Avokati i Popullit vizitoi familjet rome në Graçanicë

Prishtinë | 11 Pri 2018 | 15:19 | Nga

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, gjatë takimit me përfaqësuesit e komunitetit rom në Lagjen e Romëve në Graçanicë, kërkoi një angazhim më të madh institucional në përmirësimin e kushteve të jetës së pjesëtarëve të komunitetit rom.

Duke folur për përkushtimin e Institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, Jashari theksoi nevojën e ndërgjegjësimit të shoqërisë për sfidat me të cilat përballet komuniteti rom.

Gjatë kësaj vizite, Avokati i Popullit, me bashkëpunëtorët, vizituan edhe OJQ “VoRAE” (Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve) e cila ka një mandat për të mbështetur komunitetet e përmendura, përmes ndërhyrjes së drejtpërdrejtë, mbështetjes teknike dhe këshillave në fushën e punësimit, strehimit, arsimit dhe të drejtave njerëzore / civile.

Drejtori Ekzekutiv i OJQ-së, Isak Skenderi, duke folur për aktivitet e organizatës, falënderoi IAP për përkrahje dhe bashkëpunim në realizimin e misionit, mbështetjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Duke folur për problemet me të cilët ballafaqohen pjesëtarët e këtyre komuniteteve z. Skenderi, foli për rastet e ndryshme të diskriminimit tek këto komunitete, rastet e personave të riatdhesuar, braktisjen e shkollimit, banimin si dhe sfidat rreth respektimit të kuotës lidhur me përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në shërbimin civil të Kosovës.

Gjithashtu, Avokati i Popullit së bashku me bashkëpunëtor vizituan edhe disa familje të komunitetit rom dhe u njoftuan me problemet e tyre. Në njëjtën kohë i takuan disa nga familjet tjera rome që me ndihmën e IAP dhe OJQ “VoRAE” kanë zgjidhur pozitivisht ankesat e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme