Agim Veliu i kundërpërgjigjet PDK-së

Podujevë | 22 Mar 2017 | 16:23 | Nga

Komuna e Podujevës ka reaguar ndaj komunikatës së PDK-së, ku thuhet se nxënësit e kësaj komune po rrezikohen nga qentë endacak dhe mësimdhënësit e pakualifikuar.

Komuna e Podujevës e cila udhëhiqet nga Agim Veliu nga radhët e LDK-së, përmes një reagimi për media ka thënë se propaganda e PDK-së ndaj kryetarit Veliu shkon aq larg sa që edhe mësimdhënësit e shkollave të kësaj komune i krahason me qentë endacakë.

Reagimi i plotë i Komunës së Podujevës:

“Fushata shpifëse dhe e paturpshme e PDK-së në Podujevë

Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Podujevë, ka ndez motorët e fushatës dhe propagandës politike ndaj Komunës së Podujevës, pa zgjedhur formë as mjete.

Në propagandën dhe fushatën e saj ndaj kryetarit të Komunës dhe administratës komunale, PDK shkon aq larg sa edhe mësimdhënësit e shkollave të kësaj komune i krahason me qentë endacakë. Shkas për kumtesat e përditshme të PDK-së është bërë çdo aktivitet dhe angazhim i kryetarit të Komunës, të cilat po e pengojnë PDK-në.

PDK merr si shkas vizitën e kryetarit Veliu në një shkollë ku është duke u realizuar projekti kontrollit sistematik të nxënësve me qëllim të parandalimit të sëmundjeve të ndryshme dhe edukimin shëndetësor. Thua se kryetari Veliu asnjëherë deri tash nuk i paska vizituar shkollat!

Dhe, pa fije turpi kjo parti bën krahasimin e përkujdesjes shëndetësore për nxënësit në shkolla me rrezikun që u kanoset atyre nga qentë endacakë. Ndërsa, PDK e di fortë mirë se Komuna dhe vetë kryetari Veliu, tash e një vit janë duke kërkuar zgjidhje për qentë endacak, por kjo çështje ka mbetur të zgjidhet në nivel të vendit.
Që ironia të jetë më e madhe, rrezikun nga qentë endacakë për nxënësit, PDK e ndërlidh edhe me “rrezikun” nga mësimdhënësit e “pakualifikuar”.

Është e pavërtetë se në shkollat e Komunës së Podujevës punojnë mësimdhënës të pakualifikuar dhe këtë e dëshmojnë edhe raportet e rregullta të Inspeksionit të MASHT-it. Prandaj, sa jo korrekte, është po aq e pamoralshme që dikush në PDK mësimdhënësit e tyre të deridjeshëm (ata me shkolla normale), që dhanë gjithçka për mbijetesën e shkollës shqipe, t’i krahasojnë me qentë endacakë.
E kuptojmë që krejt këtë PDK po e bën në kuadër të fushatës politike. Mirëpo, edhe në politikë edhe në luftën për pushtet, ka disa rregulla dhe norma morale e njerëzore.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme