Avokati i Dakës: KP-ja ta respektojë parimin e meritokracisë

Prishtinë | 22 Qer 2017 | 18:44 | Nga

Artan Qerkini, avokat i Valdete Dakës ka thënë në Info Magazinë të Klan Kosovës se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të Dakës, e cila ishte ankuar se në procedurën e përzgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës ka pasur parregullsi të cilat kanë reflektuar në cenimin e të drejtave të saj të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ishte i drejtë dhe se ai vendim kërkon të respektohet parimi i meritokracisë.

“Gjykata ka konstatuar se nuk është respektuar parimi i meritokracisë, që është parim bazë, atëherë kur zgjidhen gjyqtarët në poste udhëheqëse”, ka thënë Qerkini.

“Në votimin për Valdete Dakën nuk është përcaktuar vlera e votës abstenuese. Prandaj, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor të përcaktojë vlerën e votës abstenuese. Përzgjedhja e gjyqtarëve duhet të bëhet në bazë të meritokracisë”.

“I mbetet Këshillit Gjyqësor të përcaktojë një sistem ku meritokracia të mbizotërojë”.

Ai ka thënë se ky rast, i kryetares aktuale të Komisioni Qendror Zgjedhor, është i pari i këtij lloji, mirëpo që do të shërbej për të ardhmen.

“Kjo është hera e parë që ndodh diçka e tillë, që do të shërbejë për të zgjedhur disa dilema, dhe ky rast dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të shërbejë si precedent për rastet e tjera”.

“Pres që gjithçka të kryhet në kohë optimale, pasi ky vendim duhet të zgjidhet drejt. Pra të mos vonohet tejmase, por as mos të bëhet me nguti”.

Të ngjashme