23 sulme ndaj gazetarëve kosovarë, OSBE kërkon siguri për punë

Prishtinë | 02 Nën 2017 | 13:42 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Misioni për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian ( OSBE) ka organizuar një diskutim me gazetarë, përfaqësues të organeve të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Ndalimin e Mosndëshkueshmërisë së Krimeve Kundër Gazetarëve.

Me këtë rast u bë e ditur se vetëm këtë viti deri në tetor, në Policinë e Kosovës janë paraqitur 23 raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve, raporton Ekonomia Online.

Christopher Tuetsch, drejtor i Departamentit për Demokratizim në OSBE, iu bëri thirrje të gjitha institucioneve relevante në Kosovë që t’iu sigurojnë kushte të sigurta të punës dhe liri të punës së tyre në medie.

“Mbi 20 raste këtë vit janë shumë dhe ne nuk duhet të qëndrojmë duarkryq”, tha Tuetsch, pjesë e panelit të diskutimit me temën “Siguria e gazetarëve dhe roli i organeve të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të drejtësisë për t’i dhënë fund mosndëshkimit për krime kundër gazetarëve”.

“Siguria e gazetarëve është një parakusht për lirinë e fjalës dhe media të lira. Prandaj, unë inkurajoj institucionet që merren me krimet kundër gazetarëve për të siguruar një përgjigje sistematike, hetime të shpejta, dhe gjykime lidhur me raste të tilla”.

Kryeredaktori i portalit Insajder, Vehbi Kajtazi, i cili ishte sulmuar fizikisht disa ditë më parë, tha se po injorohen sulmet ndaj gazetarëve.

“Kemi pasur shumë raste të kërcënimeve, por gjithmonë i kemi injoruar, megjithatë kur u sulmova fizikisht e pash se në çfarë gjendje jemi, ku dikush mund të sulmojë në pikë të ditës në mes të 200 personave”.

Gjatë muajit shtator dhe tetor Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me gjobë në vlerë 300 dhe 500 euro kërcënuesit e gazetarëve.

Prokurori Besim Kelmendi ka ftuar të gjithë ata që kanë informacione të paraqesin informacione në prokurori.

“Kjo më bën që punën time si prokuror të mundohem ta bëj sa më mirë. Në sistemin prokurorial ka filluar të ndryshojë gjendja dhe inkurajojmë që çdo rast të mos hezitojnë ta paraqesin tek koordinatorët nëpër gjykata”.

Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës, tha se deri tetor janë 23 raste dhe sipas tij, edhe format e kërcënimeve kanë filluar të ndryshojnë çka po e bën edhe pak me të vështirë punën e tyre.

“Ne gjithmonë do t’u qëndrojmë afër dhe inkurajojmë gazetarët që për çdo gjë ta paraqesin në polici po edhe të më kontaktojnë mua direkt”.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën e Sesionit të 68-të në vitin 2013, e cila përcakton 2 nëntorin si “Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve”.

Data ishte zgjedhur në kujtim të vrasjes së dy gazetarëve francez në Mali më 2 nëntor, 2013.

Të ngjashme