Brenda 30 muajsh përfundon autostrada Prishtinë – Mitrovicë

Prishtinë | 16 Kor 2018 | 09:19 | Nga

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, që para pak ditëve për shkak të kompensimit është përballur me pronarët e tokave të fshatrave të Vushtrrisë, nëpër të cilat kalon autostrada, ka siguruar se 35 kilometrat e mbetur të autorrugës Prishtinë – Mitrovicë do të përfundojnë në afatin e parashikuar (brenda 30 muajsh), shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ai ka falënderuar banorët, pronarë të pronave që prekën nga projekti i autostradës për, si ka thënë ai, “mirëkuptimin që kanë pasur në mënyrë që projekti të vazhdojë të zbatohet”.

“Projekti që ka nisur së zbatuari para disa ditëve nga të qenët projekt në sirtarë të pluhurosur po bëhet realitet që do të transformojë veriun e Kosovës. Me projektin e autostradës ‘Tre Heronjtë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha’ do të zgjidhim përfundimisht një nyje të mbetur të rrugëve të Vushtrrisë e të Mitrovicës”, ka thënë ministri Lekaj.

Ministri Lekaj është përballur para disa ditëve me pronarët e tokave nëpër të cilat kalon “Segmenti M2” i autostradës Prishtinë – Mitrovicë, të cilët kanë kërkuar kompensim për tokat që do t’u merren për të mundësuar realizimin e projektit të “Segmentit M2” të autorrugës, e gjatë 5 kilometra, shkruan më tutje “Zëri”.

Segmenti i kësaj autorruge kalon nëpër pronat e banorëve të fshatrave Gojbulë, Banjskë, Sllatinë dhe Pasomë.

Ata patën shprehur edhe problemet e tjera që lidhen me këtë pjesë të autorrugës, siç është qasja në pronat e tyre.

Ministri Lekaj ka kërkuar nga banorët që të mos e pengojnë realizimin e projektit, por edhe që t’i kërkojnë të drejtat e tyre për pronat.

Ai ka siguruar banorët se të gjithat pronat që janë vlerësuar do të kompensohen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme