Limani: Kosova t’i bëjë bllokadë ekonomike Serbisë

Prishtinë | 05 Mar 2017 | 09:05 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Marrëdhëniet ekonomike me Serbinë duhet të ndërpriten, për shkak se kjo e fundit vazhdon të lobojë anë e mbanë botës me të gjitha instrumentet e saja kundër Kosovës. Por, jo vetëm kaq me këtë shtet duhet të ndërpriten edhe bisedimet politike.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online, profesori i ekonomisë Musa Limani. Ai madje, ka thënë që Serbisë duhet t’i bëhet bllokadë ekonomike.

“Duhet t’i bëhet bllokadë ekonomike Serbisë për arsye se ajo edhe përreth dëshirës dhe synimeve të Kosovës që të krijojë një atmosferë të përmirësimit të marrëdhënieve diplomatike me Serbinë ajo lobon anë e mbanë botës përmes të gjitha instrumenteve të saja kundër Kosovës, prandaj në këtë rast unë mendoj se duhet të ndërpriten edhe transaksionet përkatësisht marrëdhëniet ekonomike me Serbinë”, ka thënë ai.

Limani ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të marrë vendim në nivel institucional, dhe të bëjë një analizë ekonomike. Kjo për shkak që të hulumtohen tregjet për të gjitha mallrat që importon Kosova. Kjo sipas tij, duhet të ndodhë për shkak se tregu i Kosovës nuk guxon të mbetet pa të mira materiale pasi që janë konsumatorët që i kërkojnë këto të fundit.

Duke folur për Ligjin për Trepçën, ai ka thënë mosaktivizimi i “Trepçës” për 17 vjet pas luftës i ka sjell dëme të mëdha vendit në zhvillimin ekonomik.

“Trepça” ka qenë bartëse e zhvillimit ekonomik të Kosovës, ka paraqitur një pol të zhvillimit ekonomik dhe për çështje politike do të thosha për neglizhencë të Qeverisë së Kosovës “Trepça” ka mbetur ka 16 vjet apo 17 vjet pa aktivizuar paraqet një zbrazëti dhe një faktor shumë të dëmshëm, në realitet një element të dëmshëm për ngecjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës…”, ka thënë ai, duke theksuar se çdo vonesë e mosaktivizimit të saj do të paraqet problem në vete.

Ndërsa, duke folur procesin e privatizimit në Kosovë, Limani ka theksuar se është dështim, i cili është bërë pa ndonjë analizë ekonomike dhe politike.

“Ka bërë plaçkitjen më të madhe të ekonomisë së Kosovës dhe të popullatës së vendit tonë, dhe përmes procesit të privatizimit unë duke ditur efektet e procesit të privatizimit mund të konstatojë se privatizimi është dështim dhe është zbatuar pa ndonjë analizë ekonomike dhe politike dhe është marr si proces që duhet patjetër ndërmarrjet shoqërore me kaluar në pronë private, sikur është keqkuptuar procesi i privatizimit në aspektin përmbajtjesor”, ka thënë Limani.

“Me shitjen e ndërmarrjeve ekonomike të shtetit të Kosovës është formuar vetëm një fond, i cili ka arrit 770 milionë dhe nuk dihet ato pare ku gjinden dhe çfarë destinimi kanë. Unë nuk kam njohuri që një cent nga ky fond është investuar në zhvillimin ekonomik në Kosovë, atëherë çfarë mund të flasim për procesin e privatizimit”, ka thënë profesor Limani.

INTERVISTA E PLOTË

EO: A mundet Kosova që t’i bëjë bllokadë ekonomike Serbisë? Nëse po cila është mënyra për ta bërë një gjë të tillë?

Limani: Të them parimisht marrëdhëniet ekonomike me një vend kushtëzohen edhe me marrëdhënie politike, prandaj në rastin tonë është një përjashtim, ne nuk kemi raporte të mira shekullore dhe tani posaçërisht me Serbinë, kur kemi transaksione ekonomike më të mëdha me Serbinë. Prandaj, duhet të kushtëzohen transaksionet ekonomike me marrëdhënie diplomatike. Në këtë drejtim unë mendoj se duhet t’i bëhet bllokadë ekonomike Serbisë për arsye se ajo edhe përreth dëshirës dhe synimeve të Kosovës që të krijojë një atmosferë të përmirësimit të marrëdhënieve diplomatike me Serbinë ajo lobon anë e mbanë botës përmes të gjitha instrumenteve të saja kundër Kosovës, prandaj në këtë rast unë mendoj se duhet të ndërpriten edhe transaksionet përkatësisht marrëdhëniet ekonomike me Serbinë. Për të bërë një gjë të tillë Qeveria duhet të marrë vendim normalisht në nivel institucional dhe duhet të bëjë një analizë ekonomike dhe të hulumtojë tregjet jashtë Serbisë për të gjitha mallrat që Kosova i importon që mos të mbetet tregu i Kosovës pa të mira material për arsye se konsumatorët kërkojnë të mira materiale të cilat u shërbejnë për t’i plotësuar nevojat e tyre. Kjo është e mundur dhe unë jam thellë i bindur dhe kemi shumë arsye. Arsyeja e parë është arsyeja politike- ne duhet bile t’i ndërpremë të gjitha bisedat me Serbinë ndërsa ajo preambulën e vet në Kushtetutë e ka se Kosova-Metohia është pjesë e Serbisë , atëherë çka kemi të bisedojmë me Serbinë kur ajo ende të konsideron si krahinë, kurse neve na kanë njohur diku 114 vende të botës, e dyta është e pa sigurt se shumë ushqime ose të mira materiale të cilat merren nga Serbia vijnë me afat të skaduar prandaj është rrezik, bile ka edhe linja në Serbi të cilat prodhohen apostafat për Kosovën dhe është shumë indikative që mundemi me pas pasoja afat gjate, por sido që të jetë unë jam thellë i bindur dhe profesionalisht edhe në aspektin profesional mendoj se sa më parë bile është vonuar Kosova me ia bë një bllokadë ekonomike Serbisë dhe jam thellë i bindur se nëse në bëjmë bllokadë ekonomike Serbisë, biznesi i Serbisë brenda tre apo katër muajve do ta detyronte Qeverinë e Serbisë që ta pranojë Kosovën ose ta shkarkojë këtë Qeveri dhe të sjellë një qeveri tjetër. Kjo për arsye se bizneset e Serbisë e kanë tregun e Kosovës treg shumë të sigurt dhe siç dihet brenda një viti transaksionet ekonomike përkatësisht importi nga Serbia arrin diku 400 milionë.

EO: A është i gatshëm vendi për t’i mbyllur kufijtë tregtar, kur dihet që shumica e importeve vijnë nga ky shtet?

Limani: Normalisht që jo, po të ishte i gatshëm, do të thotë Qeveria të ishte e gatshme atëherë do ta bënte një gjë të tillë dhe normalisht këto firmat e mëdha të cilat importojnë kryesisht nga Serbia nuk janë të interesuara, ata gjinden në struktura politike dhe institucionale të Kosovës ndonjë ministër ose deputet, prandaj struktura e tanishme e Qeverisë së Kosovës nuk është e gatshme ta bëjë një gjë të tillë as parlamenti, çka unë mendoj se duhet të bëhet për arsye të një ardhmërie më të mirë, për një ardhmëri të Kosovës. Kjo duhet të insistohet nga opozita, kryesisht nga opozita që ta bëjnë një gjë të tillë, ndonëse opozita nuk ka ndonjë forcë ku me dit sa të madhe që ta bëjë dhe ta detyrojë Qeverinë , mirëpo të gjitha elementet dhe sjelljet sidomos sjelljet e Serbisë politike e të tjera tregojnë që ne duhet t’ia bëjmë një bllokadë. Ne kur kemi qenë edhe kryesues të CEFTA-s, Serbia neve na ka penguar të eksportojmë mallrat tona përmes Serbisë. Prandaj, unë jam gjithmonë ithtar i asaj edhe në pikëpamje profesionale është shumë e drejtë se me Serbinë por edhe me vendet tjera, veçmas me Serbinë duhet të kemi dhe ta zbatojmë parimin e prioritetit edhe në politikë edhe në ekonomi. Prandaj, në këto kushte dhe sjelljen e Serbisë të cilën e patëm edhe te Këshilli i Sigurisë të Kombeve të Bashkuara kur nuk e kursyen fjalorin e tyre kundër Kosovës atëherë unë nuk e di se çfarë duhet të bëjë Kosova dhe çka duhet të bisedojë me Serbinë kur ajo në çdo mënyrë, në çdo institucion, çdo instancë ta sulmojë Kosovën. Prandaj, jam i bindur që do të thotë me ndërprerjen e bisedave politike dhe bllokadës ekonomike sigurisht Serbia do ta ndryshojë kursin e saj ndaj Kosovës.

EO: Si e vlerësoni Ligjin për Trepçën?

Limani: Për Trepçën kam dhënë edhe opinionet e mia, gabimi më i madh i Qeverisë së Kosovës duke filluar nga Qeveria e përkohshme veçmas pas pavarësisë është që nuk është aktivizuar “Trepça” si gjigant dhe si sistem i madh ekonomik. “Trepça” ka qenë bartëse e zhvillimit ekonomik të Kosovës, ka paraqitur një pol të zhvillimit ekonomik dhe për çështje politike do të thosha për neglizhencë të Qeverisë së Kosovës “Trepça” ka mbetur ka 16 vjet apo 17 vjet pa aktivizuar paraqet një zbrazëti dhe një faktor shumë të dëmshëm, në realitet një element të dëmshëm për ngecjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Prandaj, unë gjithmonë kam qenë kundër personalisht por edhe të tjerët normalisht kundër privatizimit të “Trepçës” dhe normalisht objekteve të tjera të cilat kanë një rëndësi të veçantë për kombin, për shtetin tonë nuk duhet të jenë në listën e privatizimit ato duhet të jenë nën kontrollin e shtetit. Prandaj, unë mendoj se një hap të tillë pozitiv që e ka bërë, pos asaj që nuk e ka aktivizu ka qenë nxjerrja e ligjit mbi Trepçën e cila është bërë ndërmarrje publike ku nesër mund të jetë edhe shoqëri aksionare dhe normalisht organizimi i saj tash varet nga qasja e Qeverisë së çka dëshiron me “Trepçën”, por duhet të shpejtohet çështja e aktivizimit të “Trepçës” dhe ajo duhet të konsiderohet si njësi komplete, nuk mund ta ndajmë “Trepçën” e veriut dhe të jugut, por “Trepça” duhet të jetë vetëm si njësi e tërësishme, si kombinat. Do të jetë nesër një shoqëri aksionare, apo diçka tjetër por kurrsesi, duhet të hiqet nga fjalori “Trepça” e veriut dhe “Trepça” e jugut për arsye se të gjitha resurset natyrore, mandej edhe begatia e prodhuar në kuadër të kufijve të Kosovës ka qenë vetëm pasuri e Kosovës dhe e askujt tjetër. Prandaj, nuk duhet të pyetet askush as komunat me shumicë serbe në veri, e aq më pak Serbia e të tjera, për këtë duhet të vendos Qeveria e Kosovës për arsye se ajo është ekzekutivi dhe duhet të dërgojë në vend çështjen e kushtetutshmërisë, mbrojtjen territoriale dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës nga kushdo që vjen. Prandaj, zhagitja e mëtutjeshme e mosaktivizimit të “Trepçës” do të paraqet një problem në vete.

EO: Ligji për Investimet Strategjike a do të ndikojë në kthimin e investimeve të huaja?

Limani: Ligji i Investimeve Strategjike mund të jetë shpatë me dy teha: pozitive dhe negative. Pozitive sipas meje do të jetë sepse bëhet një seleksionim më i drejtë, bëhet një analizë e investitorëve të huaj dhe nuk do të kemi investime siç i kemi pasur deri tani, siç është rasti me Brezovicën e kështu me radhë. Mirëpo, nëpërmes këtij ligji nuk mund të tërhiqen investitorët e huaj as kapitali i diasporës për t’i tërheq investimet e huaja direkte të diasporës shqiptare. Qeveria duhet të krijoj ambient pikë së pari politik të sigurisë dhe ambient ekonomik, çka do të thotë ajo në aspektin politik duhet të kemi parasysh se investitorët e huaj nuk vijnë në atë vend ose nuk e avancojnë kapitalin e tyre ku nuk ka siguri, nuk ka stabilitet ekonomik. Mandej aty ku nuk ka stabilitet ekonomik ose stabilitet makro-ekonomik normalisht që nuk vijnë këtu, ende Kosova e ka korrupsionin më të lartë, është krimi i organizuar është kontrabanda ekonomike, ne po digjemi, ngarkesat fiskale janë shumë të mëdha të gjitha këto tregojnë se Kosova nuk ka krijuar ende ambient për të tërheq investitorët e huaj dhe diasporën shqiptare. Duke i pasur parasysh këto ankesa, duke marr parasysh edhe korrupsionin e kanë tërheq kapitalin e tyre nuk e kanë avancuar në Kosovë dhe e avancojnë në vendet fqinje siç është: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, etj. Unë mendoj se Qeveria e jonë nuk ka bërë atë që duhet më diasporën shqiptare, duke pasur parasysh diasporën shqiptare ku kemi firma shumë të mëdha të bizneseve shqiptare, duke filluar nga ShBA-të, Evropën Perëndimore, Australi e etj. Ata do të jenë faktorë kryesorë nxitës dhe bartës të zhvillimit ekonomik, nëse Qeveria krijon ambient politik dhe ekonomik për tërheqjen e tyre. Deri më tani nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

EO: Kryeministri i Kosovës ditë më parë ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij janë punësuar 40 000 persona dhe si rezultat i kësaj është zbutur papunësia? A besoni se këto shifra janë reale?

Limani: Për fat të keq jo vetëm me këtë rast, por edhe me disa tregues të tjerë në pikëpamjet institucionale jepen dezinformata. Kjo që e thotë kryeministri ne do të ishim të lumtur sikur të ishte e vërtet që në këtë periudhë janë punësuar 40 000 persona, mirëpo sipas të dhënave me të cilat ne e dimë që maksimumi brenda një viti duke pasur parasysh sektorin privat dhe atë publik kanë mundur me u punësuar 6 000 deri në 10 000 persona. Për dy vite nuk kanë mundur me u punësuar 40 000 persona edhe pse në vit është dashtë të punësohen 20 000. Prandaj struktura ekonomike dhe niveli i zhvillimit ekonomik nuk mund të absorbojë një numër kaq të madh të punësuarve, kur dihet se në tregun e punës në Kosovë hyjnë diku 25-30 mijë veta, kurse punësohen 10 mijë maksimumi, prandaj 50 për qind e popullsisë aktive mbetët e pa punësuar. Nuk ka logjikë që numri i popullsisë aktive rritet, kurse norma e pa punësisë bien në të njëjtën kohë kemi edhe uljen e punësimit që njëherit del Qeveria e thotë se kemi ulje të pa punësisë. Këto sipas meje janë deklarata që na sinjalizojnë se në prag janë zgjedhjet, jo vetëm ato lokale, por edhe ato qendrore dhe kjo tregon se janë deklarata politike dhe aspak në aspektin profesional. Mua më vjen keq nga kryeministri, por ai është në krye të ekzekutivit dhe ai është normalisht i vetëdijshëm që një gjë të tillë nuk mund të bëjë niveli i tanishëm ekonomik dhe struktura ekzistuese. Unë e kam dëgjuar këtë deklaratë kur ka thënë se ne do të punësojmë 25 mijë veta, kjo është e pamundur, sepse nuk ka kapacitete ekonomia e Kosovës të absorbojë një numër kaq të madh, e dyta deklaroj se ne do ta zbresim normën e pa punësisë në 20 për qind, unë dhe gjithë Kosova do të ishin të lumtur nëse e bëjmë një gjë të tillë, por një gjë e tillë nuk mundet me u bë. Nëse tash zbritet norma e pa punësisë e cila është faktikisht mbi 45 për qind këtë e thotë edhe Banka Botërore ku Agjencia e Statistikave të Kosovës nën presionin politik i jep shifra më të vogla që nuk janë reale atëherë duhet me i punësuar diku 100 mijë veta, ose me i largu nga Kosova 100 mijë të rinj që hyn në kuadër të popullsisë aktive. Në forma të tjera, me hapjen e kapaciteteve nuk mundet për arsye se nuk ka investime sektori privat mbi gjallëron nuk ka investime të aktivitetit të tyre kemi një numër shumë të madh të shuarjeve të firmave edhe pse është një numër i madh që krijojnë diku deri në 7 000 firma regjistrohen në vit të reja, kurse në vitin 2016 ishin 2 300 firma të cilat janë shuar, kur kësaj ia shtojmë edhe mungesën e investimeve të huaja dhe investimeve tjera të kapitalit, atëherë del se nuk është e mundur, nuk ka logjikë ekonomike që brenda këtij viti të punësohen 25 000 veta dhe të bie norma e pa punësisë në 20 për qind kjo është nga aspekti profesional i papranueshëm.

EO: Si e vlerëson procesin e privatizimit në Kosovë?

Limani: Për privatizim unë kam qenë njëri prej personave më të zëshëm duke filluar atëherë nga formimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit në vitin 2002, se procesi i privatizimit në Kosovë duke filluar nga modelet e politikat operative është dështim kryekëput. Modeli Spin-Off, i cili është zbatuar tek ne, ku diku pjesa dërmuese e ndërmarrjeve shoqërore është privatizuar, por edhe ajo speciale nuk dhanë kurrfarë rezultati dhe në kontekst të kësaj do të thoja se procesi i privatizimit ashtu siç është zbatuar në AKM, ndërsa AKP-ja është diçka tjetër dhe është trashëgimtare e AKM-së, do të thotë ka bërë plaçkitjen më të madhe të ekonomisë së Kosovës dhe të popullatës së vendit tonë, dhe përmes procesit të privatizimit unë duke ditur efektet e procesit të privatizimit mund të konstatojë se privatizimi është dështim dhe është zbatuar pa ndonjë analizë ekonomike dhe politike dhe është marr si proces që duhet patjetër ndërmarrjet shoqërore me kaluar në pronë private, sikur është keqkuptuar procesi i privatizimit në aspektin përmbajtjesor. Procesi i privatizimit paraqet reformë ekonomike në kuptimin që me rastin e shitjes së ndërmarrjeve shoqërore formohen, fonde jo vetëm një fond, por disa fonde nëpërmes të cilave bëhet rivitalizimi, freskimi ndryshimi i strukturës ekonomike e etj. Çka ndodhi me shitjen e ndërmarrjeve ekonomike të shtetit të Kosovës është formuar vetëm një fond, i cili ka arrit 770 milionë dhe nuk dihet ato pare ku gjinden dhe çfarë destinimi kanë. Unë nuk kam njohuri që një cent nga ky fond është investuar në zhvillimin ekonomik në Kosovë, atëherë çfarë mund të flasim për procesin e privatizimit kur krejt kësaj ja shtojmë edhe ndryshimet e destinimit të shumë ndërmarrjeve nga ato prodhuese që kanë kaluar në tregtare ose në depo etj. Me fjalë tjera, procesi i privatizimit ashtu siç është zbatuar në Kosovë dhe si zbatohet tani paraqet sfidën kryesore të shkatërrimit të ekonomisë ekzistuese të Kosovës, paraqet burimin kryesor të korrupsionit dhe të pasurisë së njerëzve brenda natës pa kurrfarë djerse dhe paraqet rritjen e armatës së papunëve për arsye se blerësi i ri me rastin e blerjes së ndërmarrjeve shoqërore nuk ka marr përgjegjësi për mbajtjen e punëtorëve të ndërmarrjes dhe ata kanë dalë në rrugë. Unë personalisht që në fillim kam propozuar dhe kam qenë kundër modelit të Spin-Offit, kam propozuar “Woucher” që do të thotë shndërrimi i ndërmarrjeve shoqërore në shoqëri aksionare dhe unë kam qenë thellë i bindur në bazë të analizave të mia se me këtë rast ne sot do kishim diku 50 ose 60 për qind të industrisë, përkatësisht ekonomisë ekzistuese dhe përkatësisht të ekonomisë dhe numrit të punësuarve, ku vetë punëtorët do të insistonin për afarizëm më të suksesshëm. Këtë tezë ma kanë vërtetuar disa ndërmarrje të cilat me vetë iniciativën punëtorët i kanë riaktivizua objektet e tyre. Një gjë të tillë nuk e ka pranuar, atëherë shtylla e katërt përkatësisht UNMIK-u ku ju bashkuan edhe Qeveria jonë për arsye se përmes Spin-Offit nuk kanë mundur me ardhë deri te pasuria brenda natës duke i fshi djerstë.

Intervistoi: Albulena Misini

Të ngjashme