Avancime e punësime pa respektimin e procedurave në KQZ

Prishtinë | 24 Qer 2018 | 11:08 | Nga

Pesë nënpunës në Komisionin Qendror Zgjedhor ishin avancuar në pozita menaxheriale pa u shpallur ndonjë konkurs për avancim në karrierë, gjë që përcaktohet me rregullore.

Kështu të paktën ka gjetur Auditori i Përgjithshëm në raportin e publikuar për vitin 2017-të.

Veç kësaj, Auditori ka gjetur edhe një numër pozitash menaxheriale të cilat mbahen me ushtrues detyre duke i tejkaluar afatet ligjore, shkruan lajmi.net.

“Mangësi ishin vërejtur në procesin e avancimeve për pesë pozita menaxheriale. Këto avancime të pozitave janë bërë me vendim për transferimin e nëpunësit, duke u bazuar në rregulloren e brendshme 04/2017. Megjithëse, ato nuk ishin transfere mirëpo ishin avancime për pozita menaxheriale, të cilat nuk janë në përputhje me nenin 4 paragrafi 1 dhe 2 të Rregullores Nr. 21/2012 për Avancim në Karrierë të Nëpunësve Civilë. Kjo rregullore kërkon që paraprakisht njësia e personelit të zhvillojë procedurat e avancimit. KQZ nuk kishte shpallur ndonjë konkurs për avancim në karrierë”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Shkelje janë gjetur edhe në përzgjedhjen e stafit për shërbime të veçanta.

KQZ kishte angazhuar staf për zgjedhjet e vitit 2017 pa procedura konkuruese, për shkak të afatit të kufizuar kohor.

“KQZ kishte angazhuar staf për zgjedhjet e jashtëzakonshme në qershor 2017. Për shkak të afateve të kufizuara për angazhimin e tyre në procesin zgjedhor dhe në pamundësi për të zhvilluar procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, KQZ si praktikë aplikon angazhimin e kandidatëve nga lista e zgjedhjeve paraprake”, thuhet në raport.

Por Auditori ka gjetur se në nëntë raste që punëtorët nuk ishin marrë nga lista e zgjedhjeve paraprake, nuk kishte dëshmi se të njëtit ishin përzgjedhur.

“Ligji për Shërbimin Civil, në nenin 12 kërkon që për kontrata për shërbime të veçanta të zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Nga 14 kontratat e testuara për shërbime të veçanta të vitit 2017, vërejtëm se në nëntë raste (që nuk ishin marrë nga lista e zgjedhjeve paraprake) nuk kishte dëshmi se si ishin përzgjedhur”, ka gjetur tutje Auditori.

Ndryshe Komisioni Qendror Zgjedhor ishte ballafaqur me organizimin e dy palë zgjedhjeve. Atyre qendrore të jashtëzakonshme, dhe gjithashtu zgjedhjeve të rregullta lokale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme