Agron Mustafa: Kodi, një prej lajmeve më të mira për vendin

Prishtinë | 16 Dhj 2016 | 08:12 | Nga

Drejtori menaxhues i Telekomit, Agron Mustafa, ka bërë të ditur se është kryer me sukses thirrja e parë testuese me kodin e ri telefonik +833 të Kosovës.

“Sot i kemi vënë në funksion disa numra, i kemi shikuar se a funksionojnë apo jo. Thirrja e parë është bërë me ministren Edita Tahiri”, ka treguar Mustafa.

Ai ka thënë se janë disa probleme teknike të cilat duhet të rregullohen dhe disa procedura që duhet të ndiqen para se të funksionojë për të gjithë klientët.

“Është me rëndësi të dihet se do të jetë një periudhë transitore 12 deri në 24 muaj, por prej 12 deri në 18 muaj do të jetë maksimumi që do të përfundojë. Përveç migrimeve teknike, do të ketë edhe punë logjistike të shumta, nuk do të jetë punë e lehtë pasi do duhej që të gjithë klientët t’i ndërrojnë sim kartelat”.

Drejtori i Valës është shprehur se kodi i ri për Kosovën, është një prej sukseseve të shtetit të Kosovës.

“Pas pranimit në UEFA dhe FIFA, ky mendoj që është një prej lajmeve të dyta më të mira si vend, mendoj fuqishëm që edhe njëherë e konfirmon shtetësinë absolute në fushën e telekomunikacionit”.

Ai ka folur për shpenzimet që ka bërë VALA duke mos pasur Kosova kod të vetin telefonik. “Përveç në aspektin ekonomik, ne deri më sot kemi paguar 194 milionë euro tek partneri ynë strategjik, Monako”.

Mustafa ka thënë se pikërisht këto para tani do të kursehen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme