Dënohet i akuzuari për përvetësimin e 1,511 eurove të Postës

Prishtinë | 07 Maj 2018 | 12:07 | Nga

Pas pranimit të fajësisë, i akuzuari Muhedin Bikliqi u shpall fajtor për veprën penale të përvetësimit në detyrë ndaj Postës së Kosovës.

Gjykatësja Suzana Çerkini i shqiptoi dënim me kusht në kohëzgjatje prej tre muajve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse Bikliqi në afat kohor prej 1 viti nuk do të kryej vepër tjetër penale.

Po ashtu, ndaj të njëjtit u shqiptua edhe dënimi me gjobë në shumë prej 200 eurove.

Gjatë këtij dënimi gjykata pati parasysh faktin se i njëjti ka përmbushur obligimin ndaj palës së dëmtuar, Postës së Kosovës.

Pala e dëmtuar nuk u udhëzua në kontest civil për kërkesën pasurore- juridike, meqenëse obligimi vetëm se është përmbushur.

Paraprakisht u mbajt seanca fillestare ku mungoi përfaqësuesi i postës, për çka edhe është shtyrë seanca e kaluar.

Ndonëse i akuzuari ka bërë pagesën, gjykatësja Çerkini në seancën e kaluar ka kërkuar që të konstatohet autenticiteti i dokumentit, meqenëse fakti se i njëjti ka bërë pagesën ndikoj në matje të dënimit, ashtu që edhe e ka shtyrë seancën për ditën e sotme.

I akuzuari Bikliqi vetëm se e ka pranuar fajësinë, si dhe ka arritur të vërtetojë që ka bërë pagesën ndaj postës.

I akuzuari, në sallë të gjykatës bëri të ditur se dokumenti origjinal është në drejtori të Postës së Prishtinës, si dhe njoftoi gjykatën se dokumentin që vërteton pagesën e ka marrë nga zyra postare në Janjevë ku ka siguruar 4 specifikacione të dorëzimit të parave dhe atë të datës 28 janar 2013 në shumë prej 228.43 euro, 29 janar 2013 në shumë prej 845.58 euro, 30 janar 2013 në shumë prej 248.59 euro, si dhe 31 janar të të njëjtit vit 181.44 euro.

Në sallë të gjykatës u komunikua se të gjitha këto specifikacione përmbajnë emrin dhe nënshkrimin e dorëzuesit, të akuzuarit Bikliqi, si dhe nënshkrimin e zyrtarit të bankës dhe vulën e zyrës postare.

Po ashtu, gjykatësja Çerkini bëri të ditur se të gjitha këto dokumente janë të përcjella me konfirmime të transaksioneve.

Gjykatësja Çerkini konsideroi se fakti se i akuzuari ka kryer pagesën- obligimin ndaj Postës së Kosovës është vërtetuar edhe në mungesë të zyrtarit të postës së Kosovës.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Bikliqi në vazhdimësi në datat 28, 29, 30 dhe 31 janar të vitit 2013, në zyrën postare në Janjevë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka përvetësuar pasurinë- paratë pronë e të dëmtuarës Posta e Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti ka përvetësuar këto para sa ishte duke punuar si sportelist në sportelin e kësaj zyre, ku të gjitha të hyrat e fituara nga shërbimet dhe shitjet në datat e lartcekura nuk i ka dorëzuar në bankë, por shumën e të hollave në vlerë prej 1,511.95 i ka përvetësuar për vete, duke i përdorur për nevoja personale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme