Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” do të fillojë më 15 shtator

Prishtinë | 20 Gus 2018 | 17:22 | Nga

Në kuadër të angazhimit të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka mbajtur takimin e dytë me anëtarët ministror të Task Forcës.

Në këtë takim, u.d ministri Matoshi dhe përfaqësuesit e Task Forcës, janë koordinuar për veprimet e mëtutjeshme për realizimin e aksionit për pastrimin e mjedisit, i cili aksion do të fillojë më 15 shtator 2018.

Gjatë këtij takimi, u.d ministri Matoshi ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, do të kërkohet miratimi i Planit të Veprimit të Task Forcës si dhe miratimi i buxhetit për realizimin e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Në mbledhjen e ardhshme do ta informojë Qeverinë e Kosovës në lidhje me hapat dhe përparimin që ka pasur takimi i Task Forcës dhe shumë shpejt pres që Plani i Veprimit dhe buxheti për aksionin e 15 shtatorit të miratohet në Qeveri”, tha Matoshi.

U.d ministri Matoshi, kërkoi angazhimin e të gjitha ministrive përkatëse në grupe teknike dhe politike, për të realizuar aksionin tre mujor për pastrimin e vendit, duke marrë kështu mbështetje logjistike dhe teknike nga ta.

Rol të rëndësishëm në aksionin për pastrimin e vendit, sipas u.d ministrit Matoshi, do të kenë edhe Komunat e Republikës së Kosovës për largimin e deponive ilegale.

“ Aksioni për pastrimin e mjedisit , është aksioni më i madh në Republikën e Kosovës, andaj rol të veçantë këtu do të kenë edhe komunat e vendit”, deklaroi Matoshi.

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” do të fillojmë më 15 shtator 2018 dhe do të zgjasë deri më 15 dhjetor 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme