Delawie: Njerëzit me aktakuzë për korrupsion nuk dua t’i shoh në listat zgjedhore

Prishtinë | 19 Maj 2017 | 15:22 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka thënë se në listat zgjedhore nuk ka dëshirë të shohë njerëz me aktakuzë për korrupsion.

Ai gjithashtu nga selia e KQZ-së ka ftuar qytetarët e Kosovës të dalin dhe të votojnë pasi siç tha ai “e ardhmja e vendit është në duart tuaja”, raporton Ekonomia Online.

“Ashtu siç e keni dëshmuar në vitin 2014 dhe siç e thonë amerikanët  ‘çdo votë numërohet’. Një ndër mesazhet tona për qytetarët e Kosovës janë: zgjohuni dhe votoni. E ardhmja e vendit tuaj është në duart tuaja dhe kjo më së shumti vlen për ata që votojnë për herë të parë, sepse zgjedhjet e lira dhe demokratike i sigurojnë Kosovës një të ardhme më të ndritur për qytetarët ashtu siç ata e meritojnë. Çdo person i dyshuar për korrupsion dhe për krime serioze nuk ka vend si kandidat në këto lista në pikëpamjen time. Kosova ka shumë politikan të talentuar të cilët nuk janë të përfshirë në këto aktivitete të cilët e meritojnë një shans”, ka nënvizuar Delawie.

Ai ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike për organizimin e një procesi zgjedhor demokratik, më 11 qershor.

“Bëjmë thirrje për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike”, ka thënë Delawie.

Njëherësh, Delawie bëri thirrje për fushata dinjitoze, për transparencë dhe sigurimin e të gjitha kushteve për punë për mediet, monitoruesit dhe vëzhguesit e zgjedhjeve. Ai i ka dhënë mbështetje të plotë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se është një nder për KQZ-në që në këtë kohë ta kenë mysafir ambasadorin Delawie.

Ajo theksoi se meqë vendi është në prag të zgjedhjeve parlamentare po i përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore.

“Në nëntorin e vitit të kaluar pash nga afër organizimin e zgjedhjeve në vendin tuaj dhe u ktheva me bindjen që edhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë, edhe tani kur jemi në kohë të zgjedhjeve po përmbushim detyrimet kushtetuese dhe ligjore. Mbetemi të përkushtuar që të organizojmë zgjedhjet në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare”, tha ajo.

“Zgjedhjet e lira dhe demokratike janë themeli i angazhimit tonë institucional”, ka shtuar Daka.

Të ngjashme