Nisin punimet pėr instalimin e ndriēimit publik nė Rahovec

Nisin punimet pėr instalimin e ndriēimit publik nė Rahovec
nga Ekonomia Online
Prishtinė | 07 Maj 2013 | 14:46

Komuna e Rahovecit ka nisur punimet për instalimin e rrjetit të ndriçimit publik në qytet, projekt ky që bashkëfinancohet nga  Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Drejtori për Shërbime Komunale dhe Emergjencë, Përparim Krasniqi, njoftoi në mbledhjen Ekzekutivit të Komunës së Rahovecit, se kontrata me USAID-in tashmë është nënshkruar.

Krasniqi tha se pas përmirësimit të kushteve klimatike kanë filluar punët në terren në shumicën e vendbanimeve. “Jemi në fazën e përmbylljes së shpalljeve të tenderëve sipas planifikimit. Ka pasur vizita në terren në të gjitha vendbanimet, me ç’rast kemi dëgjuar nga afër problemet dhe shqetësimet e qytetareve, si dhe janë vizituar projektet që janë duke u ekzekutuar”, shtoi ai.

Në mbledhjen e rregullt të Ekzekutivit u diskutua lidhur me angazhimet mujore të administratës komunale, si dhe u përcaktuan detyrat për periudhën në vijim. Me këtë rast, kryetari i Komunës Smajl Latifi tha se gjatë gjithë muajit ka pasur aktivitete të vazhdueshme në terren, ndërsa kanë mbetur edhe disa projekte të panisura. 

Kryetari Smajl Latifi kërkoi që këto projekte të nisin sa më parë, ndërsa të përgatitet materiali për shpallje të tenderëve edhe për projektet të tjera të planifikuara infrastrukturore për këtë vit.

Drejtorët e drejtorive raportuan për punët e tyre mujore, duke paraqitur edhe planet për muajin në vazhdim, njofton Zyra për Informim.

Afrim Limani, drejtor i Drejtorisë për Financa dhe Buxhet, tha se të hyrat komunale po ecin sipas një dinamike pozitive dhe kërkohet bashkëpunim me të gjithë drejtorët për ruajtjen e kësaj ecurie. Po ashtu është në përgatitje plani për rishpërndarjen e mjeteve.

Ndër ngjarjet kulturore, drejtori Arben Zeka njoftoi për përgatitjet për mbajtjen e Festivalit të Folklorit në Dejnë, si dhe rreth organizimit të manifestimeve “Java e Dëshmorëve”. 

Në këtë kuadër do të bëhet zbulimi i bustit të dëshmorit Mehedin Morina në Gegjë, më 14 maj.

Musa Cena, drejtor për Ekonomi dhe Zhvillim, njoftoi se janë hapur ofertat për projektin “Shtëpia e Verës”, si dhe është marrë vendimi për dhënien në shfrytëzim të zonave të gjahut.

Ndërsa drejtoresha për Shëndetësi, Florije Boshnjaku, njoftoi për fillimin e orarit të zgjatur të punës në Ambulancën e Mjekësisë Familjare në Ratkoc. Ajo po ashtu tregoi se u janë vazhduar kontratat dymujore disa punëtorëve dhe rojeve, janë bërë vizita në disa ambulanca, si dhe kanë nisur renovimet në QKMF “Dr. Fahredin Hoti”. 

Drejtori për Gjeodezi, Fatmir Iska, njoftoi se është marrë vendimi për shpronësim në rrugën “Vëllezërit Frashëri” dhe vendimi është dërguar për publikim në Gazetën zyrtare të Kosovës.

Në sektorin e bujqësisë ka përfunduar aplikimi për subvencione dhe pagesa për bujqit, kurse drejtori Artan Zenuni, tha se janë duke u analizuar paramasat për rregullimin e rrugëve fushore, si dhe janë duke u zhvilluar aktivitete në mbështetje të bujqve e fermerëve të komunës.

Fatmir Kryeziu, drejtor për Urbanizëm, njoftoi për punimet që po vazhdojnë në projekte të ndryshme. Po ashtu është mbajtur takimi i komisionit për verifikimin e gjendjes për ndërtimin e shtëpive për skamnor, kurse punimet në lumin Rimnik do të vazhdojnë.

Drejtori komunal për Punë Inspektuese, Shemsi Ibrahimi, njoftoi mbi aktivitetet që ka ndërmarrë kjo drejtori gjatë muajit prill. Ai tha se janë identifikuar disa prona komunale të uzurpuara, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Komisionin e Minierave dhe Mineraleve për parandalimin e dëmtimit të shtratit të Drinit të Bardhë. 

“Me këtë rast janë inspektuar disa kompani që bëjnë separimin e zhavorrit. Inspektimi ka nisur në fshatin Kramovik dhe ka vazhduar deri në Krushë e Madhe. Aksioni do të vazhdojë edhe në ditët dhe javët në vazhdim”, tha Ibrahimi.

Njëkohësisht, sipas tij, është ndërmarrë aksion për të shtyrë kompanitë dhe bizneset që të shlyejnë obligimet ndaj arkës komunale. Fokusi kryesor ka qenë tek bizneset që shfrytëzojnë hapësirat publike komunale. Inspektorët kanë kryer aktivitet inspektimi edhe në tregun e gjelbër në fshatin Ratkoc, që organizohet të dielën. Me këtë rast janë liruar hapësirat publike që pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve në këtë fshat.

Më pas janë shqyrtuar dhe analizuar parashtresat e ndryshme të qytetarëve dhe grupeve të shoqërisë civile.

Komentet

Komente (0) | Kthehu

Shkruaj koment

Shpėrndaje
P8 - 728 x 90