Bytyqi në 15-vjetorin e “For You”: Kjo revistë ka bashkuar të rinjtë e Kosovës

Prishtinë | 05 Maj 2018 | 15:24 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Revista “For You” ka bashkuar të rinjtë e Kosovës. Kështu tha ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi në shënimin e 15-vjetorit të revistës së KFOR-it,”For You”.

Bytyqi tha se Ministria që ai drejton do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim me këtë revistë, raporton Ekonomia Online.

“Ju vlerësoj si një revistë unike për vendin tonë. Ne si MAShT do të jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunim”.

Kryeredaktorja e revistës, Leonora Shabani Nikshiqi, derisa tregoi për fillet e revistës “For you”, premtoi që do të vazhdojnë të punojnë që kjo revistë të jetë jetëgjatë dhe e njohur si është deri më tani.

“Ishte qershori i vitit 2002 kur në redaksinë e atëhershme të revistës Dialogu lindi ideja për një revistë për të rinj që do t’iu drejtohej për të gjithë të rinjtë kosovarë pa dallim, që do të thotë të shkruhej për të gjithë juve. Gazetarët tanë janë të mirëpritur nga të rinjtë dhe besojmë që kjo e dëshmon suksesin e revistës sonë”.

Ndërsa komandanti i KFOR-it, Salvatore Couci,  tha se kjo revistë ka për qëllim t’iu ndihmojë njerëzve të bëhen më mendjehapur.

Ai tha se revista është krijuar për të promovuar paqen dhe tolerancën ndëretnike, raporton EO.

Komandanti gjithashtu bëri të ditur se Revista “For You” është revista e parë dhe e vetme në rajon që publikohet në të dy gjuhët: shqipe dhe serbe.

“Revista ‘For you’ është krijuar për të promovuar tolerancën ndëretnike dhe të mirat që dalin nga bashkëpunimi dhe paqja. Revista ka për qëllim që të bëhet instrument që iu ndihmon njerëzve të bëhen sa më mendjehapur”.

“Kjo është revista e parë dhe e vetme në Kosovë, por edhe në rajon, që është e publikuar në dy gjuhët: shqip dhe serbisht. Përmes faqeve të kësaj reviste, ne ia kemi dalë të krijojmë një urë lidhëse mes të rinjve të Kosovës pavarësisht etnisë së tyre”.

Në fund të organizimit për shënimin e 15-vjetorit të revistës For You, u ndanë çmime për më të mirët e kuizit të organizuar nga kjo revistë.

Shpërblime si biçikleta, laptopë e telefona të mençur u ndanë për 11 më të mirët, raporton EO.

 

Të ngjashme