Komisioni për matjen e territorit i përçarë: Çakorri (nuk) i takon Kosovës

Prishtinë | 21 Shk 2017 | 10:50 | Nga Jehona Zhuniqi

Komisioni për matjen e territorit ka prezantuar raportin për matjen e territorit të vendit. Aty thuhet se Kosova me demarkacion nuk humb territor, porse Qakorri dhe Bjelluha nuk i takojnë Kosovës.

Eksperti Tomor Çela i cili prezantoi raportin tha se gjatë gjithë kohës është ngrit hipotezë e madhe se sa është sipërfaqja e territorit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Qakorri dhe Bjelluha gjenden jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Territori i Kosovës është i njëjtë me atë qe është prezantuar nga Komisioni i mëparshëm”, ka thënë ai.

Islami: Kosova ka 10 mijë e 906.25 kilometra katrorë, nuk kemi humbur territor

Pas këtij prezantimi të Qelës kryetari i Komisionit Hivzi Islami ka thënë se në mbështetje të të dhënave dhe gjetjeve që janë ofruar në procesin e matjes dhe verifikimit të mbulueshmërisë nga ekipi i specialistëve Komisioni i Ekspertëve e njofton Qeverinë e Kosovës se madhësia territoriale e Kosovës  10905,25 km katrorë.

“Ne sot e deri më 24 shkurt i gjithë dokumentacioni i gjetur do t’i ofrohet opinionit publik dhe do të merren parasysh të gjitha opinionet dhe pastaj do ti dorëzohet Qeverisë. Komisioni ka bërë punë të pavarur”.

Luta: Raporti i komisionit për matjen e territorit, joprofesional

Mirëpo, dy anëtarë tjerë të këtij komisioni, Agron Luta dhe Faruk Bojaxhiu janë shprehur kundër raportit të Komisionit Shtetëror për matjen e territorit të Kosovës.

Luta ka thënë se deri më tani nuk kanë dashur të deklarohen pasi marrëveshja ishte që të deklarohet vetëm zëdhënësi i Komisionit, mirëpo këtë e kanë bërë pasi vërejtjet e tyre nuk janë marrë parasysh.

“Atëherë duhet të deklarojmë atë që kemi thënë edhe dje në komision se nuk pajtohemi me vlerësimin e raportit nga ana profesionale. Raporti është joprofesional”, ka thënë Luta.

Të ngjashme