Delawie: Duhet t’i luftoni njerëzit e krimit dhe të korrupsionit

Prishtinë | 27 Tet 2016 | 11:57 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në përkrahje të Ambasadës Britanike, ka mbajtur tryezën me titull “Luftë për luftën kundër korrupsionit”, në të cilën u publikua raporti i monitorimit për sistemin prokuro-rial dhe sistemin gjyqësor në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Gjatë kësaj tryeze u diskutua për performancën dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit.

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë,  RuairiO’Connell, Ambasadori Amerikan në Kosovë, z. GregDelawie, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi dhe anëtarja e Këshillit Prokuro-rial të Kosovës,Radica Milic.

Në fjalën e saj hyrëse, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha tha se ajo ka një obligim ligjor për të ju siguruar qytetarëve të Kosovës qasje dhe siguri të barabartë në drejtësi. “Prioritet i imi në këtë mandat-është lufta kundër korrupsionit. Përmirësimi i legjislacionit dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjit është një ndër hapat e fuqizimit të sistemit të drejtësisë.

Ndërtimi i shtetit ligjor do të fuqizoj pozitën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave” u shpreh Ministrja Hoxha. Tutje, Hoxha foli për mekanizmat që kjo ministri është duke krijuar për të ngritur efikasitetin dhe llogaridhënien e saj.

“Luftimi i korrupsionit nuk është betejë e lehtë e as e menjëhershme, lufta me të do të jetë e mundimshme dhe e vazhdueshme por ne do ta fitojmë për gjeneratat e ardhshme dhe fëmijët tanë.”

Ambasadori i Britanisë së Madhe,  RuairiO’Connell, gjatë kësaj tryeze u shpreh se raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, e cilëson si një raport profesional i cili po dëshmon për humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. “Ne kemi interes që mos të lëmë Kosovën të shembet për dëshirën e disa njerëzve. Është në interes të Britanisë së Madhe që Kosova të jetë e fortë dhe një shtet me prosperitet dhe mënyra e vetme për të luftuar korrupsionin është të kemi një gjyqësor të fortë”.

Duke folur për luftën kundër korrupsionit, ai përmendi edhe raste konkrete duke përfshirë këtu rastin ish Kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, për të cilin rast tha se si pasojë e zvarritjes së kësaj lënde, ai u la i lirë. “Kemi rastin e fundit të z. Ukës, ku dëshmohet se shkeljet e afateve ligjore ia mundësuan atij të mos dënohet e as të hetohet për shkak të parashkrimit të veprave penale të korrupsionit. E një rast tjetër të Uka, gjykata ka vërtetuar se 6 milionë euro ka qenë dëmi i shkaktuar e në këtë rast.

Uka është dënuar me kusht dhe nuk është konfiskuar asnjë cent. Si ka mundësi që aktakuzat të ngrihen nga prokurorët dhe të rrinë në zyrat e tyre me muaj e me vite deri sa të dorëzohen në gjykatë. Si ka mundësi që aktakuzat e ngritura për korrupsionin nga prokuroria të flejnë më muaj në gjykata dhe të mos caktohen seanca gjyqësore.”

Ambasadori Britanik foli edhe për të gjeturat e raportit të IKD-së, ku i konsideroj këto rezultate si shqetësuese. “Keni bërë një data bazëperfekte të lëndëve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, mirëpo tash është koha të kemi rezultate konkrete e të dëshmohet që guxohet të dënohen të gjithë të korruptuarit kush do që janë ata.

Të gjeturat e raportit tregojnë se për veprën e korrupsionit të akuzuarit i takojnë kryesisht nivelit të ultë e rrallë raste janë ngritur aktakuza ndaj personave të profilit të lartë. Madje u pa që ata edhe kur dënohen në gjykata ose nuk dënohen ose dënohem me kusht”.

Edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, GregDelawie, ka vlerësuar raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi duke inkurajuar organet e drejtësisë që të përfitojnë nga rekomandimet e këtij raporti. “Askujt nuk i pëlqen të kritikohet ose t’i thuhet që nuk po e bën një punë perfekte, por e vërteta është se çdo herë duhet të ketë vend për përmirësime.

Kështu që përfitoni nga raporti i IKD-së për të përmirësuar punën tuaj”. Ambasadorit amerikan i ra në sy mos-prezenca e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për të cilën tha se kjo prokurori ka autorizimin që të ngritë aktakuzat për krimet më të rënda, dhe askush nga prezent ta nuk është prezent në tryezë që ta përfaqësoj.

Tutje, Ambasadori Delawie, foli për luftën kundër korrupsionit, i cili tha se e gjithë shoqëria duhet të angazhohen në këtë luftë. “Jemi të gjithë të vetëdijshëm se korrupsioni është një ndër problemet më të theksuara në Kosovë. Për të luftuar korrupsionin kërkohet një përkushtim i të gjithëve.

Asnjë institucion dhe askush nuk mund ta bëj i vetëm. Fatkeqësisht korrupsioni nuk është diçka që mund të eliminohet në tërësi, por ne duhet të luftojmë që ta identifikojmë atë dhe ta ndëshkojmë” u shpreh Delawie.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës,  NehatIdrizi tha se të gjeturat dhe rekomandimet e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, do të analizohen nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe do të merren veprime që ato të zbatohen në praktikë.”Për gjyqësorin prioritet është besimi i publikut e cili po shihet se është në shkallë mjaft të ulët.Korrupsioni është një fenomen i ligsht që është prezent edhe në Kosovë. Mund të konkludohet që korrupsioni ka një impakt shkatërrues mbi sundimin e ligjit.

Korrupsioni nuk mund të luftohet lehtë dhe duhet një angazhim i tërë shoqërisë dhe institucioneve tona, e posaçërisht institucioneve të drejtësisë”. Fjalimin e tij, kryesuesi i KGJK-së, e përmbylli duke falënderuar Institutin e Kosovës për Drejtësi për raportin analitik dhe premtoi që ky Institut do të mbetet i informuar për hapat që do të ndërmerren nga KGJK bazuar në rekomandimet e paraqitura në raport.

Ndërkaq, anëtarja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Radica Milic, tha se fenomeni i korrupsionit nuk mund të shuhet, por të gjithë duhet të bëjnë përpjekje që të sillet në një nivel të pranueshëm. “Korrupsioni është një problem global dhe ne kemi nevojë për mbështetje nga të gjithë” u shpreh Milic.

Ajo i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që gjatë diskutimit për buxhet të marrë parasysh kërkesat e Këshillit Prokurorial të Kosovës për rritje të buxhetit në mënyrë që të kenë një efikasitet më të madh. E përveç kësaj ftese, ajo ftoj edhe prokurorët rinj të merren me raste të korrupsionit, duke premtuar mbështetjen e KPK-së. Në fund, Milic e falënderoj IKD-nëpër punën serioze që ka bërë me përpilimin e këtij raporti analitik.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin Kryetarët e Gjykatave Themelore, Kryeprokurorët e Prokurorive Themelore, gjykatës, prokurorë, Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, përfaqësues të Ambasadës Britanike, Ambasadës Amerikane, Ambasada Holandeze, përfaqësues të Këshillit

Prokuro-rial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përfaqësues të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, përfaqësues të Odës së Avokatëve të Kosovës, USAID-it, Zyrës së BE-së në Prishtinë, OSBE-së, UNDP-së dhe shoqërisë civile.

Rreth gjetjeve dhe rekomandimeve konkrete të raportit të IKD-së, gjeni të bashkangjitur raportin e plotë. Gjithashtu gjeni të bashkëngjitura edhe fotot e realizuara në këtë ngjarje.

Të ngjashme