“Kam filluar biznesin tim me 15 dollarë”

Prishtinë | 05 Maj 2017 | 20:42 | Nga

Sandra Letio ka filluar biznesin e saj me vetëm 15 USD. Sot, ajo është 29 vjeç dhe biznesi është vlerësuar në 700,000 USD. Me vendosmëri absolute, talent, mbështetjen e prindërve dhe një stafi të ri, i cili besonte në të, Letio mposhti barrierat.

“Isha 23 vjeç dhe e papunë, në kërkim të punës, por nuk gjeja asgjë. Nëna ime më sugjeroi idenë për bërjen dhe shitjen e sapunëve. Duhej të investoja 15 USD për një recetë bazë për të bërë sapunë.

Bëja sapunë gjatë natës, dhe shkoja derë më derë për t’i shitur ato gjatë ditës. Që javën e parë krijova 10 klientë. Ato të gjithë pëlqenin sapun tim dhe kërkonin më shumë. Unë bëra 22 USD nga seria e parë e sapunëve. Mbajta mënjanë një pjesë të fitimit dhe bleva më shumë furnizime. Brenda një muaji, fitova më shumë se 50 klientë.

Ende më kujtohet hera e parë kur shkova në një dyqan, për të kërkuar menaxherin, ta pyesja nëse ishte i interesuar të blinte sapunë nga unë. Ajo më shikoi nga koka deri te këmbët, pa veshjen time të lënë pas dore, sapun tim pa emër, dhe më tha se nëse sapuni im nuk do të kishte një emër asnjë dyqan nuk do ta blinte.

U ndjeva e demoralizuar në fillim, por nuk hoqa dorë. Pa hezitim, i shkrova Institutit të Kërkimeve Industriale në Uganda dhe kërkova ndihmën e tyre për të përmirësuar markën e sapunit tim.

E regjistrova kompaninë time si “Pelere Group”. Në gjuhën time Madi (fis indigjen), Pelere do të thotë “diçka e mrekullueshme”.

Sot, unë kam punësuar 20 persona, gjysma e tyre janë nën 30 vjeç, dhe shumica e tyre janë femra. E kemi zgjeruar biznesin dhe tani shes mbi 10 produkte, të gjitha organike. Sot, biznesi im është vlerësuar në 700,000 USD dhe unë dua ta zgjeroj më tej.

Kur e fillova askush nuk e mendoi se do të ishte aq i suksesshëm. Shumë njerëz refuzuan të më marrin seriozisht, sepse isha e re. Disa njerëz madje më ngacmuan duke më thënë se do të më jepnin biznesin, në qoftë se unë do të martohesha me ato! Por unë vazhdova.

Unë jam ambasadore për sipërmarrësit e rinjnë Ugandë. Sa herë që të rinjtë më thonë se ata nuk kanë të holla për të filluar një biznes, unë u kujtoj atyre se si kam filluar, me 15 USD dhe një enë bosh, ku përzieja përbërësit për sapunin tim.

Ne mund të jemi të rinj, por duhet të kemi mundësi të barabarta”.

Të ngjashme