“Darka e diasporës”, në ndihmë të nënave dhe fëmijëve në Kosovë

Prishtinë | 08 Sht 2017 | 11:18 | Nga

Fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, në bashkëpunim me organizatën zvicerane “Solidar Suisse”, organizon ngjarjen bamirëse “Darka e diasporës” në lokalin Eni’t në Zürich të Zvicrës, më 29 shtator 2017, prej orës 19:00 – 21:00.

Në këtë darkë bamirësie, Omer Dzemali, ndër 100 kokat e mençura të Zvicrës, do të mbajë një fjalë rasti për mysafirët.

Ngjarja do të përfshijë muzikë dhe aktivitete të tjera përgjatë mbrëmjes, si dhe është e hapur për publikun përmes blerjes së biletës në vlerë prej 100 CHF për person. Persona të biznesit dhe filantropë ftohen të mbështesin mbrëmjen në cilësinë e sponsorëve.

Kjo darkë organizohet me qëllimin e shpëtimit të jetëve të fëmijëve dhe uljes së shkallës së vdekshmërisë të foshnjave në Kosovë.

Që nga paslufta, kur shkalla e vdekshmërisë ka qenë 29 foshnja në 1,000 lindje, tash kemi arritur ta ulim në 11 vdekje në 1,000 lindje, shifër që ende mbetet më e larta jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.

Me qëllim e uljes së shkallës së vdekshmërisë, Fondacioni zhvillon programe shëndetësore, si furnizimin e Klinikës Neonatologjike dhe asaj Gjinekologjike në QKUK me medikamente esenciale dhe pajisje të nevojshme mjekësore, hapjen e ‘klasave për nëna’, zhvillimin e transportit neonatal dhe programeve të tjera.

Ngjarja bëhet e mundur falë mbështetjes së Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, lokalit Eni’t, platformës AlbInfo.ch, kompanisë Eurokoha, si dhe organizatës “Germin”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme