Pse të mbani kapelë?

Prishtinë | 12 Tet 2016 | 13:36 | Nga

Në gjuhën angleze për kapela përdoren terminologjitë “hat” dhe “millinery”. Termi “millinery” përdoret për prodhuesit e kapelave kryesisht për femra, për raste të veçanta, si martesë apo ndonjë ceremoni tjetër.Historia

Kapela filloi të përdoret që nga kohët më të lashta. Arsyeja për mbajtjen e kapelës ka qenë dhe është mbrojtja nga temperaturat e larta apo të ulëta, për siguri, për arsye fetare, si shenjë e statusit shoqëror, apo si aksesor mode. Në ushtri, kapelat përdoren për të treguar pozitën në hierarki, transmeton telegrafi.

Tregimet për kapelat datojnë nga historia e lashtë egjiptiane, greke dhe romake. Gjatë shekujve u paraqitën stile të shumta kapelash, origjina e të cilave vinte zakonisht nga njerëz te shquar si mbretërit dhe fisnikët të cilët krijonin trende të reja, si ‘Homburg’ ose ‘Monte Kristi’.

Zakonet

Në kulturat e ndikuara nga civilizimi perëndimor, rregulla e përgjithshme ka qenë që mashkulli të heq kapelën shpesh, ndërsa femra jo, pasi ato tradicionalisht kanë mbajtur kapela më të ndërlikuara, që shpesh kishin nevojë për gjilpëra për t’i mbajtur ato në kokë, e kjo vështirësonte heqjen e kapelës.

Meshkujt hiqnin kapelat pas hyrjes në objekt fetar, si për shembull në kishë. Një zakon më i vjetër kërkonte nga femrat të mbulonin kokën e tyre në kishë me shall, që ende respektohet në vende si Gjermania jugore apo në Amerikën Latine. Kapela hiqej nga mashkulli gjatë takimit apo njoftimit me femrën, apo vetëm prekej në skaj për të treguar se prezenca e femrës është shënuar. Në fillim të shekullit të kaluar, meshkujt edhe femrat ndërronin kapelat varësisht nga aktivitetet dhe rasti, ndërsa për shumë femra të statusit të lartë shoqëror kapela ndërrohej disa herë në ditë.

Rregullat shoqërore obligonin të gjithë të mbanin kapela që nga dalja prej shtëpisë. Një rast tregon për një femër që kishte dalë për të dorëzuar një letër në postë pa kapelë dhe ishte e qortuar rreptësisht nga personat që kalonin për veshje jo serioze, dhe pse shtëpia e saj ishte disa metra nga posta.

Kapelat sot

Që nga vitet 1920 kapelat nuk janë më aksesor i obligueshëm. Ato kryesisht mbahen në raste të veçanta, si për shembull kokteje dhe martesa. Dekadave të fundit, kapelat u popullarizuan mjaft shumë, sidomos nga princesha Diana, e cila i mbante ato në shumë raste, sidomos në vitet e hershme të martesës së saj.

Kapelat sot ende mbahen për t’u mbrojtur nga temperaturat ekstreme. Kapelat po ashtu mbahen nga punëtorët e kompanive si pjesë e uniformës, por edhe për të shënuar identitetin e kompanisë.

Gjasat janë shumë të vogla që kapela të zhduket si aksesor mode, pasi që kapela potencon fytyrën, dhe kreatorët e modës e dinë këtë fakt shumë mirë. Është bërë e zakonshme për kreatorët e modës të përfshijnë kapelat në ofertat e tyre sezonale të produkteve, duke u munduar kështu që të mbajnë aktive mbajtjen e kapelave tek përcjellësit e modës së fundit. Ndodh shpesh që një kapelë e caktuar të kap imagjinatën e publikut dhe të bëhet simbol i një sezoni apo viti të tërë në industrinë e modës.

Llojet e kapelave

Llojet më të shpeshta të kapelave të tipit “millinery” janë “straw hat”, me materiale te lehta për stinën e pranverës dhe verës, dhe “ felt hat” me materiale te trasha për stinën e vjeshtës dhe dimrit, transmeton portali telegrafi.

Ku të mbahet kapela?

Ngjarjet më adekuate për mbajtjen e kapelës “millinery” janë koktejet, dasmat, operat, premierat teatrale, ekspozitat. Edhe pse garat e kalërimit nuk mbahen në Kosovë, vlen të përmendet se ekziston një traditë e mbajtjes së kapelave “millinery” në këto gara, si për shembull Dubai World Cup, Kentucky Derby, Prix de Jockey Club, Royal Ascot, etj, ku edhe zgjedhen kapelat më të mira “millinery”.

Pse të mbani kapelë?

Siç u cek edhe më lart, kapela është një mënyrë e shkëlqyeshme për të potencuar fytyrën e juaj. Përveç kësaj, kapela do t’ju shërben për të kompletuar veshjen e juaj, si për raste të zakonshme, ashtu edhe në raste të veçanta. Mu për shkak se kapelat nuk mbahen sot nga çdo person, do t’ju veçoj juve nga masa, duke shtuar origjinalitetin në sytë e shoqërisë.

Keira Knightley në filmin “The Duchess” (film për kapela të mahnitshme) i tregon burrit të saj që femrat kanë veshje të komplikuara pasi “kjo është mënyra e vetme që femrat të shprehin veten dhe kohërat në të cilat jetojnë”.

Kështu që pyetni veten herën tjetër, kur të hapni gardërobën e juaj se cilat nga veshjet e juaja ju shprehin në mënyrë origjinale. Një kapelë e bukur që mund ta gjeni edhe në Kosovë, do të bëjë këtë pikërisht për juve!

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme