Blaku: Akademia po keqpërdoret për interesa personale

Prishtinë | 19 Dhj 2016 | 08:30 | Nga

Profesori universitar i ekonomisë dhe demografisë, Rifat Blaku, ka kritikuar drejtuesit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) për organizimin e tryezave për interesa private.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se tryeza e javës së kaluar ishte dështim, meqë në vend se të diskutohet për migracionin nga njerëzit adekuatë, sipas Blakut, aty u treguan përralla nga disa “anonimusa”.

“Pjesëmarrës në këtë tryezë klandestine ishin disa anonimusa, të cilët në jetën e tyre asnjë shkronjë nuk e kanë shkruar për emigracionin. Të flitet për emigracionin dhe të dëgjosh përralla nga këta anonimusa është më tepër se neveritëse”, ka deklaruar Blaku.

Ai ka paralajmëruar se do t’i padisë kryetarin e AShAK-ut, Hivzi Islamin dhe anëtarin tjetër të Akademisë, Anton Berishajn, për sjelljen monstruoze ndaj tij, si dhe për keqpërdorim të parasë publike.

“Do t’i padis për mosdhënie të fjalës së lirë akademike, për shkeljen e të drejtave të njeriut, për shkeljen e autoritetit të profesorit universitar si dhe për mashtrim dhe keqpërdorim të parasë publike. Këta po e keqpërdorin Akademinë për tryeza të kota me njerëz diletantë”, ka theksuar ai, duke shtuar se kanë përfunduar arsyet për të qëndruar kjo piramidë spekulative në krye të kësaj Akademie.

“Tregimi për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është tepër shqetësues, është një tregues i gjendjes se shfrenimit të drejtuesve të saj, që në emër të Akademisë dhe me mjete të popullit të varfër të Kosovës, marrin para të majme, organizojnë tryeza të shpifura me njerëz joadekuatë të grupit dhe hyzmeqarëve të ndryshëm që do të demaskohen së shpejti. Kjo është e padurueshme, kanë përfunduar arsyet që ky grup dhe këta shërbëtorë dhe spekulantë të demaskohen, të përmbysen dhe të groposen. Marsi do ta shpartallojë këtë Akademi. Në qofsha unë gjallë, këta ose kanë me dal me bisht për dere, ose do t’i hedh për dritare!”, është shprehur Blaku.

“Epoka e re”: Z. Blaku, cila ishte arsyeja e reagimit tuaj ndaj mbajtjes së një tryeze shkencore të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në të cilën temë diskutimi ishin migrimet?

Blaku: Të enjten (më 15 dhjetor) në objektet superluksoze të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ishte organizuar, kinse një tryezë shkencore, me një titull të përgjithësuar: ‘Për migrimet’. Unë nuk isha i ftuar në këtë tryezë, ndonëse me këtë problem jam marrë shumë, madje kam doktoruar, kam qenë ministër për emigracion në qeverinë e luftës si dhe kam marr pjesë në shumë tryeza ndërkombëtare. Pjesëmarrës në këtë tryezë klandestine ishin disa anonimusa, të cilët në jetën e tyre asnjë shkronjë nuk e kanë shkruar për emigracionin. Madje, Akademia kishte paguar edhe transmetimin e drejtpërdrejtë të kësaj ngjarje me tetë referues dhe gjashtë dëgjues. Të flitet për emigracionin dhe të dëgjosh përralla nga këta anonimusa është më tepër se neveritëse. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, kishte temën: ‘Push dhe Pull faktorët në migrimet e jashtme’. ‘Push dhe Pull’ janë fjalë ndërkombëtare. ‘Push’ do të thotë faktorët refuzuese, dëbuese që ndikojnë në largimin e njerëzve nga një vend siç është skamja, dhuna e të tjera, kurse ‘Pull’ do të thotë faktorët tërheqës, siç është puna, perspektiva e të tjera. Me mjete të Akademisë ky fliste për këto përralla, prandaj do të bëj kërkesë për shkarkimin e gradës shkencore dhe për largimin e tij nga menaxhimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ky zotëri është një spekulant i madh dhe një mashtrues, i cili ka magjistruar në Zagreb, por jo tek profesorët kompetentë për çështjet e popullsisë. Një mjerim tjetër ishte Lumnije Kadriu, e cila foli për temën: “Diaspora shqiptare e Kosovës brenda përkufizimeve të diasporës dhe transnacionalizmit”.

Aty foli edhe Arsim Canolli me temën: “Janë zhdjergë në shehër”, një pamje etnografike e migrimit të brendshëm fshat-qytet në Kosovë”. Ishte edhe Shemsi Krasniqi që foli për temën: “Kujtesa dhe rrëfimet mbi eksodin e vitit 1999”, por të gjithë e dinë se në vitin 1999 ka pasur pastrim etnik dhe jo eksod. Një pjesëmarrës tjetër ishte Tahir Latifi, me temën: “Migrimi dhe familja transnacionale: roli i remitancave në ruajtjen e kohezionit social në familjen kosovare”. Këtu foli edhe Anton Kolë Berishaj. Këta 5-6 njerëz e mbaruan këtë cirk, dhe erdhi koha e diskutimit, dhe unë e kërkova fjalën për ta shprehur pakënaqësinë dhe e bëra një notë proteste. Thashë më mirë është ta shpallim të dështuar dhe qesharake këtë tryezë, sepse aty nuk ishin të pranishëm njerëzit adekuatë për migracion, përfaqësuesit e Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Punëve të Jashtme, zyrtarët e tjerë qeveritarë, përfaqësuesit e shoqërisë civile, KMDLNj-së dhe ekspertët e ekonomisë. Humbja më e madhe për ekonominë e një shteti dhe kombi është mosshfrytëzimi i kontingjentit punonjës që në Kosovë është mbi 52 për qind. Në kapitullin e fundit të diskutimit kërkova tri herë fjalën, por nuk m’u dha. Anton Kolë Berishaj dhe Hivzi Islami ikën me bisht nën këmbë. Por, kjo punë nuk do të mbarojë me kaq. Unë do ta vazhdoj betejën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme