Burg për kallëzim të rremë në polici

Prishtinë | 11 Kor 2016 | 23:37 | Nga

Antigona Karimanoska u dënua me tre muaj burgim pasi u gjet fajtore për veprën kallëzim i rremë në Polici. Ajo akuzohej se kishte pranuar vepra penale të cilat nuk i kishte kryer.

E akuzuar për kallëzim të rremë në Polici, Antigona Karimanoska, e cila të premten e pranoi fajësinë, sot është dënuar me tre muaj burgim.

Dënimin që e shqiptoi Gjykata Themelore e Prishtinës është më i larti i paraparë për këtë vepër nga Kodi Penal i Kosovës.

Karimanoska akuzohej se kishte pranuar vepra penale të cilat nuk i kishte kryer.

Ajo është në paraburgim nga data 12 prill 2016. Nesër bëhen tre muaj dhe kjo i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Në emër të paushallit gjyqësor, Gjykata e obligoi të paguajë shumën prej 50 eurove.

“Unë e pranoj fajësinë për veprën për të cilën akuzohem. Këtë pranim e kam bërë në koordinim me avokatin tim. Pranimin e bëj me vullnet të plotë dhe jam e penduar për veprën e kryer dhe i premtoj gjykatës që kurrë më nuk do të kryej vepër penale”, kishte deklaruar Karimanoska në seancën fillestare.

Antigona Karimanoska akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën lajmërimi apo kallëzimi i rremë sepse më 12 prill 2016 ajo ka shkuar në Stacionin Policor në Prishtinë dhe ka deklaruar se i ka kryer vetë veprat penale vrasje e rëndë dhe vrasje e rëndë në tentativë, vepra për të cilat Prokuroria ka akuzuar Bekim Saraqin.

Të ngjashme