Dakës i skadon mandati në KQZ në kohën e zgjedhjeve

Prishtinë | 11 Maj 2017 | 15:24 | Nga

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, përfundon mandatin e saj pesë vjeçare në muajin kur pritet të kenë zgjedhje të përgjithshme në Kosovë.

Mandati i saj zyrtar përfundon me 16 qershor, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 11 qershor. Këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“ Po, më 16 qershor del mandati”, është përgjigjur shkurt ajo. Po kur është pyetur se çfarë do të bëhet me pozitën e parë të KQZ-së, Daka nuk ka mundur të japë përgjigje. “ Nuk e di, nuk e di unë, ajo është nën kompetencat e Presidentit”, tha Daka.

Ajo tha se e Presidenti ka kompetenca t’ia vazhdojë ose jo mandatin e saj si kryetare e KQZ-së.

“Ka të drejtë të vazhdohet mandati sipas ligjit. Është në diskrecion të Presidentit, nëse konsideron që e meritoj me ma vazhdu mandatin, le të ma vazhdoj. Nëse jo, e zgjedh dikë tjetër”, tha Daka.

Valdete Daka është zgjedhur kryesuese e KQZ-së më 16 qershor 2010 kur ishte dekretuar nga ish Presidenti Fatmir Sejdiu.

Mandati i kryesueses së KQZ-së është shtatëvjeçar. Sipas ligjit, KQZ-ja si organ i pavarur për menaxhimin e zgjedhjeve duhet të drejtohet nga një anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës.

E para e KQZ-së tha se për përfundimin e mandatit të saj në muajin qershor, është e njoftuar edhe zyra ligjore e Presidentit.

Gjatë ditës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, përjashtim subjektin politik LDK, pas votimit të mosbesimit të Qeverisë në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim u propozuan dy data të mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve- 11 ose 18 qershori.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme