Borxhi prej 10 mijë eurosh – televizioni që e keqtrajtonte Dardan Gashin

Prishtinë | 13 Qer 2018 | 14:21 | Nga

Në deklarimin e pasurisë, zëvendëskryeministri Dardan Gashi ka treguar se një medium nuk e trajtonte mirë gjatë kohës sa punonte aty. Nuk ja jepte pagën me rregull. Edhe pse kanë kaluar gati një vjet prej se e ka lënë punën aty, ky televizion ende nuk ia ka paguar pagat që ia ka borxh.

Dardan Gashi, në shtator të vitit 2015, kishte vendosur që të pezullonte aktivitetin e tij si politikan. Ishte rikthyer që të punonte si gazetar. Ishte punësuar në televizionin “Tribuna Channel”, për të drejtuar emisionin “Republika”.

Kishte realizuar një sërë intervistash. Kishte lënë këtë emision për t’iu rikthyer sërish politikës. Sot është zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Por, ka një telashe të madhe me televizionin për të cilin ka punuar. Ende ankohet për padrejtësinë që i është bërë nga drejtuesit e këtij mediumi.

Këtë e ka shfaqur edhe në deklarimin e pasurisë, të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Ka shënuar se “Tribuna Channel” ende i ka borxh. Nuk dihet se sa e ka pasur pagën në këtë televizion, por zëvendëskryeministrit Gashi ende nuk i janë paguar të gjitha pagat për punën që e ka bërë aty.

Sipas Dardan Gashit, shuma totale e borxhit të akumuluar nga pagat është në vlerë prej 10 mijë eurosh.

Ky televizion drejtohet nga Sejdi Demiri dhe Besiana Hoti, dhëndri dhe vajza e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti.

Ky medium nuk ka probleme vetëm me Dardan Gashin, i cili në të kaluarën ka punuar si gazetar në revistën “Zëri” në Kosovë, Agjencinë e Lajmeve “APA” në Vjenë, të përditshmen austriake “Der Standard” si dhe korrespodent për radiot Deutsche Welle dhe BBC.

Ndërkohë, hall të njëjtë kanë edhe një numër i madh gazetarësh, kameramanësh e zyrtarë të administratës, të cilët kanë punuar në këtë medium.

Një numër i madh i ankesave kundër këtij mediumi janë dorëzuar në Inspektoratin e Punës. Ankohen se mediumi ka shkelur të drejtat e tyre, duke mos ua dhënë pagat. Lidhur me këto shqetësime, ende nuk është bërë publik asnjë vendim i Inspektoratit të Punës.

Të ngjashme