Edhe këtë verë diaspora pa televizion

Prishtinë | 11 Qer 2018 | 15:21 | Nga

Edhe këtë verë diaspora nuk do të ketë televizionin e saj, kjo për shkak se deri në shtator Qeveria e Kosovës nuk do të përcjellë Projektligjin për Diasporën. Në planin legjislativ të Qeverisë thuhet se ky projektligj do t’i përcillet Kuvendit për miratim më 28 shtator të këtij vitit.

Diaspora shqiptare ditë më parë ka marrë përkrahjen e Qeverisë së Kosovës se ata do të kenë një kanal televiziv të dedikuar në veçanti për ta.

Kjo nismë, tashmë është bërë pjesë e Projektligjit për diasporën, ku një kanal i ri i përbashkët me Republikën e Shqipërisë, përkatësisht mes Radio Televizionit të Kosovës dhe Radio Televizionit të Shqipërisë do të hapet në kohën sa më të shpejtë që është e mundur. Së paku kështu kanë deklaruar zyrtarët e lartë shtetërorë.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndërmarrë hapa tjerë përpos nismës për hapjen e këtij kanali televiziv.

Gazeta Alo ka kontaktuar Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, meqë rast zyrtarë nga kjo ministri kanë thënë se grupi punues është duke punuar në këtë projektligj.

Tutje nga kjo ministri thuhet se përpjekjet janë të mëdha për tu hapur kanali i ri televiziv.

“Kanali televiziv për diasporën tashmë është pjesë e projektligjit të ri për diasporën. Grupi i punës është duke punuar në këtë projektligj, me miratimin e të cilit do të bëhet e mundur edhe hapja e televizionit për diasporën. Po bëhen përpjekje që ky kanal televiziv të hapet sa më shpejt që është e mundur”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Diasporës.

Ndërkaq nga Këshilli i Pavarur i Mediave thonë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë zyrtare për licencim të ndonjë kanali të ri televiziv.

Në një përgjigje nga zyra për Komunikim dhe Informim të KPM-së, thuhet se ende nuk kanë pranuar kërkesë zyrtare për licencim të këtij kanali të ri televiziv për diasporën. Ata thonë se me pranimin e kërkesës, do të shqyrtojnë procedurën për licencim.

“ Ne si KPM ende nuk kemi pranuar kërkesë zyrtare për licencim të një kanali televiziv për diasporën. Procedura e licencimit shkon në atë mënyrë ku kërkesa duhet t’i ketë të përmbushura kriteret e nevojshme, dhe në bazë të tyre, procedura do të shqyrtohet. Pas kësaj është afati ligjor dhe bordi e shqyrton kërkesën për të vendosur për licencim apo jo”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të Pavarur të Mediave.

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, i pati bërë me dije diasporës se një projekt i tillë do të realizohet.

“Jemi të vetëdijshëm për nevojën që diaspora jonë ka për një kanal të veçantë. Momentalisht në ligj është e specifikuar se Radio Televizioni i Kosovës duhet të rezervojë 6-9% të programit të vet për diasporën, mirëpo kjo është vështirë e matshme, andaj me ministrin Majko jemi dakorduar për hapjen e kanalit të përbashkët për diasporën mes RTK-së dhe RTSH-së. Kjo iniciativë tashmë është pjesë e draftit të ligjit të ri për diasporën”, ka thënë ministri Gashi.

Ky vendim erdhi pas kërkesës që delegacioni i përbërë nga shoqata, intelektualë e biznesmenë nga diaspora i bënë kryeministrit Ramush Haradinaj./Gazeta Alo/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme