Gripi është vrasës i qetë

Prishtinë | 10 Sht 2016 | 15:06 | Nga

Gripi (influenza) është sëmundje infektuese virusale e traktit respirator me potencial të madh epidemik, e cila rrallë, por në intervale të caktuara kohore (10 deri 40 vjet), paraqitet në formë të pandemisë.

Fjala influenza është emri shkencor për gripin dhe vjen nga fjala latine influentia, që do të thotë ndikim. Këtë emër ia kanë dhënë italianët qysh para tre shekujsh për çdo epidemi, sepse mendonin që është krijuar për shkak të ndikimit të trupave qiellorë.

Epidemitë e gripit në Evropë janë regjistruar në vitet 1510 dhe 1557. Epidemia e gripit nga viti 1580, e cila nga Evropa është përhapur në Afrikë dhe Azi, është pandemia e parë e raportuar. Prej atëherë e deri më sot janë regjistruar më shumë se tridhjetë pandemi të gripit, transmeton koha.net.

Në Evropë gripi shfaqet në epidemitë e rregullta vjetore gjatë muajve të ftohtë. Prek të gjitha vendet dhe zgjat rreth katër muaj. Infeksionet sporadike shfaqen edhe jashtë periudhës sezonale, si në muajt e nxehtë, por frekuenca e sëmundjes është jashtëzakonisht e ulët. Përhapjen e virusit të gripit e favorizon urbanizmi dhe migrimi (qëndrimi i njerëzve në hapësira të mbyllura, ventilimi i dobët dhe ngjashëm).

Epidemia sezonale e gripit është problem global i shëndetit publik dhe sa është gripi sëmundje e rëndësishme flet fakti që nga gripi çdo vit sëmuren dhe vdesin një numër i madh i njerëzve. Në botë mesatarisht sëmuren më shumë se pesë milionë persona. Morbiditeti dhe mortaliteti të përgjithshëm janë në rritje, si për shkak të sëmurjes së popullatës së shëndetshme nga vetë gripi, po ashtu edhe për shkak të përkeqësimit të gjendjes ose simptomave të sëmundjes themelore.

Anëtarët e familjes së grupit të viruseve, Orthomyxoviridae, të cilët sulmojnë kurrizorët shkaktojnë gripin. Ata më së shpeshti klasifikohen në tri tipe: A, B dhe C, sipas veçorive antigjenike të mbështjellësit të jashtëm të virusit. Virusi i gripit bartet me pikëzat e hedhura nga teshtima dhe/ose kollitja. Pasi që virusi i gripit infekton njeriun, për një deri në dy ditë shfaqen simptomat e para të sëmundjes siç janë dhimbjet në gushë, kolla e thatë, hunda e bllokuar, ethet me temperaturë edhe deri në 40 gradë celsius, dhimbjet në muskuj dhe nyja, dhimbja e kokës, humbja e oreksit dhe dobësimi i përgjithshëm i trupit.

Te gripi pa komplikime temperatura zgjat 3-5 ditë dhe sëmundja përfundon për 7-10 ditë. Komplikimet më të shpeshta që mund të shfaqen janë bronkiti dhe pneunomia. Megjithatë, gripi sulmon krejt organizmin dhe pasojat e tij nuk ndalen vetëm në sistemin e frymëmarrjes.

Ndonjëherë është vështirë të dallohet influenca nga ftohja, megjithatë influenca është sëmundje shumë më serioze. Simptomat e ftohjes janë më të shkurtra dhe komplikimet janë shumë të rralla.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme