Pesë gjërat që duhet t’i bisedoni me djalin tuaj

Prishtinë | 05 Pri 2023 | 22:46 | Nga Ekonomia Online

Në rritjen e fëmijëve djem, prindërit duhet të ndjekin të paktën 5 rregulla, thotë Alberto Pellai, babai i 4 fëmijëve, psikoterapist dhe mjek, njëkohësisht autor i një libri rreth kësaj teme, që ka pasur sukses në Itali.

Për t’i bërë ata të aftë për të zgjedhur në jetë, të aftë për të dashur mbi të gjitha veten e tyre, të aftë për të gjetur me lehtësi rrugën e drejtë e kështu me radhë, Pellai sugjeron këto rregulla:

1. Mos i thoni vetëm se është i fortë

Ai ka nevojë edhe të mësojë të qajë, ka nevojë edhe të mësohet të kërkojë ndihmë. Ju nuk duhet ta privoni nga shprehja dhe përjetimi i të gjitha emocioneve që i përkasin njeriut.

2. I jepni mundësinë të përjetojë emocionet negative

Ju duhet ta lejoni fëmijën tuaj të ndiejë edhe emocione të tilla si frika dhe melankolia, të ndihesh i trishtuar nuk është vetëm ndjesi e vajzave. Në këtë mënyrë ju i mësoni djalit tuaj të shprehë në mënyrë jo të dhunshme emocionet e tij negative.

3. Mos bisedoni vetëm për makina dhe futboll

Ju duhet të bisedoni me fëmijën në lidhje me argumentat që do të ngjallin interes tek ai. Edhe pse ata zakonisht parapëlqejnë tema që kanë lidhje me sportin dhe makinat, ju duhet të flisni edhe në lidhje me tema të tilla si: gjeografia, bota e kafshëve, personazhet e librave etj.

4. I flisni në lidhje me pubertetin

Fëmija duhet të dijë si do të jetë zhvillimi i tij fizik, duhet të dijë diçka rreth seksit. Mbi të gjitha ai duhet të mësojë nga ju se marrëdhëniet seksuale duhet të kryhen në mënyrë të mbrojtur jo vetëm për të evituar një shtatzani të mundshme, por edhe për të evituar një sëmundje. Ai duhet të mësojë nga ju se marrëdhëniet seksuale kryhen vetëm me dëshirën e të dy personave.

5. Mos e lini fëmijën pa kontroll në botën virtuale

Pornografia është tepër e rrezikshme për zhvillimin dhe edukimin seksual të fëmijës, për këtë arsye ai duhet të navigojë në mënyrë të kontrolluar. Fëmija juaj duhet të mësojë nga ju se figura femërore respektohet dhe nuk luan një rol dytësor në jetën seksuale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme