Omega-3 e padobishme për diabetikët

Prishtinë | 04 Dhj 2023 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Shtesat me Omega-3, acide organike që gjenden tek peshqit dhe që rekomandohen për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare, në të vërtetë nuk i mbrojnë personat e sëmurë me diabet që të preken nga kjo sëmundje, sipas një studimi britanik, që i shtohet disa studimeve të tjera të kryera për këtë qëllim.

Më tepër se 15,000 persona të cilët vuajnë nga diabeti, por jo nga sëmundje kardiovaskulare, morën pjesë në këtë studim të kryer në Britaninë e Madhe, nën drejtimin e disa shkencëtarëve të universitetit të Oksfordit dhe i financuar nga fondacioni “British Heart”, raporton AFP, transmeton atsh.

Rezultatet u publikuan të dielën në revistën më prestigjioze mjekësore të SHBA-së “New England Journal of Medicine”.

Gjysma e pjesëmarrësve në studim u trajtuan çdo ditë me nga një kapsulë Omega-3, ndërsa pjesa tjetër mori, pa iu bërë e ditur, një kapsulë placebo, që përmbante thjesht vaj ulliri.

Pacientët u ndoqën mesatarisht për pak më tepër se shtatë vjet.

Studimi është edhe më i rëndësishëm, pasi numri i pjesëmarrësve në të është shumë i madh, më shumë se 15,000 veta. Përveç kësaj, pjesëmarrësit u ndanë në mënyrë rastësore në dy grupe, që është metoda më e rreptë për të vëzhguar efektin e mundshëm të një trajtimi të dhënë.

Rezultati është se numri i atakeve kardiovaskulare të rënda, kancereve apo vdekjeve ishte pothuajse i barabartë në të dy grupet. Nuk kishte asnjë dallim të rëndësishëm statistikor ndërmjet të dyve.

Këto rezultate tregojnë se marrja e omega-3-it çdo ditë nga diabetikët nuk e ul rrezikun që ata të preken nga sëmundje kardiovaskulare.

Një analizë e 10 studimeve ku u përfshinë 78 000 persona, e botuar në revistën “JAMA Cardiology” në janar 2018, doli në përfundimin se omega-3 nuk i parandalon sëmundjet kardiovaskulare tek personat e rrezikuar, dhe jo vetëm diabetikët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme