Sekreti për të bërë miq të rinj, sipas shkencëtarëve të Harvardit

Prishtinë | 22 Pri 2023 | 23:53 | Nga Ekonomia Online

Në fëmijëri vazhdimisht ballafaqohemi me mundësi për të krijuar miq të rinj, mirëpo me kalimin e kohës shumë nga marrëdhëniet tona stabilizohen, ndërsa koha që kalojmë për tu shoqëruar me të tjerët shpenzohet duke i mbajtur kontaktet me miqtë tanë ose duke takuar partnerë potencial.

Krijimi i një miqësie të re pas kolegjit del të jetë paksa më sfiduese, por siç theksohet në “Psychology Today”, shkencëtarët e Harvardit sugjerojnë një teknikë të caktuar të bisedës e cila mund t’i përmirësoj shanset tuaja për të bërë miq të rinj, transmeton Telegrafi.

Kur bisedojmë me të panjohurit dhe kur bëjmë një përpjekje të vetëdijshme për ta mbajtur dialogun të balancuar, ne zakonisht përfundojmë duke folur për veten më shumë sesa duke i bërë pyetje personit tjetër.

Arsyetimi ynë në të vërtetë është shumë i sjellshëm – ne frikësohemi se e ofendojmë duke ndërhyrë ose fyejmë me pyetjen e gabuar dhe është shumë më e lehtë dhe më e sigurt që të flasim për veten tonë.

Mirëpo, autorja e studimit, Karen Huang dhe kolegët e saj, zbulojnë se duke bërë pyetje dhe duke vazhduar me pyetjet pasuese, ne vërtetojmë pikëpamjen e tjetrit dhe shprehim interesim ndaj tij. Hulumtimi tregon se kur u provua me pjesëmarrës të tjerë të studimit, individët që parashtruan më shumë pyetje u vlerësuan si më të pëlqyeshëm.

“Ironikisht, ata të cilët iu pyetën më shumë pyetje dinin më pak për partnerët e tyre, por gjithsesi i pëlqyen më shumë ata”, shkruan David Ludden, Ph.D., autor i “Psikologjisë së Gjuhës”

Kështu që herën tjetër që jeni duke bashkëbiseduar me persona të rinj, për të cilët shpresoni që një ditë të jenë miqtë tuaj – ose në qoftë se doni të lini një përshtypje të parë të mirë – merrni shembull nga ky studim dhe sigurohuni që jeni më të përfshirë në bisedë me partnerin tuaj të bisedës duke parashtruar më shumë pyetje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme