Afro 12 mijë shtetas nga Kosova brenda ditës kanë hyrë në Shqipëri

Prishtinë | 17 Kor 2018 | 08:14 | Nga

Udhëtarët nga Kosova që vijnë në Shqipëri për pushime kanë bërë që të krijohen radhë të gjatë automjetesh në pikëkalimin kufitar Morin-Vërmicë, kryesori që lidh Kosovën me Shqipërinë.

Policia kufitare në Morin ka njoftuar se po bashkëpunon me Policinë e Kosovës, duke aplikuar masa lehtësuese me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe eliminimin e vonesave për pushuesit, shkruan sot Koha Ditore.

Në një komunikim me mediat, të hënën, komandanti i Pikës së Kalimit Kufitar në Morin, Ermal Haxhi së bashku me Nasuf Sinanajn, specialist i Qendrës së Përbashkët të Bashkëpunimit Policor të Kosovës (QPBP), kanë theksuar se falë këtij bashkëpunimi është përballuar me sukses fluksi i jashtëzakonshëm i pushuesve kosovarë që vijnë për të kaluar pushimet në Shqipëri.

Policia e Shtetit po vijon në të gjitha pikat e kalimit kufitar, porte dhe aeroport, në biznese dhe plazhe, shpërndarjen e 5 llojeve fletëpalosjesh me informacionin e duhur për të gjitha kategoritë e pushuesve (për pushuesit nga Kosova, për pushuesit e huaj, për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, për pushuesit në bregdet dhe për bizneset në bregdet).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme