AGK i bën thirrje VV-së që të tërhiqet nga akuzat ndaj mediave

Prishtinë | 10 Dhj 2016 | 12:39 | Nga

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes një njoftimi për media, thotë se i ka përcjellë me kujdes akuzat që subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë gjatë ditëve të kaluara ndaj drejtorit gjeneral të RTK-së, Mentor Shala, si dhe kolegut Ridvan Berisha.

“Ne jemi të shqetësuar me gjuhën e përdorur nga Vetëvendosje. Kundërshtojmë çdo formë të presionit dhe linçimit që po bëhet ndaj udhëheqësve të mediumit publik. Këto akuza dhe linçime kanë ndikim të drejtpërdrejt në punën e RTK-së, si dhe prekin të gjithë kolegët gazetarë të këtij mediumi”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“Ne i bëjmë thirrje Vetëvendosjes që të tërhiqet nga këto akuza dhe linçime të vazhdueshme dhe të kujdeset që kundërshtimet që i ka t’i bëjë në mekanizmat përkatës. Një gjuhë e tillë nuk guxon të përdoret në raport me mediat e aq më shumë nuk duhet të vije nga subjektet politike. E vetmja zgjidhje është puna më intensive e institucioneve të Kosovës në zbardhjen e të gjitha rasteve”, thuhet më tej në reagim.

Sipas AGK-së, është fatkeqësi që ende hetuesia nuk ka arritur që t’i zbulojë të dy rastet e hedhjes së bombave, njëra në drejtim të objektit të RTK-së si dhe tjetra në shtëpinë e drejtorit të mediumit publik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme