ndaj Kosovës dhe t’i ruajë raportet normale që kanë pasur deri më tani. Në këtë drejtim Kosovës i duhet të veprojë në dy drejtime: veprimi i Qeverisë së Kosovës në raportet me Francën dhe vazhdimi i protestave brenda dhe jashtë vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme