AGK reagon ndaj pengimit të mediave në Kuvend

Prishtinë | 21 Mar 2018 | 19:31 | Nga

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon aktin e pengimit të qasjes së medieve në informacion dhe censurimit të pamjeve nga momenti i arrestimit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

AGK konsideron se Kuvendi i Kosovës, institucion që ka miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke ndërprerë transmetimin e pamjeve nga kamerat e kuvendit dhe duke lëvizur fokusin e kamerave të medieve të akredituara që ishin duke regjistruar pamjet nga hapësira e rezervuar në sallën e Kuvendit, kanë penguar punën e gazetarëve, qasjen në informacion dhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të informuar, duke bërë shkelje të nenit 42 të Kushtetutës, që garanton lirinë e medieve.

AGK po ashtu është njoftuar nga kolegët të cilët kanë qenë mbuluar seancën se atyre u është kërkuar që ta lirojnë sallën e kuvendit ku po mbahej seanca plenare.

AGK kërkon nga kreu i Kuvendit që të ndërmerr masa për lejimin e papenguar të qasjes së gazetarëve në informacion dhe të mos lejoj veprime të tilla, të cilat cenojnë drejtpërdrejt punën e gazetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme