Balogh në UBT: Pa Kosovë stabile nuk ka as Ballkan stabil

Prishtinë | 16 Nën 2016 | 19:03 | Nga

Drejtori Gjeneral për Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë, István Balogh, ka mbajtur një ligjëratë tematike në UBT, më temë: “NATO dhe Hungaria 1999-2016”.

Ligjërata u përcoll edhe nga ambasadori i Hungarisë në Kosovë – Laszlo Markusz; Konsulli i Hungarisë në Kosovë, – Zoltan Solyom; Këshilltari për Çështje të Sigurisë – Erik Baktai; ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, si dhe nga profesorë e student të UBT-së.

Duke folur për Kosovën dhe aspiratën e anëtarësimit në NATO, Balogh tha se pa një Kosovë stabile, nuk do të ketë as Ballkan stabil.

“Stabiliteti i shteteve varet nga marrëdhëniet e mira mes tyre, veçmas atyre të Ballkanit”, theksoi ai me porosinë që “duhet punuar drejt përmirësimit të raporteve dhe forcimit të paqes”.

Sipas Balogh Hungaria ka qenë përkrahëse dhe mbështetëse e fortë dhe e vazhdueshme e Kosovës nëpër proceset më të rëndësishme.

“Hungaria ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdojmë mbështetjen deri në anëtarësimin e saj në NATO e BE”, shtoi ai.

Drejtori Gjeneral për Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë, István Balogh, sqaroi edhe për rrugën e anëtarësimit të Hungarisë në NATO. Theksoi motivet dhe arsyet kryesore që e kanë shtyrë Hungarinë të bëhet pjesë e NATO-s, sfidat me të cilat janë përballur, faktorët që kanë ndikuar në marrjen e ftesës për anëtarësim, të mirat dhe përfitimet e të qenit pjesë e kësaj organizate, miratimin dhe ndryshimin e politikës në aspektin e mbrojtjes, eksperiencën e fituar si pjesë e NATO-s etj.

“Ne kemi pasur arsye të aspektit intelektual, filozofik e politik për t’u bërë pjesë e NATO-s”, u shpreh ai, teksa përmendi në mënyrë të detajuar sfidat kryesore me të cilat është përballur Hungaria, deri tek rruga që çoi në anëtarësim.

“Është dashur të ndërtohej një politikë dhe demokraci stabile, të ristrukturohej Ministria e Mbrojtjes, të specializohej dhe profesionalizohej ushtria, të bindej NATO, që prezenca jonë mund të sillte vlerë dhe kontribut brenda grupit të shteteve aleate, por edhe të fitohej mbështetja publike”, vijoi ai. Vështirësi tjetër, ai e përmendi edhe faktin që Hungaria nuk kishte se ku të merrte model për të ndjekur gjatë rrugëtimit drejt pranimit në NATO.

“Ne nuk kemi pasur model, por e kemi kuptuar procesin, vetëm pasi që jemi bërë pjesë e tij”, theksoi Balogh.

Sipas tij, për të realizuar qëllimin, Hungaria është dashur që të kontribuojë në rrafshin e sigurisë dhe investimeve.

“Hungaria ka investuar në modernizimin e ushtrisë dhe armatimit, në specializimin e ushtarëve, në përmirësimin e imazhit dhe në ruajtjen e paqes”, theksoi ai, ndërsa përmendi përfitimet që pasuan nga anëtarësimi.

“Kemi arritur që të krijojmë mënyrë efikase në organizimin e mbrojtjes shtetërore, investimet dhe përmirësimet në aspektin e mbrojtjes, krijimin e lidhjeve të reja mes shteteve anëtare, arritjen e marrëveshjeve bilaterale mes shteteve që nuk bëjnë pjesë në NATO etj”.

Ligjërata e drejtorit gjeneral për Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë, István Balogh, përfundoi me një debat, në të cilin u angazhuan edhe ambasadorët, profesorët e studentët e UBT-së.

Debati kryesisht u orientua në shqetësimin e pjesëmarrësve në ndryshimin e politikës së SHBA-së karshi vendeve evropiane pas zgjedhjes së Donald Trump-it për president, si dhe mbi politikën e jashtme që po zbaton Hungaria drejt lobimit për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme