Fakte të reja për ajrin e ndotur në Prishtinë, ka pjesë ku nuk guxojnë as të kalojnë fëmijët

Prishtinë | 07 Dhj 2016 | 15:47 | Nga

Përafërsisht 9,500 qytetarë vdesin çdo vit në Londër për shkak të ekspozimit afat-gjatë në ajër të ndotur. Vdekjet e parakohshme vijnë si pasojë e dy ndotësve kryesorë: grimcave të imta të njohura si PM2.5 dhe gazit toksik, i njohur si dioksidi i azotit (NO2).

Ndotja e ajrit vazhdon edhe më tej të mbetet problem alarmant në Kosovë, e organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim pas matjeve të kualitetit të ajrit kanë ardhur në përfundim:

1) Ndotja e ajrit në Prishtinë me NO2 është një problem i vazhdueshëm, që shpesh kalon disa herë vlerat e EU-së dhe OBSH-së.

2) Gjatë periudhës së dimrit gjendja bëhet edhe më alarmante, duke regjistruar vlera deri në 3-herë më të larta nga ato të EU-së dhe OBSH-së;

3) Nivelet më të ulta të ndotjes së ajrit me NO2 mbesin gjatë periudhës së verës dhe vjeshtës së hershme;

4) Të dhënat tona tregojnë se përafërsisht zona më alarmante me ndotje të lartë me NO2 është trekëndëshi ndërmjet Stacionit të Autobusëve, Hotelit Grand dhe Bregut të Diellit;

5) Çdokush – sidomos grupet më të ndjeshme sikurse fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë me sëmundje respiratore – që kalon kohë në zonën e përmendur në pikën 4-ër, i ekspozohet një ndotje të lartë dhe të rrezikshme për shëndetin e tyre;

6) Shpeshherë, gazi toksik NO2 akumulohet edhe brenda ndërtesave, prandaj një hulumtim më i thellë duhet bërë;

7) Matjet të cilat i kemi bërë, janë matje jo-digjitale, por përmes tubave difuziv, të cilët japin vlerën mesatare, rezultatet e të cilave janë çertifikuar në Londër;

8) Burimi i ndotjes me NO2 është kombinimi i trafikut të dendur dhe emetimeve nga Termocentralet A dhe B;

9) Të dhënat tona tregojnë se nivelet e larta me gazin toksik NO2 kanë një ndikim të madh në shëndetin e qytetarëve dhe që kërkon masa të mënjehershme për të përmirësuar situatën;

10) Në fund, ajo që vlen të theksohet është se matjet e ndotjes së ajrit, të bëra nga PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, janë matje lokale dhe të lëvizshme, për dallim nga matjet që bëhen nga institucionet shtetërore që janë matje të përgjithshme dhe statike.

Matjet e PEN dhe Lëvizjes Shkenca për Ndryshim, kanë avantazh ndaj atyre të institucioneve shtetërore, sepse ndotja mund të ndryshojë nga rruga në rruge, nga lagja në lagje, dhe si pasojë të neglizhohet nga matësit statikë dhe të zbulohet më lehtë nga matësit e levizshëm në nivel lokal.

KAMPANJA DHE AKSIONE KUNDËR NDOTJES SË AJRIT

PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, në kuadër të projektit “Making Sense EU”, që nga Gushti i vitit 2016 kanë filluar të bëjnë matje edhe të mikro-grimcave PM2.5 (mikro-grimca të cilat kanë një diametër më të vogël se 2.5 mikrometër). Këto grimca janë ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të ndryshme, duke përfshirë kancerin e mushkërive dhe sëmundje tjera respiratore. Matjet e para janë testuar gjatë Festivalit Dokufest në Prizren, ku me ç’rast është publikuar edhe një analizë e shkurtër që theksonte faktin se rezultatet nga Prizreni tregonin nivele të larta të ndotjes me PM2.5, madje katër herë më i lartë sesa limiti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që niveli mesatar i mikrogrimcave PM2.5, gjatë 24-orëve, të mos jetë më i lartë se 25ug/m3.).

Së bashku me një interpretim të rezultateve nga matjet e ndotjes me PM2.5 gjatë periudhës Shtator-Tetor 2016, PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim do të fillojnë së shpejti një kampanjë përmes së cilës do të ndërmarrin aksione direkte që kanë të bëjnë me ngritjen e çështjes së ndotjes së ajrit në diskursin publik dhe të kërkojë më shumë transparencë në informimin e drejtë dhe të shpejtë të qytetarëve mbi ndotjen e ajrit nga institucionet relevante.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme