Deklarimi i pasurisë do të bëhet në mënyrë elektronike

Prishtinë | 10 Tet 2016 | 16:26 | Nga

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, priti në takim drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, i cili tha se institucioni të cilin e drejton është duke punuar në drejtim të vlerësimit të punës së Agjencisë për të parë se në cilat aspekte është e nevojshme të forcohet ajo.

Tutje, ai foli për raportin e Këshillit të Evropës me rastin e vlerësimit të gjendjes së Agjencisë, sidomos në adresim të rekomandimeve. U tha se është duke u përcjell puna e Qeverisë gjatë hartimit të Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, pasi që është duke u hartuar ligj i ri.

Havolli dha se Agjencia ka nevojë për ekspert të fushës ,veçmas në fushën e prokurimit dhe të financave. Po ashtu theksoi se në bashkëpunim me UNDP-në po punohet që deklarimi i pasurisë të bëhet në formë elektronike. Duke iu referuar bazës ligjore të funksionimit të Agjencisë, ndërkaq, tha se është i nevojshëm që në aspektin e hetimeve Agjencia ose duhet të forcohet, ose t’i hiqet kjo kompetencë.

Kryetarja e Komisionit foli për rolin e Komisionit për Legjislacion në raport me agjencinë e që është përcaktuar me ligjin nr. 03/L- 159 për Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ajo tha se bazuar edhe në vendimin e Kuvendit, Komisioni për Legjislacion është komision mbikëqyrës i Agjencisë dhe në këtë kontekst Komisioni ka formuar një grup punues që do të mbikëqyrë punën e saj.

Tutje, ajo tha se komisioni nuk ka qenë shumë i kënaqur me punën e AKK-së që udhëhiqej nga ish-drejtori Preteni, duke i vlerësuar shqetësuese shifrat e publikuara nga ana e Agjencisë për rastet e përcjella në prokurori, kjo pasi që shumica e kallëzimeve penale janë hedh poshtë nga organet kompetente.

“Po ashtu, shqetësues ka qene raporti i agjencisë me shoqërinë civile”, tha ajo, ndërsa theksoi se duhet të kthehet imazhi në Agjenci në këtë segment.

Gjatë takimit u diskua edhe për bashkëpunimin e agjencisë me shtetet tjera, pasi që aktualisht Agjencia ka memorandum bashkëpunimi vetëm me Republikën e Shqipërisë.

Në fund Havolli shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Komisionin parlamentar në raport me kompetencat ligjore që ka sipas ligjit nr. 03/L- 159 për Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Të ngjashme