Elizabeta II feston ditëlindjen e 91-të, 150 kryeministra gjatë mbretërimit të saj

Prishtinë | 21 Pri 2017 | 19:00 | Nga

Elizabeth Alexandra Mary Windsor, ose Mbretëresha Elizabeta II, sot feston ditëlindjen e 91-të, ndërsa gjatë mbretërimit të saj ajo ka parë mbi 150 kryeministra në shtetet të cilat e pranojnë atë si monarke, prej të cilëve 13 në Britani, raporton Anadolu Agency (AA).

Që kur mbretëresha Elizabeta II është ngjitur në fron, në Britani kanë kaluar 13 kryeministra, duke filluar nga Winston Churchill e deri te Theresa May.

Krahas Britanisë, Elizabeta II është monarke edhe e disa shteteve të mëdha dhe të vogla, në mesin e të cilave gjenden Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Xhamajka dhe Papua Guinea e Re. Nëse merren parasysh të gjitha këto shtete, atëherë numri i kryeministrave që kanë kaluar nën mbretërimin e saj kalon mbi 150.

Kur mbretëresha erdhi në fron në vitin 1952, Joseph Stalin ende ishte lider i Bashkimit Sovjetik, ndërsa presidenti i SHBA-ve ishte Harry Truman. Ceremonia e kurorëzimit të mbretëreshës në vitin 1953, u bë ceremonia e parë e kurorëzimit e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion. Gjatë qëndrimit të saj në fron filloi dhe përfundoi Lufta e Ftohtë dhe u ndërtua dhe u rrënua Muri i Berlinit.

Tradicionalisht, mbretëresha çdo vit feston dy ditëlindje, një të vërtetë dhe një zyrtare. Gjithsesi, ajo ka lindur më 21 prill të vitit 1926.

Elizabeta, e cili u bë mbretëreshë më 6 shkurt të vitit 1952, mban epitetin si monarkja që ka qëndruar më së shumti në fron në historinë e Britanisë.

Në vitin 2015, kur ishte në moshën 89-vjeçare, Elizabeta theu rekordin për qëndrimin më të gjatë në fron, të cilin e mbante mbretëresha Viktoria.

Qëndrimi rekord i mbretëreshës në fron, në të njëjtën kohë, ka bërë që i biri i saj 68 vjeçar, princi i Uellsit Çarlsi, të bëhet trashëgimtarë që më së gjati ka pritur për t’u ulur në fron.

“Mbretëresha mund të abdikojë nga froni”

Për shkak të “ftohjes së rëndë” që e kaploi dhjetorin e kaluar, mbretëresha e Britanisë Elizabeta II nuk arriti të marrë pjesë në meshën tradicionale të Krishtlindjeve dhe në meshat e vitit të ri.

Qëndrimi i saj larg syve kohëve të fundit dhe zvogëlimi i pjesëmarrjeve në aktivitetet në të cilat ajo takohet me njerëzit, tërheqin vëmendjen drejt gjendjes shëndetësore të mbretëreshës.

Po ashtu, vitin e kaluar u deklarua se mbretëresha do t’ua kalojë anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore përgjegjësitë në lidhje me disa organizata të shoqërisë civile që veprojnë nën kujdesin e saj. Ky transferim kompetencash dhe gjendja e saj shëndetësore, u kanë hapur rrugën spekulimeve se mbretëresha Elizabeta II këtë vit “mund të abdikojë nga froni”.

Ekziston edhe mundësia e shkarkimit

Në rast se problemet shëndetësore të mbretëreshës rriten dhe në qoftë se në këtë rast ajo nuk braktis fronin me vullnetin e saj, atëherë, sipas ligjeve britanike, ajo mund të shkarkohet nga detyra nga një komision politikanësh dhe burokratësh, në mesin e të cilëve merr pjesë edhe kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit Britanik.

Në rast se Elizabeta II braktis fronin, atëherë në vend të saj kalon i biri Çarlsi. Në rastin e tillë, 68 vjeçari Çarls do të merrte epitetin monarku më i vjetër që është ngjitur në fron në historinë e Britanisë.

Pas Çarlsit, në radhën për fron gjenden i biri i tij, Uilliam, dhe nipi Xhorxh.

Traditën e filloi monarku që lindi në nëntor

Ditëlindja e monarkëve në Britani shënohet me ceremoni që nga shekulli XVIII.

Ndërkaq, tradita për ta ndarë ditëlindjen zyrtare nga ditëlindja e vërteta u nis nga mbreti Eduardi VII, i cili kishte lindur në nëntor dhe kishte qëndruar në fron nga viti 1901 deri në vitin 1910. Eduardi, në vend të muajit nëntor, kur mbizotëron mot i ftohtë dhe me reshje, solli vendimin që ceremonitë me rastin e ditëlindjeve të monarkëve të mbahen në muajin maj ose qershor, kur kushtet klimatike janë më të volitshme.

Elizabeta II parapëlqen që ditëlindjen e vërtetë ta kalojë me familjen e saj. Ndërkaq, ditëlindjen zyrtare ajo e feston në muajin qershor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme