Dëgjoni, që të komunikoni!

Prishtinë | 14 Tet 2018 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Mes shumë gabimeve që bëhen në komunikim, mund të veçohet një që po përhapet në mënyrë të çuditshme. Tendenca e fundit e përhapur mes njerëzve është mungesa e theksuar e bashkëbisedimit, sepse mendojnë se e kanë përgjigjen për gjithçka. Ky është një fenomen që vërehet në mjaft debate televizive.

Askush nuk ngrihet të thotë: “Po, argumentimi yt më bindi, kështu që do të ndryshoj mendim. Do të rimendoj edhe një herë me qetësi gjithçka që thamë”. Secili ka të “vërtetën e tij” dhe nuk e ndryshon sikur të bëhet nami.

Monologë paralelë

Në qoftë se në TV mungesa e komunikimit është e “kuptueshme dhe e justifikueshme”, duke qenë se ajo “administrohet” nga audienca, pjesa më e tmerrshme është se e njëjta gjë ndodh edhe jashtë kamerave, në jetën e përditshme.

Shpeshherë flasim vetëm për të vërtetuar nëse përgjigjja që na jepet përputhet me atë që kemi në mendje. Në fund jemi të bindur për atë që mendojmë ne, për pozicionin tonë mbrojtës, për paragjykimin tonë, a thua se ajo që na thotë tjetri nuk ka fare vlerë. Në qoftë se edhe bashkëbiseduesi bën të njëjtën gjë, pakomunikueshmëria është rezultati final i këtij dialogu, që në të vërtetë përbëhet nga dy monologë të cilët vijojnë në mënyrë paralele, duke injoruar njëri-tjetrin.

Guximi për të shkuar drejt tjetrit

Një sjellje e tillë është fryt i një kulture që po përhapet çdo ditë e më tepër për shkak të punës dhe sfidave të ndryshme, pasi çdo shkëmbim mendimi është një lloj rasti për të treguar “muskujt e mendjes”. Fatkeqësisht, ndonjëherë kjo ndodh edhe në familje.

Sa dëme mund të shkaktojë një prind kur e pyet fëmijën se ç’probleme ka dhe pastaj vepron duke u bazuar te mendimi që kishte para se ta pyeste, duke injoruar kështu tërësisht përgjigjen e fëmijës? Dëmet janë shumë të mëdha! Prandaj është e nevojshme të korrigjojmë veten duke u tërhequr atje ku e kemi gabim dhe duke i dhënë dëgjimit e bashkëbisedimit vlerën e vet.

Dëmet që shkaktohen nga mungesa e dëgjimit

Vështirësi për të marrë vendime dhe për t’u përshtatur me situatat e papritura. Ndjek vetëm rrugën tënde dhe nuk i kupton gjërat e reja që ndodhin rreth e qark.

Shpreh mërzitje dhe inat gjatë bashkëbisedimeve, sidomos nëpër dialogët e zakonshëm. Mendimi që mbizotëron te këta persona është: “As nuk ia vlen. Me ty është e kotë të flasësh”. Kjo gjë sjell vështirësi në çift, familje dhe punë.

Dy këshilla që duhet të ndiqni

Dëgjimi i vërtetë është veprimi konkret, si pasiv ashtu edhe aktiv. Pjesa pasive është ajo që të nxit të tërhiqesh bashkë me paragjykimet që ke dhe të lësh që fjalët e tjetrit të depërtojnë në trupin tënd në mënyrë “të pastër”. Ndërsa ajo aktive është të bësh punë kritike me veten dhe për aq sa është e mundur, objektive, për atë që thuhet. Ky është një akt i “përulësisë së kujdesshme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme