Ambasadës amerikane i ndahet çmimi “Pjetër Bogdani”

Prishtinë | 11 Pri 2017 | 10:34 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për herë të parë Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ndanë çmimin për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare.

Ky çmim është themeluar rishtazi dhe është paraparë të ndahet për ata që përkrahin bibliotekën.

Çmimi “Pjetër Bogdani” sivjet iu nda Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, të cilin çmim e pranoi ambasadori Greg Delawie, raporton Ekonomia Online.

Ambasadori Delawie u shpreh tejet i kënaqur që ambasada ndihmon në zhvillimin e bibliotekave anekënd Kosovës.

“Mendoj që më keni dëgjuar edhe më herët që bibliotekat në ShBA janë edhe bërthamë për zhvillimin e komuniteteve dhe për këtë ju falënderoj shumë edhe juve që vazhdoni t’i mbroni dhe zhvilloni komunitetet”, tha ai.

“Kosova është treg i vogël dhe ja ka dalë për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtën e pronësisë autoriale. Task Forca kundër piraterisë ka bërë një punë shumë të mirë, por unë dua të shoh më shumë palë të përfshira në këtë çështje”, ka theksuar ambasadori Delawie.

Kryeministri i republikës së Kosovës Isa Mustafa tha se  bibliotekat janë themelet e një shteti të shëndetshëm. Ai tha se Bibliotekat e Kosovës dikur dhe sot kanë ruajtur promovuar trashëgimin tonë.

“Bibliotekat reflektojnë diversitetin dhe karaktereve të studiuesve tanë dhe është një burim më i plotë i kërkimit të informacionit si në aspektin profesional po ashtu edhe për familjar dhe zyrtarë Njerëzit kudo në botë i përdorin burimet  e bibliotekës për të përforcuar dhe avancuar dijen e tyre. Ne dëshirojmë ta ndërtojmë bibliotekën tonë po edhe të fuqizojmë arkivat dhe muzetë tona për të përfaqësuar të gjitha përkatësitë tona  dhe ne do të punojmë që ta orientojmë bibliotekën tonë në integrime evropiane”, tha kryeministri Mustafa.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se janë të përkushtuar që të modernizohen bibliotekat e Kosovës.

“Digjitalizimi është një proces global dhe ai ka përfshirë edhe bibliotekën e cila posedon një aset të konsiderueshëm të titujve të ndryshëm dhe padyshim qasja digjitale në regjistrin dhe indeksin e burimeve të Bibliotekës do të ndihmojë në qasjen sa më të lehtë dhe Ministria e Arsimit ka pas nderin që të ndihmoj dhe do të vazhdoj përsëri me të gjitha mundësitë e veta që të ndihmoj modernizimin e bibliotekës, këtij institucioni shumë të rëndësishëm për zhvillimin akademik, për hulumtimin dhe kërkimin shkencor. Edhe njëherë në emër të Ministrisë së Arsimit shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm”, tha ministri Bajrami.

Fazli Gajraku drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha se mbrojtja e autorësisë nga plagjiatura të drejtat e autorit janë këto probleme që këtë javë të bibliotekës do të bëhet përpjekje për t’i dhënë zgjidhje.

“Problemeve si mbrojtja e autorësisë nga plagjiatura dhe të drejtave të autorit këtë javë do të përpiqemi që t’u gjejmë zgjidhje”, tha ai.

Gajraku shpalosi edhe mbarëvajtjen e aktiviteteve  që do të ndodhin në mbarëvajtjen e javës së bibliotekës.

Gjatë hapjes së javës së Bibliotekës në Kosovë u ndanë edhe disa mirënjohje për persona që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e veprimtarive brenda bibliotekës dhe jashtë saj.

Të ngjashme