12 hapa si të humbisni peshë pas të 40-ave

Prishtinë | 20 Gus 2022 | 23:09 | Nga Ekonomia Online

Me kalimin e moshës fillon të bëhet më e vështirë rënia në peshë dhe më i lehtë shtimi.

Ndryshimet në zakonet e ngrënies, stërvitje, ato hormonale dhe mënyra se si trupi ruan dhjamin, luajnë të gjitha rol. Megjithatë, disa hapa të thjeshtë mund t’ju ndihmojnë të dobësoheni.

1. Konsumoni fruta dhe perime

Në çdo vakt mbusheni gjysmën e pjatës me këto produkte natyrale. Këto produkte kanë më shumë lëndë ushqyese dhe më pak yndyra dhe kalori se mishi, produktet e qumështit ose drithërat. Dhe ju ndihmojnë të ndiheni më të ngopur, edhe nëse keni ngrënë pak.

2. Mos e anashkaloni mëngjesin

Ekspertët rekomandojnë një vakt të shëndetshëm për mëngjes, si bollgur ose tost me fruta. Kështu nuk do të keni nevojë që të konsumoni ushqime të shpejta dhe të pashëndetshme para se të vijë vakti i drekës. Vakte të lehta apo mesvakte të shëndetshme çdo pak orë ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të urisë gjatë gjithë ditës.

3. Hani më pak gjatë vaktit të darkës

Nëse i merrni shumicën e kalorive në drekë (para orës 15:00) do të keni mundësi të bini më shumë në peshë se nëse do të keni një vakt më të bollshëm më vonë. Megjithatë, e rëndësishmja vazhdon të mbetet ajo çfarë ju hani dhe jo kur.

4. Gatuani vakte të shëndetshme

Shumë kalori dhe yndyra ekstra mund të vijnë nga mënyra se si ju e përgatisni ushqimin. Në vend të ushqimeve të skuqura në gjalpë ose vaj, konsumoni ato të pjekura në skarë ose të ziera. Shmangni ushqimet e skuqura ose që vijnë në salcëra kremoze.

5. Mos e teproni me kaloritë

Me kalimin e moshës njerëzit priren të jenë më pak aktivë, prandaj kanë nevojë edhe për më pak kalori se më parë. Për të rënë në peshë, duhet të merrni më pak kalori se dikur.

6. Jini të vëmendshëm

Kur je i zënë me punë, fëmijët dhe jetën, mund të jetë më tunduese konsumimi i ushqimeve ndërkohë që je në lëvizje ose kryerja e një sërë veprimesh brenda një vakti. Kështu jeni më të predispozuar që të mbingopeni ose të ndiheni të uritur shumë shpejtë – nëse nuk fokusoheni tek ushqimi. Uluni dhe përqendrohuni vetëm tek ushqimi (jo në televizor apo ekranin e kompjuterit).

7. Shmangni pijet e gazuara

Nëse konsumoni kafe të ëmbëlsuar me sheqer, çaj, pije të gazuara ose energjike, i zëvendësoni ato me ujë ose pije pa sheqer ose zero kalori. Pijet e ëmbla kanë në përmbajtje shumë sheqer të shtuar, që shkakton shtim në peshë dhe rritje të rrezikut për zhvillim të diabetit.

8. Limitoni alkoolin

Një gotë me birrë ose verë përmban rreth 150 kalori, të cilat mund të shtohen edhe më shumë nëse pini shpesh alkool. Plus që alkooli ju shton urinë, prandaj mund të hani më shumë ndërsa pini alkool.

9. Lini kohë edhe për stërvitjen

Mes punës në zyrë,  udhëtimeve dhe angazhimeve familjare, shumë të rritur nuk kanë shumë kohë për stërvitje. Por, është shumë e rëndësishme si për peshën ashtu edhe për shëndetin e përgjithshëm që të stërviteni të paktën 2 orë e gjysmë çdo javë me aktivitet fizik të moderuar (një ecje e lehtë ose punë të lehta në oborr). Shënoni orarin në kalendar dhe bëjeni stërvitjen prioritet.

10. Relaksohuni, mos u stresoni

Stresi ju nxit të konsumoni ushqime të pashëndetshme dhe e bën më të vështirë për trupin që të djegë dhjamin. Provoni të bëni joga, meditim, teknikat me frymëmarrje të thellë, bëni një shëtitje ose lexoni një libër. Secili njeri e lufton stresin në mënyra të ndryshme, prandaj zbuloni çfarë funksionon për ju.

11. Bëni gjumë të rehatshëm

Çdolloj gjëje mund të ndërhyjë në gjumë pas moshës 40 vjeç – problemet shëndetësore, stresi, ilaçe dhe për gratë, menopauza. Njerëzit që nuk bëjnë gjumë të rehatshëm janë më të predispozuar që të shtojnë në peshë. Nëse nuk bëni gjumë të rehatshëm sepse jeni shumë të zënë ose të stresuar, provoni të ndryshoni zakonet e fjetjes dhe ndiqni një rutinë të rregullt.

12. Kontrolloni tiroidet

Nëse ushqeheni shëndetshëm dhe stërviteni rregullisht, por përsëri nuk mund të humbisni peshë, tiroidet mund të mos jenë duke funksionuar siç duhet. Kjo ndodh tek të paktën 5% e njerëzve dhe është më e zakonshme tek gratë dhe njerëzit mbi 60 vjeç. Përveç shtimit në peshë, ajo shkakton edhe lodhje, dhimbje të kyçeve dhe muskujve, dhe depresion. Prandaj bëni një kontroll nëse dyshoni se keni probleme me tiroidet.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme