Fatmir Limaj lirohet nga përgjegjësia komanduese për krime të luftës

Prishtinë | 10 Mar 2018 | 16:16 | Nga

Fatmir Limaj që nga paslufta kaloi nëpër shumë procese gjyqësore në të cilat asnjëherë deri tash nuk u shpall fajtor.

Njëri nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili me të hyrë në politikën e pasluftës së Kosovës arriti të bëhej ndër më të votuarit dhe njëri nga njerëzit kryesorë të Partisë Demokratike të Kosovës, gjysmën e rreth 19 vjetëve të pasluftës i kaloi në procese gjyqësore.

Ish-komandant “Çeliku” u gjykua për krime të luftës nga Gjykata e Hagës dhe gjykatat në Kosovë dhe për korrupsion nga EULEX-i, u gjykua po ashtu nga Prokuroria Speciale e Kosovës, por  në fund arriti që të shpallej i pafajshëm në të gjitha këto procese gjyqësore.

Limaj,  nga çlirimi i Kosovës e deri më sot, i kaloi 3 vjet të jetës së tij i përfshirë  në procesin e Hagës për krime të luftës, rreth 8 vjet i kushtoi procesi hetimor e gjykimi për kohën sa ishte ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit, rreth katër vjet ishte i përfshirë  në rastin e njohur si “Kleçka” ndërsa në rastin e fundit i njohur si “Bellanica”, nga koha e ngritjes së aktakuzës e deri në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, Limaj i kaloi rreth dy vjet i përfshirë në këtë proces gjyqësor.

Në të gjitha këto procese maratonike gjyqësore, disa me vendim të formës së prerë e disa ende të vendosura nga vetëm shkalla e parë, Limaj është shpallur i pafajshëm.

Akuzat për Krime të Luftës mbi “Çelikun”

Përvoja e parë e Limajt me gjykatat, filloi në vitin 2003. Në këtë vit, Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi me seli në Hagë të Holandës, ndaj Limajt së bashku me Haradin Balajn dhe Isak Musliun filloi gjykimin në të cilin ish komandant “Çeliku” dhe të akuzuarit e tjerë ngarkoheshin për krime të luftës ndaj popullsisë civile.

Në një proces ku u dëgjuan rreth 50 dëshmitarë të mbrojtjes dhe të prokurorisë, Limaj u gjet i pafajshëm dhe u lirua nga akuzat.

Pafajësia e Limajt në Hagë u rikonfirmua  edhe në vitin 2007 në një proces të rigjykuar nga Tribunali i Hagës që e ndiqte për krime lufte të kryera në Llapushnik të Drenasit. Pasi doli sërish i pafajshëm ai iu rikthye politikës, duke u kthyer triumfalisht në Kosovë.

Megjithatë, pushimi i Limajt nga proceset gjyqësore nuk zgjati shumë, në verën e vitit 2011, Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës që siç pretendonte prokurori supozohet të ishin kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të atij viti në një qendër të improvizuar paraburgimi të UÇK-së që sipas aktakuzës ndodhej në fshatin Kleçkë të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme