Rritja e fëmijëve pas divorcit

Prishtinë | 18 Maj 2023 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

Në këtë moment që jeni duke lexuar këtë artikull, disa prej jush mund të jenë në mendime për të ndërmarrë hapat e parë drejt një divorci, por në mënyrë automatike ju vjen në mendje ideja se nuk mund t’ia dilni për shkak të mirëqenies së fëmijëve tuaj. Kur fillojmë mendojmë se një divorc i mundshëm mund të jetë zgjidhja më e mirë për shuarjen e konflikteve midis nesh dhe partnerit, pashmangshmërisht mendojmë për fëmijët dhe se për ta do të ishte shumë herë më mirë të rriteshin në një familje të bashkuar.

Studimet e fundit tregojnë se fëmijët që kanë përjetuar divorcin e prindërve, nuk paraqesin konsekuenca negative afatgjata në arritjet akademike, aftësinë relacionale apo vetëvlerësim. Po çfarë mund të themi për mikrotraumat, të cilat ndodhin për shkak të ndryshimeve në përditshmërinë e fëmijëve, ngjarje këto që vështirë se mund të maten nga studime shkencore. Cila do të ishte zgjedhja më e mirë mes një martese të palumtur dhe ndarjes?

Studiuesit, mjekët, prindërit e divorcuar dhe fëmijët e tyre tashmë të rritur, pohojnë faktin se, është e mundur të rriten fëmijë të lumtur dhe të shëndetshëm edhe në skenarë familjare të ndryshme ku midis të tjerash prindërit nuk janë më bashkë.

Në fakt, duket e vështirë të besohet, sepse intuitivisht dimë se fëmijët duhet të rriten nga dy prindër të martuar dhe që jetojnë bashkë. Mundësisht, të kenë edhe një shtëpi të rehatshme me një kopsht të lulëzuar dhe një oxhak ku të kalojnë mbrëmjet e ngrohta familjare. Mirë do ishte të kishin edhe një ose dy vëllezër edhe një qenush të vogël. Por studime të shumta të 40 viteve të fundit tregojnë se nuk është kjo që fëmijët tanë kanë nevojë.

Psikologia Amerikane Mavis Hetherington në një studim me 2500 fëmijë doli në përfundimin se 80% e fëmijëve që kanë përjetuar divorcin e prindërve të tyre kanë ndryshime pozitive, krahasuar kjo me periudhën kur prindërit e tyre kanë qenë bashkë. Profesori i Cambridge, Micael Lamb ka analizuar një mijë studime të ndërmarra këto 40 vitet e fundit mbi mirëqenien infantile dhe rezultati ka qenë i njëjtë me atë të psikologes amerikane.

Pikërisht nga studimi i Lamb dalin dhe se cilat janë karakteristikat që një familje duhet të ketë për të qenë mbështetje në fëmijëri. Fëmijët janë mirë kur kanë marrëdhënie të kënaqshme me të dy prindërit dhe kur të rriturit kanë marrëdhënie të mira midis tyre. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që prindërit të jetojnë në të njëjtën banesë. Fëmijët mund të kalojnë lehtësisht një situatë pas divorcit nëse kanë pranë të rritur që dinë të rikuperojnë relativisht shpejtë qetësinë pas divorcit. Të rritur që dinë të përqendrohen në detyrën e tyre të prindërimit, të rritur që dinë të japin qëndrueshmëri, dashuri, disiplinë, dhe që dinë të kenë stabilitet edhe ata vetë.

Fëmijët kanë nevojë për një ambient të përshtatshëm, për ushqim të mjaftueshëm, për një banesë të sigurt, për mbështetje nga ambienti që i rrethon, dhe këto burime mund të ofrohen edhe nga prindërit e divorcuar.

2Në këtë studim del qartë se, martesa në vetvete nuk është faktori përfundimtar në mirëqenien emocionale të fëmijës. Një marrëdhënie e qetë me të dy prindërit dhe mos përfshirja e fëmijës në konflikte, është thelbësore në mirëqenien e tij emocionale.

Disa këshilla për të gjithë prindërit që kanë përjetuar divorcin dhe tani po mundohen të vendosin ekuilibrin në jetën e tyre:

Konflikti mes prindërve është një nga eksperiencat që dëmtojnë më shumë se një fëmijë. Shuarja e konfliktit dhe krijimi i një marrëdhënie bashkëpunuese me ish-bashkëshortin duhet të jetë përparësi për çdo prind.

Fëmijët duan stabilitet, prandaj është e udhës që prindërit të përqendrohen në krijimin e zakoneve të reja në mënyrë që të ristrukturojnë jetën e re si prindër të divorcuar.

Mund të mësojmë ta shohim divorcin si sfidë për t’u bërë prindër më të mirë, më të kujdesshëm ndaj nevojave të fëmijëve tanë. Mund të përshtasim disa karakteristika të partnerit si për shembull dëshirën për sport që mund të jetë argëtuese për fëmijën.

Duhet të mësojmë të krijojmë momente pozitive për fëmijët tanë, duke favorizuar pjesëmarrjen e tyre në aktivitete jashtë jetës familjare.

Për të qenë emocionalisht të pranishëm për fëmijët tanë, duhet që prindërit vetë të kenë arritur stabilitetin emocional, prandaj kujdesi për veten duhet të eci paralelisht me atë për fëmijën.

Të jesh prind i divorcuar ndoshta kërkon një ripërcaktim të zakoneve familjare, pak vëmendje më shumë në mirëqenien psikofizike të fëmijës, por asnjë fëmijë nuk do të qëndrojë peng i divorcit të prindërve të tij për gjithë jetën, sado të dhimbshme të kenë qenë eksperiencat secili nga ne ka mundësi t’i kontrollojë ato dhe të vendosë se çfarë marrëdhëniesh do të krijojë.

Përtej llojit të familjes, ku një fëmijë bën pjesë rëndësi themelore në zhvillimin dhe mirëqenien e tij psikofizike ka: dashuria, klima e qetë familjare, të ndjerit i pranuar dhe i dashur nga të tjerët. Karakteristika këto që nuk janë domosdoshmërisht të lidhura me martesën e prindërve.

Të ngjashme