Emigrimi nuk është ndalur në Kosovë

Prishtinë | 11 Nën 2017 | 13:14 | Nga

Shkalla e emigrimit të qytetarëve të Kosovës që përfshin emigracionin e rregullt dhe emigracionin ilegal, vazhdon të jetë e lartë, ndonëse jo në shifra alarmante, i thanë DW-së, zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në bazë të të dhënave nga enti i statistikave të Kosovës, për periudhën 2012-2016 bëhet e ditur se Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të emigrimit me një mesatare vjetore prej 34,145 persona. Vetëm gjatë vitit 2016 nga Kosova kanë emigruar 8940 persona.

Në total për periudhën 2012-2016, vlerësohet se nga Kosova kanë migruar 122.657 persona. Në këtë numër përfshihen emigrimet legale por edhe ato ilegale që për destinacion kanë vendet e BE-së, posaçërisht Gjermaninë.

Ministria e Punëve të Brendshme këtë javë publikoi raportin “Profili i migrimit 2016”, ku paraqitet një analizë e migrimit dhe trendet e politikave të Kosovës që ndërlidhen me migrimin.

Numri i shtetasve të Kosovës me leje qëndrim të vlefshëm në shtetet e BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2016 ishte 21,141. Sipas të dhënave të agjencisë evropiane të statistikave, EUROSTAT, numri më i madh i kosovarëve që kanë marrë leje qëndrimi, vazhdon të jetë i koncentruar më së shumti në Gjermani me 47 për qind të numrit të përgjithshëm të personave me leje qëndrimi.

Në vendin e dytë renditet Italia me 12 për qind e pasuar nga Franca me 9 për qind, Austria 9 për qind dhe Sllovenia me 7 për qind. Arsyet e marrjes së lejes së qëndrimit të shtetasve kosovarë në shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen janë, bashkimi familjar, punësimi dhe edukimi.

Migrimi i parregullt ishte një fenomen më të cilin Kosova u përball në masë të madhe gjatë fundit të vitit 2014 dhe fillimvitit të 2015. Shifrat e ikjeve ishin shumë të larta, ndonëse askush nuk ishte në gjendje të thoshte numrin e saktë në atë periudhë. Kjo valë e ikjeve detyroi autoritetet në Hungari, Serbi, Austri dhe Gjermani, që të forcojnë kontrollet e kufirit.

Të dhënat e autoriteteve kosovare bazuar edhe nga të dhënat që janë siguruar nga vendet e BE-së, tregojnë se numri i shtetasve kosovarë, të cilët janë zënë me qëndrim të paligjshëm brenda territorit të shteteve anëtare të BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2016 ishte 11,370 persona.

Kjo tregon një rënie të dukshme të numrit në krahasim me vitet e shkuara sidomos me vitin 2015 që ishte 52,310 persona. Gjermania është vendi ku numri më i madh i kosovarëve janë zënë duke qëndruar jashtligjshëm.

Edhe Gjermania por, edhe shtetet e tjera anëtare të BE-së, tashmë e kanë bërë të qartë se azili politik dhe ekonomik për qytetarëve të Kosovës, (me përjashtim të ndonjë rasti shumë specifik), është i papranueshëm, sepse, Bashkimi Evropian Kosovën tashmë e ka renditur në listën e vendeve të sigurta.

Largimi i qytetarëve të Kosovës për në vendet e BE-së vazhdon edhe sot e kësaj dite, por në numër të vogël. Mirëpo krahas kësaj, sfidë për autoritetet e kosovare mbetet riatdhesimi i të ikurve dhe ripranimi i tyre në bazë të standardeve që i kërkon BE-ja.

Qeveria e Kosovës deri më tash ka nënshkruar marrëveshje bilaterale për ripranimin e emigrantëve me 23 shtete anëtarë të Bashkimit Evropian. Zbatimi i këtyre marrëveshjeve cilësohet një faktor i rëndësishëm për parandalimin dhe luftimin e migrimit të parregullt.

Gjatë vitit 2016, 13,030 persona shtetas të Kosovës janë ripranuar, prej tyre persona të dëbuar janë në Kosovë 6,519 dhe vullnetar të asistuar nga organizata IOM, 5,965 persona. Ripranimi në mënyrë vullnetare u pranua më së shumti nga shqiptarët e Kosovës, ndërsa, ripranimi apo, largimi me forcë nga vendet e BE-së, përfshiu më së shumti pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, të Kosovës.

Shteti që më së shumti ka larguar me forcë emigrant të paligjshëm kosovar vazhdon të jetë Gjermania me 91 për qind, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se përfitues në procesin e riatdhesimit janë të gjithë personat e riatdhesuar qe janë shtetas të Republikës se Kosovës dhe te cilët parashtrojnë kërkesa për përfitim nga Programi për Riintegrim, ku duhet të plotësojnë kriteret.

Sipas legjislacionit në fuqi, të gjithë përfituesit trajtohen në mënyrë të barabartë pa diskriminim në bazë të origjinës, përkatësisë etnike, fetare, racore ose gjinore.

Ndihmën në momentin e arritjes, pritjen, regjistrimin në sistem dhe informimin e personave të riatdhesuar menjëherë pas arritjes ne Aeroport apo pikat e tjera të kalimit kufitar. Asistencën mjekësore në momentin e arritjes, në rast nevoje.

Ministrisë së Shëndetësisë i sigurohet prezenca e ekipit mjekësor në pikat e kalimit kufitar. Bëhet po ashtu sigurimi i transportit deri në komunën e origjinës dhe akomodimi në Qendrën e Akomodimit të personave të riatdhesuar.

Ndihma dhe mbështetja emergjente deri në 12 muaj pas kthimit të personave të riatdhesuar përfshin: Akomodimin me qira, pakon ushqimore dhe higjienike, kompensimin e shpenzimeve të barnave që nuk gjenden ne Listën Esenciale të Barnave dhe pakoja e ndihmës për dimër.

Programi i riatdhesimit përfshinë edhe ndihmën dhe mbështetjen për riintegrim të qendrueshëm: është ndërtimi/rindërtimi dhe mobilimi i shtëpive, financimi i themelimit të biznesit dhe shërbime të konsulencës për zhvillimin e bizneseve, aftësimi profesional dhe punësimi me subvencionim të pagës, dhe organizimi i kurseve te gjuhës.

Në bashkëpunim të ngushtë me ministritë e qeverisë së Kosovës dhe komunat, te riatdhesuarit asistohen dhe ndihmohen për qasje në skemat pensionale, sociale dhe pajisje me dokumente të regjistrit civil.

Të gjitha këto shërbime që autoritetet kosovare janë të obliguara të zbatojnë në procesin e programit të riatdhesimit, janë një ngarkesë e madhe për Kosovën, thonë përfaqësues të organizatave që angazhohen për të drejtat e njeriut.

Në një raport të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thuhet se Kosova me gjendjen e saj të zhvillimit ekonomik nuk ka kapacitete të përmbushë të gjitha obligimet për të riatdhesuarit.

“Qeveritë në Kosovë kanë bërë gabim ku për shkak të proceseve integruese ku përfshihet edhe procesi i liberalizimit të vizave si një kriter i Komisionit Evropian, kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale të riatdhesimit me shtetet perëndimore, ndërkohë që nuk është analizuar kapaciteti i Kosovës për të pranuar dhe integruar të riatdhesuarit”, thuhet në një deklaratë të KMDLNJ-së.

Shumë personave të riatdhesuar nuk u janë plotësuar nevojat ashtu si shkruhet në marrëveshjet e riatdhesimeve dhe kjo mund të jetë një shkak që personat e riatdhesuar do të mendojnë që prapë të ikin nga Kosova, thekson kjo organizatë.(DW)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme