DW: Ekstradimi i gjashtë turqve mund të ketë pasoja për Kosovën

Prishtinë | 01 Pri 2018 | 09:54 | Nga

Kosova do të hetojë ekstradimin e gjashtë të dyshuarve të lëvizjes së Fethullah Gylen, FETO. Operacioni mund të ketë pasoja për vendin, pasi Kosova kërkon të forcojë lidhjet me Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj urdhëroi të shtunën një hetim për arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në një operacion, që ai thotë se ishte urdhëruar pa dijeninë e tij.

Ankara pretendoi se gjashtë burrat ishin anëtarë të lëvizjes së Fethullah Gylenit, klerikut turk me qëndrim në ShBA.

Grupi përfshiu pesë mësues nga një shkollë e Gylenit dhe një mjek, të cilët u ekstraduan të enjten në Turqi në një operacion për ekstradim nga Ministria e Brendshme e Kosovës dhe shërbimi i spiunazhit (AKI) së bashku me Organizatën Kombëtare të Inteligjencës të Turqisë (MIT), shkruan DW.

Pas një takimi urgjent me personelin e sigurisë kombëtare, Haradinaj përsëriti se ai nuk ishte informuar për operacionin, gjë që e ka shtyrë të shkarkojë ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e AKI-së, Driton Gashi.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, tha të shtunën se ai ishte ‘i pikëlluar’ nga se Haradinaj e kishte shkarkuar premten ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI-së për deportimin e gjashtë shtetasve turq pa lejen e tij.

Erdogan tha se Haradinaj do ta paguajë për veprimet e tij.

“Që kur keni filluar të mbroni ata që punuan për të bërë një grusht shteti kundër Republikës Turke?”, tha ai.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu Agency i përshkroi burrat si persona të lartë në lëvizjen Gulen.

Prokurori i Stambollit po heton njerëzit që sipas Anadolu, po organizonin lëvizjen e Gylenistëve nga Turqia në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet e Evropës.

Turqia e ka quajtur lëvizjen Gulen një organizatë terroriste, qëllimi i së cilës është të rrëzojë qeverinë.

Florian Bieber, ekspert i Ballkanit në Universitetin e Grazit në Austri, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se incidenti mund të ishte i dëmshëm për Kosovën, një vend që po përpiqet të ndërtojë lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian.

“Sigurisht që do të dëmtojë Kosovën, si për të hedhur dyshime mbi sundimin e ligjit dhe autoritetin politik, dhe për bashkëpunimin me një regjim që është autoritar dhe gjithnjë e më antagonist ndaj BE”, tha Bieber për Reuters.

Ndaj arrestimit dhe depërtimit të shtetasve turq ka reaguar edhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Human Right Watch” (HRW).

“Përveç arrestimeve të diskutueshme, ata u dërguan në një vend ku ata përballen me një rrezik serioz të torturës”, tha HRW në një deklaratë.

Të ngjashme